Shpejtësi dhe tragjedi/ Familjet shqiptare që u shuan në aksidentet e rënda vitet e fundit

106

Tre viktima dhe tre të plagosur mes të cilëve 1 fëmijë në intubim është bilanci tragjik i një aksidenti të rëndë që u regjistrua mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Elbasan-Librazhd.

 

 

Një automjet tip ‘Mercedes Benz’ me 6 persona, anëtarë të një familje nga Kukësi, është përplasur me një tjetër makinë tip “Ford” dhe për pasojë drejtuesi ka humbur kontrollin duke përfunduar në lumin Shkumbin.

Menjëherë pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, zjarrfikësit kanë arritur të shpëtojnë tre prej personave të përfshirë në aksident, mes tyre edhe një fëmijë, ndërsa disa orë më vonë me ndihmën e polumbarëve të RENEAS kanë bërë të mundur edhe nxjerrjen e tre trupave të pajetë nga automjeti tip “Benz”.

19 shkurt 2018 – Humb jetën babai me tre fëmijët, mbijeton bashkëshortja:

Një aksident i rëndë ndodhi në 19 shkurt të vitit 2018 në aksin rrugor Shkodër Velipojë, ku dy automjete u përplasën me njëra tjetrën. Për pasojë mbeti i vdekur drejtuesi i njërit prej mjeteve,Edmond Preka, djali i tij 8 muajsh dhe dy vajzat e tij 5 dhe 10 vjeç. Ndërkohë e vetmja e mbiejetuar ishte bashkëshortja e Edmondit. Impakti i fortë vrau në vend Edmond Prekën dhe djalin e tij, vetëm 8 muajsh. Në spital në gjëndje kritike për jetën shkuan dy vajzat e vogla dhe bashkëshortja, e me kalimin e minutave, jetët e dy vogëlusheve janë shuar. Mjeti tip ‘Alfa Romeo’ me të cilin po udhëtonte Edmond Preka bashë me bashkëshorten dhe 3 fëmijët u përplas me një mjet tip ‘Fuoristradë’, brenda të cilit ishin Sokol Mullia dhe Andrea Gjergji. Këta dy të fundit janë po ashtu në spital të plagosur, ndërkohë që shkaqet e aksidentit mbetën mister dhe nuk u bënë asnjëherë publike.

9 korrik 2018 – Shuhet familja prej 5 anëtarësh në Kosovë, vdesin prindërit dhe tre fëmijët:

Një familje prej pesë antarësh është shuar në Kosovë, për shkak të një aksidenti automobilistik të ndodhur në afërsi të Suharekës në 9 korrik të vitit 2018. Dy prindërit dhe tre fëmijët e familjes Sadikaj, humbën jetën në vendngjarje, pasi makina e tyre u përplas me një autobus. Sipas informacioneve të mediave të kosovës prindërit dhe tre fëmijët po udhëtonin me një autoveturë tip BMW, gjetën vdekjen në aksidentin e tmerrshëm që ndodhi rreth ores 13.30 në afërsi të fshatit Biraçë të Suharekës. Familja Sadikaj po kthehej nga Zvicra, ku jetonin, për të bërë pushimet në vendlindje. Komuna e Suharekës e ka shpallur të Hënën ditë zie në kujtim të familjes prej 5 antarësh që u shua në këtë aksident të rëndë.

23 shkurt 2019 –Shuhet familja në Kosovë, vdes babai dhe dy djemtë e tij:

Një aksident rrugor i ndodhur mbrëmjen e së shtunës së 23 shkurtit të vitit 2019 në Kosovë i ka marrë jetën 3 anëtarëve të një familjeje. Sipas mediave kosovare, aksidenti ka ndodhur në fshatin Zhur të Prizrenit, ku për pasojë kanë gjetur vdekjen shtetasi Rami Sope, 50 vjeç dhe dy djemtë e tij Behar e Lumbardh Sope, përkatësisht 24 dhe 22 vjeç. Për shkak të aksidentit të rëndë, autoritetet kosovare e kanë shpallur të dielën ditë zie. Ndërkohë pas ngjarjes, Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë për kontrollin e shpejtësisë në autostradë. Aksidenti ndodhi kur mjeti me të cilin udhëtonin 3 familjarët, tip “Golf”, u përplas me një kamion që po pastronte borën. Shkak për përplasjen dyshohet të jenë bërë ngricat, që e kishin bërë aksin rrugor në nënkalimin e autostradës të rrëshqitshëm.

16 qershor 2019 – Po ktheheshin nga ditëlindja e vajzës, shuhet në një aksident tragjik familja Bibaj në aksin Tiranë – Elbasan:

Një aksident rrugor i ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të datës 16 qershir të vitit 2019 ka rezultuar tragjik për familjen Bibaj. Katër persona të kësaj familjeje kanë humbur jetën pasi automjeti me të cilin ata udhëtonin ka dalë nga rruga pasi është përplasur me bordurën në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Mësohet se ata po ktheheshin nga festa e ditëlindjes së njërës prej vajzave. Mësohet se viktimat janë kryefamiljari V. Bibaj 58-vjeç, bashkëshortja e tij F.Bibaj dhe dy vajzat  Xh.Bibaj dhe B. Bibaj, ndërsa miku i familjes A. Alia i cili drejtonte mjetin tip BMW me targa AA472 PE, ka mbetur i plagosur. Në momentin e aksidentit, zona nuk ka pasur prezencë të automjeteve të tjera duke bërë të pamundur dhënien e ndihmës së parë mjekësore për personat e aksidentuar.

