3-vjeçari humbi jetën në Fier, familjarët protestë para Prokurorisë: Zbardhni ngjarjen!

71

Familjarët e 3-vjeçarit, i cili humbi jetën tragjikisht në një kopësht privat në qytetin e Fierit, kanë dalë sot në protestë përpara Prokurorisë, të cilës i kanë kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike, ndërsa kanë kërkuar edhe që të takohen me strukturat përkatëse të drejtësisë, të cilat po merren me hetimin e çështjes.

Ata kanë kërkuar që të zbardhet ngjarja, se si ka humbur jetën fëmija në kopësht.

Më tej, familjarët e 3-vjeçarit kanë deklaruar se u kanë thënë se kopshti ka kamera sigurie, që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes, por kur ata kanë shkuar për të marrë pamjet, u kanë thënë që nuk punonin.

Ngjarja e rëndë ndodhi tre ditë më parë në një prej kopshteve private të qytetit të Fierit, ku fëmija 3-vjeçar ndërroi jetë në rrethana të pazbardhura.

Nga ekspertiza rezultoi që 3 vjeçari kishte mbërritur i vdekur në spital.

Një ditë pas ngjarjes, policia ka ndaluar edukatoren e kopshtit, Redina Binjaku 27 vjeçare, me akuzën se ishte treguar e pakujdesshme ndërkohë që fëmija i mitur ishte nën përgjegjësinë e saj.