Sot prokuroria kërkoi 12 vjet burg/ Kur ambasada e SHBA e quante dënimin e Tahirit me “shërbim prove” si vendim shkurajues

140

Në janar të vitit 2020, ambasadori i SHBA Donald Lu deklaronte se kishte raporte serioze për presione dhe rryshfet para shqyrtimit në apel të masës së sigurisë për ish-ministrin Saimir Tahiri. Asokohe, Lu kërkoi që vendimi të jepej “mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presionet”.

 

 

Ku foli hapur se kishte raportime se gjykatësve u ishte ofruar rryshfet. Pavarësisht se nuk e bëri përgjegjës direkt Tahirin, aludimi i diplomatit amerikan ishte i hapur.

Ky qëndrim por dhe të tjera të mëpasme, e shtynë ish-ministrin e Brendshëm të lobonte me 20 mijë USD tek një kompani amerikane për nevojën që kishte që “personeli i Ambasadës së SHBA të mos komentonte gjatë procesit gjyqësor të të huajve”.

Pavarësisht lobimit të ish-ministrit, ambasada nuk ndenji e heshtur.

Ish-Ministri i Brendshëm që u akuzua për trafik ndërkombëtar nakotikësh, u dënua fillimisht nga ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda me 5 vjet vetëm për shpërdorim detyre.

Pas vendimit, në shtator të vitit që shkoi, ambasada e SHBA përgëzoi gjetjen fajtor të tij si shenjë pavarësie e gjyqësorit, por e cilësoi dënimin shkurajues. “Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat”, shprehej ambasada.

Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj, të afërm të Tahirit. Prokuroria e akuzoi atë për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.

Në shtator 2019, Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Vendimi i shkallës së parë u prish nga Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila e riktheu çështjen për rishqyrtim. Pas një kalvari të gjatë juridik, gjykata e Lartë e riktheu shtatorin e kaluar çështjen për rigjykim në Apel. Prokuroria e Apelit kërkoi sot 12 vite burg për ish-ministrin, i cili nga ana e tij kërkon pafajësi. Vendimi pritet të merret brenda pak ditësh.