14 janar 2021 – Shuhet familja kosovare në Rrugën e Kombit, vdesin prindërit me vajzën e nipin, mbijeton 3-vjeçarja:

Një familje nga Kosova u shua si pasojë e një aksidenti të rëndë në Rrugën e Kombit pasditen e datës 14 janar të vitit 2021. Blerim Avdiaj nga Prishtina, së bashku me gruan dhe vajzën humbën jetën pasi autovetura me të cilën po udhëtonin u përplas me një kamion në aksin Milot-Morinë. Bashkë me ta humbi jetën edhe një fëmijë i afërm i viktimave ndërsa mbijetoi nga aksidenti vetëm vajza 3 vjeçe e çiftit të viktimave. Shkak i ngjarjes dyshohet një parakalim i gabuar. Udhëtimi drejt Shqipërisë u kthye në tragjedi për familjen Avdiaj nga Kosova. Automjeti “Citroen” me të cilin udhëtonin u përplas me një kamion pasditen e së enjtes në Rrugën e Kombit, në aksin Milot-Morinë. Ngjarja rezultoi fatal për bashkëshortët Blerim dhe Anjeza Avdiaj 45 dhe 34 vjeç, vajzën e tyre Medina 5 vjeçe si dhe për të afërmin Klejdi Koçin. Për fat të mirë nga aksidenti tragjik shpëtoi vajza e dytë e familjes, Violeta 3 vjeçare. Sa i përket ngjarjes dyshohet se shkak ishte lëvizja tej normave të lejuara dhe parakalimi i gabuar i drejtuesit të mjetit “Citroen”, Blerim Avdiaj.

25 qershor 2021 – Shuhet familja Gushi në autostradën Fier-Vlorë, vdes babai, nëna dhe dy vajzat:

Eduard Gushi, emigrant prej 2 vitesh në Eduard Gushi, u kthye në shtëpi bashkë me familjen e tij, bashkëshorten Silvanën dhe dy vajzat 14 dhe 9 vjeç, Anastasia dhe Eva. Pas hapjes së kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë, ata erdhën për të pushuar disa ditë në Vlorë, por ky fatkeqësisht ishte udhëtimi i fundit. Makina e tyre, “Toyota” me targa greke është goditur me forcë të jashtëzakonshme nga një “Audi” me targa shqiptare, ndërsa udhëtonte në autostradën Fier-Vlorë, pranë kripores. Nga goditja mjeti ka dalë nga rruga i shkatërruar tërësisht.Dëshmitarët, policia e më pas ekipet e emergjencës e patën të vështirë të nxirrnin me radhë, të pajetë, të gjithë pjesëtarët e familjes Gushi. Në banesën e tyre në fshatin Dukas në Patos nuk banon askush. Sipas policisë asokohe bënte me dije se nga përplasja janë lënduar edhe tre të rinj që udhëtonin me mjetin “Audi”. Edhe ata udhëtonin për të pushuar me Vlorë dhe janë Igli Madani, Fabio Lamaj dhe Glori Selimi. Igli Madani drejtuesi i mjetit u arrestua nga policia.

13 tetor 2021 –Shuhet familja që kthehej nga dasma në aksin Levan-Tepelenë, vdesin vëllezërit dhe nusja e njërit prej tyre:

Një aksidenti rëndë me pasojë vdekjen e tre personave ka ndodhur në aksin Levan-Tepelenë në 13 tetor të vitit të kaluar, ku një automjet tip “Suzuki” ka përfunduar në kanal, në fshatin Varibop dhe viktima në aksident kanë mbetur tre pjesëtarë të një familjeje, ndërsa mësohet se ishin duke u kthyer nga një dasmë. Makina me targa IHZ1755 dyshohet se ka dalë jashtë rrugës gjatë orëve të mbrëmjes, pasi drejtuesi Fisnik Murataj ka humbur kontrollin. Mësohet se viktimat, dy vëllezër dhe nusja e njërit prej tyre, janë pjesë e familjes Murataj nga fshati Kute e Mallakastrës.

15 nëntor 2021 – Shuhet familja shqiptare me 3 anëtarë në Greqi, mbijeton djali 17-vjeçar:

Një aksident tragjik që i mori jetën 3 anëtarëve të një familje shqiptare ndodhi në 15 nëntor të vitit të kaluar në Greqi. Ngjarja ndodhi në qytetin e Domokous. Mësohet se makina ku udhëtonte familja shqiptare është përplasur kokë më kokë me një kamion me çisternë. Mediat greke raportojnë se për pasojë nga përplasja fatale kanë ndërruar jetë babai 46-vjeçar, gruaja e tij 43 vjeçe dhe vajza e tyre, 22 vjeçe. I vetmi i mbijetuar, është djali 17-vjeçar, i cili ka mbetur i plagosur, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.