Buxheti i Bashkisë së Vlorës për vitin 2022 është miratuar unanimisht në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak. Buxheti i rrëzuar më parë nga zyra juridike e Prefekturës u rikthye dhe u rivotua po në Këshill Bashkiak. Anëtarët e këtij këshilli thanë se nuk kishin asnjë orientim politik për të rrëzuar buxhetin dhe se argumentet e ngritura nga institucioni i Prefektit të Qarkut nuk qëndronin.
Mësohet se mes katër kërkesave për buxhetin e rikthyer u ndryshua vetëm pika e parë, ajo e emërtimit të paketës fiskale.
Siç duket përplasja e cila u tentua të shitet si “politike” rezulton të mos jetë e tillë.
Dy vite me parë, një kompani e themeluar nga prefekti i Vlorës Flamur Mamaj, e cila tashmë ka kaluar në disa duar, por që punon ende bashkëshortja e tij Arta Mamaj u shpall fituese e tenderit “Për ruajtjen e objekteve të Bashkisë Vlorë”, duke përfituar fonde publike me vlerë 92.000.000 lekë të reja.
Por, kontrata e parashikuar për këtë vit e buxhetit të bashkisë me vlerë 43.000.000 i është hequr, duke ia kaluar sipas ligjit Illyrian Guard.
Zyra juridike e Prefekturës e cilësoi të paligjshëm buxhetin e miratuar në Këshillin Bashkiak të Vlorës, duke renditur disa argumente, sipas saj, për kthimin dhe rishqyrtimin e buxhetit.
Institucioni i Prefektit argumentonte se emërimet e tarifave, pastrimi, ndriçimi dhe gjelbërimi për bizneset me të ardhura nga 0-8 mln lekë bien ndesh me ndryshimet e miratuara në paktën fiskale miratuar në nëntor të 2021.
Gjithashtu sipas prefektit, buxheti i parashikuar për pastrimin në qytet ishte më i ulët se në vitin paraardhës, duke mos reflektuar rritjen e taksës së pastrimit më 40-70 % për kategori të ndryshme të biznesit.
Një tjetër aspekt, që sipas prefektit buxheti është i paligjshëm lidhet me mos përmbushjen e detyrimit ligjor për mirëmbajtjen e tokës bujqësore.
Pika e fundit është ajo që lidhet me zërin e shpenzimeve, ku sipas prefektit, nuk janë përfshirë detyrimet ndaj kreditorëve dhe furnitorëve.
Bashkia nuk ka reagoi për këtë situatë, ndërsa buxheti u shqyrtua dhe u miratua në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak.