Ndalohen qeset plastike

107

Nga 1 qershori do të ndalohet përdorimi i të gjitha qeseve plastike në vend.

Qeveria ka sjellë për shqyrtim në Parlament disa ndryshime në ligjin për menaxhimin e mbetjeve, që synojnë të heqin nga qarkullimi të gjitha format e plastikës mbajtëse, duke vendosur ndëshkim me gjobë nga 1 milion deri në 1,5 milionë lekë për prodhuesit apo importuesit e tyre. Shqipëria përdor mesatarisht 3,2 miliardë qese plastike në vit, një pjesë e madhe e të cilave përfundojnë në lumenj dhe në det, duke u bërë ndër ndotësit kryesorë të mjedisit.

Për deputetin Agron Duka, nisma është pozitive, por duhet rishikuar masa e parashikuar e gjobës për përdoruesit e këtyre qeseve. Deputetët e opozitës shprehën shqetësim edhe për impaktin mbi industrinë e prodhimit të plastikës dhe qeseve plastike në vend. Ndërsa u kërkua edhe një përpjekje më e madhe për menaxhimin e mbetjeve në burim, për shkak se qeset janë vetëm një pjesë e ndotjes nga plastika.

Krahas përfitimit ekologjik dhe në shëndet, qeveria llogarit se nga kjo masë do të reduktohen edhe kostot e pushtetit lokal, që do të paguajë 491 milionë lekë/vit më pak për transportimin dhe depozitimin e mbetjeve.