U largua një javë më parë nga Partizani, Ilir Daja gjen menjëherë një skuadër të re

134

Lamtumira nga Partizani nuk do të mbajë për shumë kohë larg fushave të gjelbra trajnerin Ilir Daja. Tekniku pritet të zyrtarizohet që në ditët e para të janarit në një detyrë të re.

Sipas “Koha Ditore”, tekniku kryeqytetas do të vazhdojë karrierën e tij në pankinë në kampionatin kosovar.

Atij i është ofruar mundësia që të marrë drejtimin e skuadrës së Ballkanit, e cila pak kohë më parë ndau rrugët me trajnerin Bekim Isufi.

Ballkani aktualisht mban vendin e tretë në renditjen e kampionatit me 33 pikë, vetëm 2 më pak se Gjilani kryesues.

Skuadra e Suharekës lufton prej disa sezonesh për titullin kampion, por nuk ia ka dalë të triumfojë në sezonet e kaluara, teksa shpreson që një gjë të tillë ta bëjë pikërisht me Dajën, i cili ka qenë mjaft i suksesshëm në karrierën e tij duke fituar tituj me Elbasanin, Dinamon e Skënderbeun.