Ukraina kërkon armëpushim për të riparuar linjën elektrike në Çernobil: Mund të shkaktojë rrjedhje rrezatimi

181

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha të mërkurën se Rusia duhet të bjerë dakord urgjentisht për një armëpushim të përkohshëm për të lejuar riparimet e një linje elektrike në centralin bërthamor të Çernobilit, duke thënë se ndërprerja e energjisë mund të shkaktojë rrjedhje rrezatimi.

Autoritetet ukrainase thanë se centrali, që është vendi i fatkeqësisë më të madhe bërthamore në botë, po përdor gjeneratorë për furnizim të përkohshëm me energji.

Zyrtarët ukrainas thonë se ndërprerja mund të vërë në rrezik sistemet e ftohjes.

“Gjeneratorët me naftë kanë një kapacitet 48-orësh për të furnizuar me energji centralin e Çernobilit. Pas kësaj, sistemet e ftohjes do të ndalin së funksionuari, duke e bërë të pashmnagshme rrjedhjen e rrezatimit,” tha zoti Kuleba në Twitter.

Nuk është ende i qartë shkaku i dëmtimit të linjës së energjisë që furnizon Çernobilin, por kjo ndodh në një kohë kur vazhdon agresioni us ndaj Ukrainës. Centrali është nën kontrollin e trupave ruse që nga java e kaluar.

Operatori ukrainas i rrjetit tha se pa energji, “parametrat e sigurisë bërthamore dhe rrezatimit” nuk mund të kontrollohen.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike tha në një deklaratë se humbja e energjisë në central nuk ka ndonjë ndikim kritik mbi sigurinë.

“Vëllimi i ujit ftohës në termocentralin bërthamor të Çernobilit është i mjaftueshëm për ftohje”, tha agjencia e OKB-së.

Autoritetet në Ukrainë paralajmërojnë se Europa mund të goditet nga një rrezatim shkatërrues i çliruar nga zona bërthamore e Çernobilit, pasi trupat ruse kanë ndërprerë energjinë elektrike. Centrali i cili u sulmua nga forcat ruse muajin e kaluar, aktualisht s’ka furnizim me energji.

Ministri i Jashtëm Ukrainas, Dmytro Kuleba tha se pas kësaj, sistemet e ftohjes së objektit të depozitimit të karburantit bërthamor do ndalojnë, duke bërë që rrjedhjet e rrezatimit të jenë të pashmangshme.Më herët, kompania shtetërore bërthamore e Ukrainës tha se nëse ndërprerja e energjisë elektrike shkakton një rrjedhje, ajo mund të përhapë materiale radioaktive në ajër./VOA/asutimes.com