“Po ju krijohet një grup parlamentar në burg zoti Rama!”/ Si përgjigjet kryeministri për inceneratorët

184

Edi Rama është shfaqur para mediave fill pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë të Partisë Socialiste.

Rama u pyet për arrestimin e ish deputetit Alqi Bllako dhe aferën e inceneratorëve.

Kryeministri deklaroi se përgjegjësitë janë individuale dhe se drejtësia duhet të thotë fjalën e fundit, por njerëzit duhet të prezumohen të pafajshëm derisa të ketë një vendim të gjykatës.

Rama tha se PS nuk mbron askënd dhe “nuk bëhet mburojë politike në rrugën e drejtësisë”.

Gazetarja: Po ju krijohet grup parlamentar në burg, nuk ndjeni përgjegjësi zoti Rama?

Edi Rama: Unë qëndrova për respekt. Nuk ndërpritet tjetri kur është duke dhënë përgjigjen. Ka nevojë të flas unë akoma për etikën?
Përgjegjësi kolektive dhe zgjedhjet e njerëzve në jetë, zgjedhjet e njerëzve me të cilët vendos të bësh një punë të caktuar, bazohen mbi një sërë arsyesh dhe kriteresh, që nuk prezumojnë për askënd, se kush zgjedh është përgjegjës nëse i zgjedhuri, në një ditë të caktuar shkel ligjin. Për këtë arsye gjërat janë të ndara. Meqë përsëritet pyetja, sot që flasim përgjigja ime është si gjithmonë në parim.

Në rastin konkret dhe në të gjithë rastet, këtë e cakton drejtësia. Deri në momentin që drejtësia do të thotë fjalën e fundit, këta njerëz prezumohen të pafajshëm. Në komunizëm, në diktaturë, që mendohet dhe flitet totalitarisht, bëhen gjyqë popullore, goditje me mikrofona, tribuna ku njerëzit sakatohen.

Ndryshimi është që për shkak të reformës në drejtësi dhe për shkak të PS, kemi arritur në pikën që nuk ka mburoja politike në rrugën e drejtësisë. Në pikën që njerëzit shpallen të famshëm nëpër mikrofona, klube, sera mediatike, të shkojë kush të dojë por jo unë.
Unë nuk jam as prokuror dhe as gjykatës.

Sot është një Shqipëri tjetër. Nuk duhet të çuditet askush që cilido qoftë, që kërkohet nga drejtësia duhet të përgjigjet para drejtësisë. Nuk i komentoj vendimet, sepse përtej pjesës njerëzore, qëndron misioni që kjo rrugë duhet të vazhdojë përpara e papenguar.

Mund të ketë kthime mbrapa, momente jo fatlume, momente te diskutueshme, janë të natyrshme në këtë proces zgjimi pas 500 vjet padrejtësi.

Edhe ju bini në kurthin e të qenurit të padrejtë.