Çmimet rritën koston e jetesës

121

Rritja e çmimeve ka arritur një nga nivelet më të larta në muajin dhjetor. Qytetarët çdo ditë po shpenzojnë më shumë për produktet e tyre të përditshmërisë, apo siç cilësohen produktet e shportës.

E para e prekur është buka që ka shkuar nga 80 në 90 lekë, ndërsa janë prekur edhe nënproduket si byreku nga 30 në 40 lekë. Më pas vaji për gatim ka pësuar një rritje gati me 30 lekë,së bashku me orizin sheqerin dhe një parti me 10 kokrra vezë.

Nga e gjithë kategoria e ushqimeve rritjen më të lartë e kanë pësuar frutat dhe perimet në nivele të ndjeshme që shkojnë nga 50 – 100 lekë.
Gjithashtu mishi ka shkuar deri në 850 lekë/kg nga 750 lekë/kg një vit më parë, gati 100 lekë më shtrenjtë, ndërsa trendin e rritjes e kanë ndjekur edhe produktet e bulmetit me 10 – 50 lekë rritje.

Tek grupi i lëndëve djegëse që përdoren për shtëpitë, qytetarët gazin po e paguajnë rreth 40 lekë më shtrenjtë. Ndërkohë, tek transporti është një nga rritjet më të forta, me çmimet e karburanteve të rritura me nga 50 lekë që pas pandemisë.

Nëse një familje me një mesatare prej katër personash harxhonte rreth 83 400 lekë në muaj sipas INSTAT në 2020-ën, shpenzimet janë shtuar edhe me minimalisht 5 000 lekë , duke e çuar totalin në 88 000 mijë lekë në muaj.

Paga mesatare në Shqipëri është rreth 56 400 lekë, ndërsa nëse një familje ka dy të punësuar, atëherë ata nuk kalojnë 112 400 lekë, duke i lënë atyre shumë pak kursime mënjanë dhe duke e vënë shtresën e mesme të shoqërisë nën një presion të fortë me pandeminë që ende vazhdon.

Guvernatori Gent Sejko është shprehur se çmimet e larta do na shoqërojnë gjithë vitin dhe në këto kushte përkeqësohen disa tregues në ekonomi.

 

I pari është ai i rrezikut që për të qenë i varfër, ku sipas statistikave 1 në 3 familje me fëmijë në varësi vlerësoheshin të rrezikuara nga varfëria në 2020-ën, ndërsa një personi që i duheshin 18 600 lekë për të mbijetuar tashmë do t’i duhen rreth 2 000 lekë më shumë, teksa rritja e çmimeve zhvlerëson ndihmën dhe asistencat sociale.

Një tjetër problem që rritja e çmimeve do shkaktojë është për pensionistët. ISSH ka parashikuar të indeksojë pensionet e tyre deri në kufirin 3%, por duke qenë se inflacioni pritet më lartë se kjo normë, pensionet e tyre mund të vijnë me ulje këtë vit.