Moti i keq, probleme me energjinë elektrike në disa zona të vendit

120

Moti i keq me reshje debore dhe stuhi ere ka shkaktuar problematika me furnizimin me energji elektrike në disa zona të vendit si në Korçë, Burrel, Kukës, Lezhë ,Shkodër ,Has ,Tropojë

Moti i keq gjatë 24 orëve të fundit me reshje bore dhe stuhi ere në zonat verilindore ka shkaktuar problematika në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në disa zona të vendit. Sipas OSHEE gjatë orëve të fundit nënstacioni i Korçës pësoi avari duke sjellë mungesë të energjisë për disa zona të qytetit si dhe në zonat e Dardhës e Voskopojës, por pas ndërhyrjeve të brigadës së OSHEE situata u normalizua brenda 2 orësh.

Brigada e Tensionit të Lartë të OSHEE-së ka nisur drejt Korçës një transformator të ri, për ta vënë në punë dhe stabilizuar situatën brenda paradites së ditës së mërkurë. Po sipas OSHEE mësohet se moti i keq ka shkaktuar defekte edhe në zonat e Burrelit, Kukësit, Lezhës ,Shkodrës ,Hasit dhe Tropojës.

Defektet më të shumta janë shkaktuar në zonat rurale, ku nga raportimet e punonjësve në terren, mësohet se janë këputur përcjellësa, janë dëmtuar kabllo e shkarkuesa për shkak të motit të keq.