Shihni fytyra kudo dhe duken si meshkuj të rinj? Njihuni më mirë me pareidolinë

137

Ecën rrugës dhe një trung peme të ngjason me një portret kërcënues, ul kokën dhe pellgu aty pranë duket sikur përmban një hije të mistershme, e ngre lart dhe reja ka format e një personazhi të filmave vizatimorë? Asgjë për t’u shqetësuar, sepse i ndodh pjesës më të madhe të njerëzve.

Dukuria për të identifikuar fytyra njerëzore ose kafshësh në sende ose peizazhe natyrore, studiohet prej kohësh nga shkencëtarët, që i kanë dhënë fenomenit termin pareidoli.

Një hulumtim i fundit të Universitetit të Merilandit, i botuar nga Akademia e Shkencave amerikane, jep tashmë detaje të reja dhe interesante.

Studimi ka përfshirë pothuajse 4 mijë persona të rritur, të cilëve u janë bërë pyetje të ndryshme mbi perceptimin e disa prej këtyre figurave. Jo pa habi, 80% të kampionit ka rrëfyer se fytyrat perceptoheshin si meshkuj të rinj.

Në 34% së të intervistuarve, fytyrat tregonin argëtim dhe lumturi, në 19% pamje neutrale, ndërkohë që në pjesën tjetër ishin të trishtuara ose kërcënuese.

Sipas autorëve të studimit, rezultatet tregojnë se elementet e nevojshme për iluzionin e perceptimit të një portreti njerëzor, nuk mjaftojnë për evidentimin e një fytyre femërore”, dhe si pasojë një portet i ri mashkullor mund të cilësohet si “portreti më i thjeshtë në komunikimin social”.

Pse kjo ndodh, ende nuk dihet me saktësi. Sipas hulumtuesve të universitetit të Sidneit, në Australi, pareidolia mund të jetë pjesë e mekanizmit të mbijetesës që trashëgojmë nga kafshët, që na ndihmon për të kuptuar fytyrat që janë miqësore nga ato që përbëjnë rrezik në një kohë të shpejtë.

Edhe pse një eksperiencë e tillë ndodh në pjesën më të madhe të njerëzve, raste ku përditshmëria kthehet praktikisht në një botë plot fytyra që na rrethojnë, mund të jenë edhe indicie e një problemi më serioz, si për shembull skizofrenia.