Berisha “non grata”, Escobar: E papranueshme që ai të jetë fytyra e ndonjë partie

71

Zv.ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar ka dhënë një intervistë për Reporteri.net. I pyetur për vendimin e DASH për të shpallur non grata Sali Berishën, ai ka thënë se ish-kryeministri nuk mund të jetë fytyra e ndonjë partie politike.

Vendimi i administratës së Biden-it për sanksionimin e ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës, e ka shtyrë këtë parti në krizë të thellë. Berisha po pretendon eliminimin e kryetarit aktual, Lulzim Basha dhe rikthimin e tij në krye të partisë. Cili do të jetë qëndrimi amerikan nëse demokratët shqiptarë të vendosin ta ndjekin këtë rrugë?

“Presidenti Biden e ka bërë të qartë. Sekretari Blinken e ka bërë të qartë. Shtetet e Bashkuara do t’ju kërkojnë llogari të gjithë atyre njerëzve për angazhim në vepra të mëdha të korrupsionit ose në përpjekje për minimin e demokracisë anembanë botës dhe në mënyrë specifike në Ballkanin Perëndimor. Nuk është normale dhe nuk është e pranueshme që një person, i sanksionuar për vepra të mëdha të korrupsionit të jetë fytyra e ndonjë partie. Dhe në këtë aspekt, e kemi bërë të qartë që nëse Partia Demokratike ose ndonjë parti tjetër udhëhiqet apo përfaqësohet nga ndonjë person, i sanksionuar nga Sekretari i Shtetit për vepra të mëdha të korrupsionit, atëherë nuk mund të pritni marrëdhënie normale”, thotë Escobar.