Me armë në avion, arrestohet në Rinas 51-vjeçari

69

Një 51-vjeçar është arrestuar në aeroportin e Rinasit pasi në valixhen e tij është gjetur një pistoletë dhe 125 fishekë.

Policia njofton se në pranga është vendosur shtetasi Renato Hajmeli. Ai ishte nisur nga SHBA në Shqipëri.

Autoritetet kryen një kontroll të imtësishëm në valixhen e 51-vjeçarit ku gjetën një pistoletë dhe 125 fishekë.

Njoftimi i policisë:

Policia Kufitare parandalon dhe godet një rast të tentativës për të futur armë zjarri në Shqipëri.

Arrestohet në flagrancë 51-vjeçari që udhëtoi drejt vendit tonë, me armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak me vete.

Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, si rezultat i shtimit të kontrolleve, si në hyrje dhe në dalje, më qëllim kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që mbajnë sende të kundërligjshme me vete, kanë kaluar për kontroll më të imtësishëm, valixhen e shtetasit R. H., i cili ishte nisur nga SHBA për në Shqipëri.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në valixhen e këtij shtetasi, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë dhe 125 fishekë.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Rinas u arrestua në flagrancë shtetasi R. H., 51 vjeç, banues në Tiranë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Armëmbatja pa leje”.