“Çmimet janë rritur me 6.4%, inflacioni arriti normën më të lartë në 11 vite”/ Xhixho: Qeveria të ketë prioritet shtresën e varfër me politika dhe masa konkrete

94

Deputetja e LSI, Erisa Xhixho, me anë të një shkrimi në rrjete sociale thotë se një shqetësim i madh për shqiptarët është rritja e çmimeve për produktet e shportës, shoqëruar kjo, edhe me rritjen e çmimeve për karburantet dhe energjinë elektrike për biznesin e madh.

Xhixho thotë, se brenda një viti janë rritur me 6.4% çmimet, e inflacioni sipas saj arriti normën më të lartë në 11 vite me 3.7%. Xhixho thekson më tej, se qeveria duhet të ketë prioritet shtresën e varfër dhe mbrojtjen e tyre me politika sociale.

Postimi i Erisa Xhixhos:

Prej muajsh shqetësimi i madh i familjeve është bërë rritja e ndjeshme e çmimeve të produkteve të shportës, shoqëruar me rritjen e çmimit të karburantit e së shpejti edhe të energjisë elektrike për biznesin e madh, që do ndikojë direkt te konsumatori.

Brenda një viti çmimet janë rritur me 6.4%, e sipas INSTAT inflacioni arriti normën më të lartë në 11 vite, 3.7%.

Ushqimet përbëjnë 40% të kostos së një familjeje mesatare. Me këtë rritje çmimesh, që pritet të vazhdojë në muajt që vijnë, më shumë se gjysmën e të ardhurave familjet do ta shpenzojnë për ushqime.

Kjo përkthehet në varfëri për shtresën e mesme e të varfër, që mbeten sërish vetëm, në këtë situatë pandemie, dhe pa asnjë mbështetje nga qeveria.
Qeveria që deklarohet e majtë as e ka në prioritetet e saj shtresën e varfër dhe mbrojtjen me politika sociale. Kjo maxhorancë kujdeset vetëm të financojë nga buxheti
i shtetit PPP dhe oligarkët pranë saj.

Kryeministri, që së fundi zgjedh të bëjë edhe vetë pazar, teksa shfaqet duke blerë domate, duhet ta dijë se shtresa e varfër përballet me çmime absurde në treg, që nga qepa 70 lekë për kg te sallata jeshile 180 lekë e spinaqi 250 lekë.
Varfëria dhe mungesa e shpresës nuk luftohet me propagande, por me politika e masa konkrete.