‘Përdorim emergjent’, Britania e Madhe miratoi vaksinë të dytë kundër COVID-19

194

Britania e Madhe autorizoi të mërkurën për përdorim emergjent një vaksinë të dytë kundër COVID-19, duke u bërë vendi i parë që i jep dritën e blertë nja vaksine lehtë të përdorueshme, prodhuesit e së cilës shpresojnë të bëhet “vaksinë për gjithë botën”.

Departamenti i Shëndetësisë tha se pranoi një rekomandim nga Agjencia Rregullative e Barnave dhe Prodhimeve Shëndetësore për të autorizuar vaksinën e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit dhe prodhuesi i ilaçeve me seli në Mbretërinë e Bashkuar, AstraZeneca.

Britania ka blerë 100 milion doza të vaksinës dhe planifikon të fillojë përdorimin e saj brenda ditësh. Qindra mijëra njerëz në Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë tashmë vaksinën e prodhuesit amerikan të ilaçeve Pfizer dhe kompanisë gjermane BioNTech.

Shefi ekzekutiv i AstraZenecas, Pascal Soriot, tha se kjo është “një ditë e rëndësishme për miliona njerëz në Britaninë e Madhe, të cilët do të kenë qasje në vaksinën e re”.

Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, tha në një deklaratë për Sky News se “shpërndarja do të fillojë në 4 janar dhe do të përshpejtohet në javët e para të vitit të ardhshëm”.

Vaksina Oxford-AstraZeneca pritet të përdoret në shumë vende për shkak të çmimit të ulët, dhe lehtësisë së përdorimit. Ajo mund të ruhet në frigoriferë ndryshe nga vaksinat tjera që kërkojnë ruajtje në temperatura shumë të ulta. Kompania tha se do ta shesë atë për 2.50 dollarë për një dozë dhe planifikon të prodhojë deri në 3 miliardë doza deri në fund të vitit 2021.

“Ne kemi një vaksinë për gjithë botën”, tha Dr. Andrew Pollard, studiues i Oxfordit.

AstraZeneca tani do të bëhet vaksina e dytë kundër COVID-19 në përdorim në Britani. Më 2 dhjetor, rregullatorët i dhanë autorizim të ngjashëm emergjence vaksinës Pfizer-BioNTech./ VOA/

https://twitter.com/AstraZeneca?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1344181324614139904%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.syri.net%2Fbote%2F394078%2Fperdorim-emergjent-britania-e-madhe-miratoi-vaksine-te-dyte-kunder-covid-19%2F