Presidenti Joe Biden do të kërkojë sot gjatë një fjalimi në shtetin e Xhorxhias, ndryshimin e rregullave të votimit në Senat, që kanë bllokuar një ligj për të drejtën e votës, duke thënë se ka ardhur koha të zgjedhim mes “demokracisë dhe autokracisë”.
Presidenti Biden ka zgjedhur Xhorxhian, vendlindjen e Martin Luther Kingut, për fjalimin. Kryetari i shumicës republikane ne Senat, Chuck Schummer, ka caktuar 17 janarin, ditën kur Shtetet e Bashkuara nderojnë Martin Luther Kingun si afat për të miratuar ligjin për votimin, ose përndryshe do të kërkojë rishqyrtimin e rregullave të votimit në Senat.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Biden do të mbështesë ndryshimin e rregullores së Senatit, që i mundëson palës kundërshtare të bllokojë çdo ligj, që nuk ka 60 vota, në mënyrë që ligji për të drejtën e votës të miratohet.
Deri tani demokratët nuk kanë qenë të gjithë të bashkuar për ndryshimin e rregullore së senatit.
Aktivistët që mbrojnë të drejtën e votës, kanë shprehur shqetësime për një sërë ligjesh të miratuara nga republikanët në shtetet që kontrollohen prej tyre, të cilat, sipas aktivistëve, e bëjnë më të vështirë procesin e votimit.
Pas humbjes së ish-presidentit Trump në zgjedhje dhe pas përpjekjeve të tij për të përmbysur rezultatet, në mungesë të provave për manipulime, ligjet janë ndryshuar në 19 shtete.
Xhorxhia, një nga shtetet përcaktuese të zgjedhjeve presidenciale të 2020, ishte në qendër të përpjekjeve për ndryshimin e rezultatit, ndërsa në mes të numërmit të votave, Presidenti Trump i kërkoi një zyrtari elektoral të shtetit, të “gjente” vota të mjaftueshme për të përmbysur humbjen e tij.
Vitin e kaluar republikanët i ndryshuan ligjet elektorale të Xhorxhias, mes të tjerave, duke i dhënë të drejtë Komisionit Elektoral të Shtetit të ndërhyjë në zonat elektorale për të zëvendësuar zyrtarët zgjedhorë. Kjo ka shtuar shqetësimet se Komisioni i kontrolluar nga republikanët mund të ndikojë mbi zyrtarët zgjedhorë dhe mbi procesin e çertifikimit të rezultatit.
Projekt-ligji i përgatitur nga demokratët do të krijonte standarte mbarë-kombëtare votimi, duke shfuqizuar kështu ligjet e shteteve të veçanta.
Por për të miruatuar ligjin, të cilin republikanët e kundërshtojnë, ata duhet të ndryshojnë rregullat e votimit në Senat, të ashtuquajturin “filibuster”, ku 41 senatorë mund të bllokojnë çdo ligj. Republikanët kanë 50 vende në Senatin me 100 anëtarë./VOA