Balla argumenton në Kushtetuese vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Metës si President i Republikës

169

Kryetari i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla të martën ishte i pranishëm në seancën e Gjykatës Kushtetuese ku po diskutohet mbi kërkesën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Si përfaqësues i Kuvendit, Balla argumentoi vendimin për shkarkimin e Presidentit nga detyra, duke theksuar se ky i fundit ka kryer aktivitet politik dhe ka dëmtuar imazhin e vendit.

Meta ka kryer aktivitet politik. Meta dëmtoi imazhin e Shqipërisë. Ky është procesi i parë në histori, që gjykohet një president. Procedura e shkarkimit është e nevojshme për shkak të barazisë së të gjithëve para ligjit. Mbështeti forca të tjera politike, nxiti dhunë dhe sulmoi institucionet kushtetuese. Vënia në lëvizje e kësaj strukture për shkarkimin e Presidentit nuk është problematike. Presidenti ka funksion mbi palët, por mori pjesë aktive në zgjedhje. Kuvendi nuk synon të ndëshkojë presidentin apo pozicionin, por personin që kreu shkeljen. A mundet ta për përfaqësojë unitetin e popullit një president shfaqet palë, nxit dhunë, ndikon në vendimmarrjen e institucioneve, sulmon gjykatën kushtetuese. Kushtetuta parashikon që Presidenti të përfaqësojë unitetin e popullit”, tha Balla.

Në qershor të vitit të kaluar, 104 deputetë votuan pro shkarkimit të Presidentit Meta. Mazhoranca socialiste e fajëson atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, të cilat sipas socialisteve kanë shkelur Kushtetutën.

Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga komision hetimor i ngritur për të hetuar qëndrimin e Presidentit Meta para dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare 2021.

Meta e ka konsideruar të paligjshëm vendimin për shkarkimin e tij. Por përmes një postimi në faqen e vet në Facebook mëngjesin e sotëm, kreu i shtetit lajmëroi se avokatët e tij do të paraqiten në seancën e Gjykatës Kushtetuese ku pritet të shqyrtohet kërkesa e parlamentit.