Pas daljes së të dhënave, specialistja e IT njoftoi eprorin te Tatimet, ora dhe data përkonin me e-maile-t për kolegun. Si kaluan në ‘katër duar’

130

E-mail-e, File dhe programe që rrodhën nga katër palë duar për të qenë në duart e miliona njerëzve me të dhënat e 690 mijë shqiptarëve.

Prokuroria e Tiranës ka bërë publike sot detaje nga hetimi për skandalin e publikimit të pagave dhe emrat e katër personave të arrestuar.

‘Balkan Web’ raporton se pas daljes së të dhënave, vetë specialistja e IT tek taimet Eni Qirjako ka njoftuar eprorin e saj se krijimi i file-t përkonte me orën dhe datën e email-it dërguar kolegut të saj.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në datë 22 dhjetor 2021 ka regjistruar kryesisht procedimin penal dhe po zhvillohen hetime, pasi dyshohet se janë konsumuar elementë të veprës penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike” si dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Objekti i hetimit lidhet me faktin se në rrjetet sociale në datë 22 dhjetor 2021, e konkretisht nëpërmjet aplikacionit “Whatsapp” është publikuar një raport në programin exel, lidhur me listëpagesat e muajit janar të vitit 2021, të pagave të punonjësve të punësuar në institucionet shtetërore dhe private.

Këto të dhëna janë shpërndarë fillimisht nëpërmjet aplikacionit Whatsapp dhe pastaj janë publikuar dhe në media. Këto të dhëna janë lehtësisht të aksesueshme nga çdo shtetas.

Me urdhrin e datës 23 dhjetor 2021, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka urdhëruar mbajtësin (administratorin) ose kontrolluesin e të dhënave kompjuterike të Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë, Institutit të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, të dorëzojë të dhënat kompjuterike të memorizuara në sistemin kompjuterik e konkretisht të të gjitha logeve që kanë loguar në sistemin e të dhënave për pagat Janar 2021. Urdhër i cili është ekzekutuar nga policia gjyqësore me procesverbal përkatës të datës 23 dhjetor 2021.

Nga aktet hetimore paraprake të administruara ka rezultuar se shtetasja e dyshuar Eni Qirjako, ka filluar punë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve më 20 korrik 2020, në pozicionin e specialistest IT.

Ajo ka rënë në dijeni të shpërndarjes së të dhënave të pagave në datën 22/12/2021. Pasi është njohur me këto të dhëna ka konstatuar se ora dhe data e krijimit të file-t në Excel përkonte me datën dhe orën që këto të dhëna ajo ia kishte dërguar kolegut të saj shtetasit Andi Agaraj.

Lidhur me këto fakte siç rezulton edhe nga aktet e dyshuara ka njoftuar eprorin e saj, drejtorin Ervin Muça, të cilit i ka bërë të qartë faktin se emri i userit nga i cili kanë dalë këto të dhëna me emrin Moza Seraj, është useri që ajo përdor në aksesimin e të dhënave nga ana e saj. Nga shtetasja Eni Qirjako është kërkuar ndryshim i userit me emrin ‘Moza Seraj’, dhe nuk është bërë.

Gjithashtu nga aktet hetimore është konstatuar se me procesverbalin e sekuestrimit të datës 23.12.2021, policia gjyqësore ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale hard diskun e kompjuterit te specialistes se IT Eni Qirjako në zyrën e saj pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Me vendimin e datës 24 dhjetor 2021 është vendosur sekuestrimi i provës materiale e konkretisht, hard diskut të kompjuterit të punonjësit Andi Agaraj. Me procesverbal të datës 24 dhjetor 2021 nga policia gjyqësore është bërë sekuestrimi i provës materiale e konkretisht hard diskut të kompjuterit të punonjësit Andi Agaraj.

Nga aktet hetimore e konkretisht referuar procesverbalit të këqyrjes së e-mailit të punës të specialistes së IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve Eni Qirjako, janë konstatuar se të dhënat e kërkuara dhe të publikuara objekt hetimi, janë dërguar nga e-maili i saj i punës, në e-mailin e punës së shtetasit Andi Agaraj në datat e mëposhtme:

Në datë 21 tetor 2020, listë pagesat e muajit shtator 2020. Në datë 25 nëntor 2020, listë pagesat e muajit tetor 2020. Në datë 25 janar 2021, listë pagesat e dhjetorit 2020. Në datë 24 shkurt 2021 listë pagesat e janarit 2021.

Më datë 29 prill 2021 listë pagesat e muajit mars dhe në datë 22 tetor 2021 listë pagesat e muajit shtator 2021. Këto të dhëna i janë dërguar nga adresa zyrtare e punës së Eni Qirjako në adresën e Andi Agarajt. Këto file siç rezulton nga këqyrja janë dërguar në programin we transfer.

Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Andi Agaraj ushtron detyrën e specialistit të IT në sektorin e rrjetit dhe infrastrukturës që nga viti 2013 në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve Tiranë.

Nga aktet e administruara është konstatuar se shtetasi Andi Agaraj, të dhënat që i ka marrë nga shtetasja (kolegia) Eni Qirjako, të nxjerra nga databaza e “Sistemit CATS”, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë, ia ka dhënë shtetasit Klodian Sota.

Shtetasi Klodian Sota ia ka dhënë materialet e marra nga kolegia Eni Qirjako në të gjitha rastet kundrejt vlerës 20 000 lekë sa herë që ai i ka dhënë të dhënat e kërkuara.

Nga hetimi është konstatuar se këto të dhëna pasi shtetasja Eni Qirjako, ia kalonte në e-mail në programin We Transfer, i ka shkarkuar në kompjuterin e tij të punës dhe pastaj i ka kopjuar në CD, dhe ia ka dërguar dorazi në periudha të ndryshme kohore shtetasit Klodian Sota.

Nga aktet e administruara konstatohet se shtetasi Klodian Sota, të dhënat e pagave të nxjerra nga databasa e “Sistemit Cats”, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë, të marra nga shtetasi Andi Agaraj, punonjës i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ia ka dhënë shtetasit Endri Ikonomi kundrejt një shpërblimi prej 20 000 deri në 30 000 lekë.

Gjithashtu nga veprimi hetimor është konstatuar se me procesverbalin e sekuestrimit të datës 28 dhjetor 2021, policia gjyqësore ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale në banesën e shtetasit Klodian Sota një Hard Disk të jashtëm, në të cilin dyshohet se gjenden të gjitha të dhënat e pagave të nxjerra nga databaza e “Sistemit CATS”, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë, të marrë nga shtetasi Andi Agaraj.