Kritikohet Osmani, shpërbleu me nga 500 euro punonjësit e Kuvendit dhe Presidencës

192

Administrata e Kuvendit të Kosovës ka marrë nga rreth 500 euro shtesë në pagën e dhjetorit. Këtë kërkesë ia bënë vetë Kryesisë së Kuvendit, që ua miratoi. Një vendim të tillë, kryeparlamentarja Vjosa Osmani e mori edhe për punonjësit e Presidencës të cilën e udhëheq po ashtu, aktualisht, njofton Klan Kosova.

Këto bonuse u kritikuan në seancën e së hënës në Kuvend nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili tha se Osmani paska marrë pagën e 13 për këtë vit.

Por ndaj kësaj deklarate reaguan në rrjete sociale, anëtarët e kabinetit të Osmanit, duke sqaruar se shtesat e pagës jepen prej 10 vjetësh për administratën e legjislativit.

Nga sekretariati nuk kthyen përgjigje kush përfiton dhe sa i kushton kjo buxhetit shtetëror.

Pavarësisht shumës, Besnik Boletini nga organizata “Çohu” tha se i sheh të paarsyeshme këto shtesa. Ai tha se asnjë punonjës i Kuvendit nuk e humbi punën gjatë pandemisë dhe i ka marrë rrogat në kohë, ndërkohë që nuk ka pasur as rrezik gjatë punës.