Regjistrohet rasti i parë i ‘variantit të ri’ të Covid-19 në Gjermani

194

Gjermania të enjten regjistroi rastin e parë me variantin e ri të koronavirusit, i cili është zbuluar fillimisht në Britani të Madhe.

Një grua e cila kishte udhëtuar nga Londra, doli pozitive në këtë variant të koronavirusit. “Ky është rasti i parë i njohur në Gjermani”, tha në një deklaratë Ministria e Shëndetësisë e landit, Baden-Wuerttemberg.

Gruaja, kishte mbërritur në aeroportin e Frankfurtit më 20 dhjetor. Ajo u dërgua në vetizolim në shtëpi pasi doli pozitive për COVID-19, kur mbërriti në aeroport, raporton AFP.

Një ditë më vonë, ajo filloi të shfaqte simptoma të lehta, dhe një test i dytë gjithashtu doli pozitiv. Një mostër e testit të saj u dërgua në një laborator të specializuar për analiza të mëtejshme.

Gjermania të martën zgjati masën e ndalesës së udhëtimeve nga Mbretëria e Bashkuar deri më 6 janar.

Varianti i ri është zbuluar për herë të parë në shtator. Në nëntor, rreth një e katërta e rasteve në Londër kanë qenë të këtij varianti; në mes të dhjetorit, afro dy të tretat.

Autoritetet shëndetësore në Britani të Madhe thonë se varianti i ri i koronavirusit është deri në 70% më infektues.

Dhjetëra vende kanë mbyllur kufijtë e tyre për njerëzit që udhëtojnë nga Britania e Madhe./ REL/