Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Presidentit për përjashtimin e trupës gjyqësore

122

Gjykata Kushtetuese të sot hodhi poshtë kërkesën e Presidentit të Republikës Ilir Meta për përjashtimin e trupës që shqyrton shkarkimin e këtij të fundit në Gjykatë Kushtetuese, me argumentin se një kërkesë e tillë nuk është e bazuar në Kushtetutë.

Në vendimin e saj, gjykata thekson se asnjë gjyqtar nuk paraqiti kërkesë për heqjen dorë nga shqyrtimi i çështjes. Sipas saj, shkaqet e pretenduara nga institucioni i presidentit ndaj kryetares Vitore Tushaj janë të pabazuara në Kushtetutë. Me të njëjtin pretendim, gjykata vendosi edhe për kërkesat e ngritura ndaj anëtarëve të kësaj gjykate.

Kujtojmë se përfaqësuesit ligjor të presidentit Ilir Meta kërkuan ditën e sotme përjashtimin e trupës që po shqyrton shkarkimin e tij në Gjykatën Kushtetuese, me argumentin se nuk mund të jenë të paanshëm.

Sipas përfaqësuesit ligjor të presidentit, Bledar Dervishaj, tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese: Vitore Tusha, Përparim Kalo dhe Fiona Papajorgji, duhet të japin dorëheqjen nga shqyrtimi i kësaj çështjeje pasi kanë konflikt interesi.

Dervishaj tha se kryetarja e gjykatës Kushtetuese është në detyrë 5 vite përtej mandatit të saj, ndërkohë që gjyqtari Përparimin Kalo relator është caktuar pa short që është në shkelje të kushtetutës.

Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të qëndrojë kaq shumë përtej mandatit, pasi krijon një situatë të palogjikshme dhe konsumon gjysmën e mandatit të anëtarit tjetër”, tha përfaqësuesi ligjor i Metës.

Në këto kushte sipas Dervishajt, kjo trupë nuk mund të gjykojë me paanshmëri këtë çështje.

“Presidenti ka humbur gjithë besimin në këtë trupë gjyqësore”, tha Dervishaj.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e mazhorancës, Klotilda Bushka i kërkoi trupës gjykuese ta rrëzojë kërkesën për përjashtimin e kësaj trupe nga shqyrtimi i çështjes, duke e cilësuar analizën e përfaqësuesit ligjor të Metës hipotetike.

Gjykata vendosi të tërhiqej për ta shqyrtuar kërkesën e Presidentit, të cilën vetëm pas disa minutash vendosi ta hedhë poshtë me argumentin se një kërkesë e tillë nuk është e bazuar në Kushtetutë.

Presidenti i Republikës refuzoi të jetë i pranishëm në seancë dhe përfaqësohet nga avokatët Kaltrina Treska dhe Bledar Dervishaj.

Në qershor të vitit te kaluar, 104 deputetë votuan pro shkarkimit të Presidentit Meta. Mazhoranca socialiste e fajëson atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, të cilat sipas socialisteve kanë shkelur Kushtetutën.

Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga komision hetimor i ngritur për të hetuar qëndrimin e Presidentit Meta para dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare 2021.

Meta e ka konsideruar të paligjshëm vendimin për shkarkimin e tij. Por përmes një postimi në faqen e vet në Facebook mëngjesin e sotëm, kreu i shtetit lajmëroi se avokatët e tij do të paraqiten në seancën e Gjykatës Kushtetuese ku pritet të shqyrtohet kërkesa e parlamentit.