Lulzim Basha: Unë po sakrifikohem, duke qëndruar në krye të PD! Ky nuk është privilegj, e bëj për demokratët

121

Lulzim Basha, ka dhënë një deklaratë për mediat, pas daljes nga Prokuroria, ku është pyetur për ngjarjet e 8 janarit.

Ai deklaroi se po sakrifikon duke qëndruar në krye të PD dhe këtë sakrificë po e bën për demokratët, sepse qëndrimi në krye të partisë, nuk është privilegj.

“Qëndrimi si kryetar i PD, nuk është privilegj, por sakrificë”, tha ndër të tjera Basha.

Kujtojmë se Lulzim Basha u shkarkua në Kuvendin e 11 dhjetorit nga shumica e delegatëve të Partisë Demokratike, por nuk e njeh këtë Kuvend dhe vijon të qëndrojë si kryetar i PD. Ai organizoi një Kuvend tjetër, një javë pas shkarkimit, ku deklaroi se në sallën e Pallatit të Kongreseve ishin 5004 delegatë edhe pse kjo sallë mund të strehonte jo më shumë se 2 mijë persona.

Gjatë prononcimit pas daljes nga prokuroria, Basha shtoi se ka kërkuar hetim të plotë të ngjarjeve së 8 janarit, ku në selinë e PD, mbështetësit e Berishës thyen dyer dhe xhama, ndërkohë që njerëz nga brenda selisë ushtruan dhunë barbare ndaj protestuesve, me shkopinj dhe lëndë kimike ende të paidentifikuara.

Kam kërkuar hetimin e plotë dhe inkurajoj organet e drejtësisë të bëjnë hetimin e plotë dhe të gjithëanshëm. Ishte organizim i planifikuar, tentativë vrasje mes demokratëve, për interesa të ngushta personale, me autorë një grup të strukturuar kriminal, që nuk janë demokratë“, tha ndër të tjera Basha.