Vrau fqinjën, rrëfehet vrasësi: Më kishte 60 mijë lekë borxh nga mbarështimi i tufës së bagëtive, shkova t’ia kërkoja lekët, por…

119

Zbardhet dëshmia e dhënë në polici nga Fetah Marra, i cili ka deklaruar se e vrau 63-vjeçaren Fatime Suli pasi i kishte borxh 60 mijë lekë të vjetra, si rezultat i mbarështimit të bagëtive.

Sipas Marrës, i gjithë fshati i mbarështonte tufat e dhive me tre cjapët e tij të racës dhe për çdo mbarështim i paguanin atij 5000 lekë (të vjetra).

Fatimeja më kishte 60 000 mijë lekë (të vjetra) nga mbarështimi i tufës së saj dhe unë shkova për t’ja kërkuar. Kur shkova atje e pashë shumë afër duke biseduar me një bari tjetër, Izetin, dhe u largova. U ktheva përsëri 1-orë më vonë, isha i pirë dhe pasi e pashë vetëm iu afrova dhe i kërkova lekët. Ajo filloi të bërtiste e të më gjuante me gurë dhe unë e kapa nga prapa në fyt dhe e shtrëngova. Pas disa sekondash ajo ra në tokë pa ndjenja. E shkunda disa herë dhe kur e pashë që nuk po merrte frymë e kuptova që kishte vdekur. Nga frika se mos me zbulonin, e tërhoqa zvarrë disa metra për ta hedhur në një kanal në afërsi të serave të saj dhe e mbulova mirë me gjethe e rrozga, duke shpresuar që do ta gjenin me vonesë dhe nuk do më fajësonin mua. U largova me vrap mes për mes tokave dhe shkova në shtëpi, kur më doli pija dhe po kujtohesha as vetë nuk e besova që e gjithë kjo kishte ndodhur me të vërtetë deri në momentin që erdhi policia dhe më morën me furgon”-, mësohet se ka thënë në dëshminë e tij në polici vrasësi Fetah Marra raporton “News 24”.

Autori i ngjarjes ka hedhur poshtë aludimet se ka tentuar të abuzojë me viktimën, duke pretenduar se gruaja u gjend e zhveshur nga mesi e poshtë pasi tutat iu hoqën në momentin kur po e tërhiqte zvarrë për ta hedhur në kanal.