Rritja e infektimeve dhe frika nga Omicron, Ministrja e Shëndetësisë: Ja si shfaqet situata e pandemisë në vend

154

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije se situata e pandemisë në vend është e qëndrueshme pavarësisht rritjes së shifrave si pasojë e infektueshmërisë të lartë të variantit Omicron. Nga Poliklinika e Vlorës, ku mori pjesë në inaugurimin e disa pajisjeve të reja mjekësore për matjen e densitetit kockor, Manastirliu, i bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen dhe të aplikojnë dozën e tretë.

Gjithashtu ministrja kërkoi nga mjekët që të flasin me qytetarët dhe ti këshillojnë për bërjen e vaksinës në mënyrë që të heqin dorë nga teoritë konspirative.

“Viti i shkuar ka qenë i vështirë, edhe ky vit që ka hyrë me rritjen e rasteve me Omicron, me çfarë shihet ka një situatë e cila është e qëndrueshme, por falë vaksinimit ia kemi dalë. Duhet të vijojmë ta bëjmë këtë detyrë ndaj popullatës, të rrisim mbulesën vaksinale edhe për të siguruar që ju që jeni të shëndetshëm të siguroni kujdesin mjekësor për ta, sepse jeni të mbrojtur tashmë me dozën e tretë.

Por edhe ata të cilët nuk e kanë bërë vaksinën, apo nuk kanë marrë dozën përforcuese të mund të binden se ju mund ta bëni këtë. E di çfarë besimi kanë qytetarët te mjeku kur mjeku e shpjegon dhe nuk dëgjojnë ato historitë konspirative”, tha Manastirliu.