Nga urbanet te pub-et/ Mjeku tregon vatrat e ‘nxehta’ të përhapjes së koronavirusit

155

Mjekët kanë folur këtë mbrëmje në emisionin “Real Story”, në News24, për masat shtrënguese të vendosura ditën e sotme nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, ku do të ndalohet lëvizja nga ora 20:30 deri në 06:00, gjatë festave të fundvitit.

Për kreun e Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, kjo masë duhej marrë, pasi grumbullimet për festa do të rrisnin patjetër infeksionin. Por, për mjekun Artan Koni është shqetësues fakti që masat i drejtohen lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe janë të njëjta në të gjithë Shqipërinë.

Pjesë nga diskutimet në studio:

Brataj: Nëse lejojmë për festa grumbullimet, do të rritet patjetër infeksioni. Edhe testimi është një thikë me dy presa. Shumë herë të del tamponi negativ dhe testi i shpejtë del pozitiv.

Koni: Më shqetëson fakti që masat priren t’i drejtohen lëvizjes së lirë të qytetarëve. Mund të mbyllet Blloku, por nuk ka kuptim të mbyllet Velipoja. Duhet të kishte kufizim sipas zonave.

Brataj: Po nuk mund t’i lësh ato hapur, se njerëzit do e çojnë aty infeksionin.

Koni: Unë infeksionin e çoj atje edhe në 10 të mëngjesit, nuk e zgjidh fakti që e vë ti kufizimin në 20:30.
Ilir Alimehmeti: Ne nuk mund të krahasohemi dot me Gjermaninë. Ne kemi situatën tonë. Kemi një situatë me transmetim komunitar me intensitet të lartë, ku shumica janë familjarë. Më tej, vende rriskuese janë restorantet, lokalet, pubet, baret dhe transporti publik, pasi frekuentohen nga shumë njerëz. Për çdo 1 person që ka qenë në protestë, ka qenë 1 mijë të ulur në kafe atë ditë. Në këtë aspekt, nëse shkojmë te vatrat e nxehta, si bare e restorante, patjetër që duhet marrë një vendim.

Brataj: U tha më parë që Blloku ishte zonë e nxehtë dhe u transformuan të gjithë te zona e TVSH, ndaj dhe nuk mund të mbyllësh një zonë në Tiranë dhe të lësh një zonë tjetër. Kapaciteti i restoranteve në drektë është thuajse i ezauruar çdo ditë, por të eliminohet darka, pasi është edhe më e gjatë. Në drekë njerëzit lëvizin shpejt për në punë, kurse në darkë rrinë me orë të tëra. Shyqyr që nuk jemi në kushtet për të bërë lock down të plotë, pasi prapë nuk e ndal dot virusin.

Gazment Koduzi: Duhen bërë më shumë testime.

Brataj: Mua më intereson të shpëtoj jetë njerëzish, testin do ta bëj kur të ketë sens, jo kur të doni ju.

Alimehmeti: Gjermania nuk ka asnjë vdekje në ekses, ndërsa ne vetëm në tremujorin e dytë të virusit kemi pasur mbi 1 mijë vdekje, që kërkon një analizë. Ndaj nuk e krahasojmë dot veten me Gjermaninë. Ne kemi ekses, ata s’kanë. Duhet të bëjmë krahasimet brenda vetes.