Elisa Spiropali: Luli me Saliun janë bir e babë. PD ka mundësinë të shpëtojë duke u vënë shqelmin dy të marrëve

154

Ministrja Elisa Spiropali ka reaguar për koalicionin LSI-Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit për zgjedhjet e 6 marsit ndërsa nuk ka lënë pa ironizuar Sali Berishën me Lulzim Bashën.

“Partia Demokratike ka shansin historik të shpëtojë përgjithnjë nga Sali Nongrata, por Lulzim Basha nuk ka asnjë shans praktik që ta shpëtojë veten duke shqelmuar Saliun”, shkruan Spiropali.

Ndër të tjera i cilëson si babë e bir që janë e shkuara e Shqipërisë. Spiropali thekson se PD ka mundësinë të shpëtojë duke u vënë shqelmin të dyve.

“Luli me Saliun jane bir e babë, bashkëfajtorë dhe bashkëpërfitues. Ata janë e shkuara nga e cila Shqipëria ka shpëtuar dhe tani edhe PD ka mundësinë të shpëtoje, duke u vënë shqelmin të dy të marrëve, babës së lajthitur dhe birit dështak”, shkruan Spiropali.

Reagimi i Spiropalit erdhi pasi PD e konsideroi një koalicionin si “partia e vjetër Meta-Berisha-Rama” dhe sipas të cilës, “simbolizon korrupsionin, politikën e vjetër, lajmet e rreme e dezinformimin”.

Në një deklaratë për mediat, PD thotë se partia e vjetër “Meta-Berisha-Rama” ka dy qëllime:

1.Të dëmtojë PD-në dhe demokratët.

2.Të bëhet strehë mbrojtëse për Metën dhe Berishën.

Kandidimi në Dibër i bashkëshortit të prokurores që mbrojti bandën e Edi Ramës, duke mos hetuar dosjen 184 të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër, është provokim i rëndë për çdo demokrat dibran që masakrën zgjedhore e provuan të parët në 2016”, thotë PD.

Sipas saj, Premtim Kryemadhi mund të jetë kushëriri i Monika Kryemadhit, mund të jetë edhe bashkëshorti i prokurores që mbrojti dhe shpëtoi nga burgu Edi Ramën dhe bandën e tij, por me PD-në dhe demokratët nuk ka asnjë lidhje.

Kandidimi i tij shpjegon më së miri edhe komunikimin privat të Flamur Nokës dhe Ulsi Manjës. Kandidatin e koalicionit “Non-Grata” e kanë zgjedhur bashkërisht. Ulsi Manja, nëse bashkëshortja e kandidatit të Flamur Nokës në Dibër do të zbatonte ligjin dhe do hetonte dosjen 184, do ishte në burg dhe jo në krye të Ministrisë së Drejtësisë”, citohet nga deklarata e PD-së.

Lëvizja Socialiste për Integrim dorëzoi sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e lirisë” në zgjedhje e 6 marsit. Pjesë e koalicionit do të jetë LSI, PD e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit dhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës.