Juliana Pasha flet për mungesën e një fëmije: ‘Sfida më e vështirë, dashtë Zoti të kalojë’

208

E ftuar në rubrikën “Tani mund të këndosh” tek “E diela Shqiptare” ishte Juliana Pasha. Këngëtarja, e pyetur nga Ardit Gjebrea se cila ka qenë sfida më e madhe që i është dashur të kalojë, foli për mungesën e një fëmije në familje.

“Sfida më e vështirë që vazhdon të jetë ende dhe në dashtë Zoti të kalojë, por edhe nëse nuk kalon nuk ka problem për ne, ka qenë mosardhja në jetë e fëmije. Gjithsesi jeta është e gjatë, kemi akoma kohë përpara, do presime dhe disa vite. Nëse Zoti na bekon me një fëmijë do të jemi çifti më i lumtur, nëse jo opsionet janë të hapura.”- u shpreh Pasha.

Pavarësisht kësaj, për Julianën mosardhja në jetë e një bebushi nuk ka ndikuar fare në dashurinë dhe raportin mes tyre. Mes lotësh ajo tregon detaje nga marrëdhënia me bashkëshortin që e bëjnë të besojë se do të jenë bashkë përgjithnjë, në çdo lloj rrethane.

“Unë mendoj që kur çifti është shumë i lidhur me njëri-tjetrin, ka dashuri, nëse dashuria thyet si është fëmija si nuk është fëmija, nëse besimi thyhet dhe shumë gjëra në marrëdhënien e një çifti thyhen, ndodh dhe ndarja. Unë dhe Altini jemi një trup i vetëm. Në momentin që kemi bërë betimin tonë në kishë, kemi bërë një gjest shumë të bukur për ne të dy. Ishin dy qirinj që ne ndiznim një qiri të tretë.

Ai qiri i tretë personifikonte perëndinë, këta dy qirinjtë ishim unë dhe Altini dhe ne e kemi ndërtuar marrëdhënien tonë si një trekëndësh, jemi ne të dy dhe kemi Zotin në mes që na mban fort, jetën, familjen, marrëdhënien e përditshme, punën, gjithçka. Unë besoj që marrëdhënia jonë do të shkojë derisa të mbyllim sytë të dy së bashku dhe nuk ndodhë asnjë gjë. Nëse Zoti do na bekojë me një fëmijë, faleminderit, nëse jo do jemi bashkë me njëri-tjetrin dhe dashtë Zoti do kemi Odesën pranë nëse do dojë të na bashkohet kurdo që të ketë dëshirë.”

Pasha dhe partneri i saj Altin Llakaj janë të martuar prej më shumë se 10 vitesh. Ata janë njohur në skenë, pasi ai është kitarist dhe për vite me radhë kanë punuar bashkë në netët e muzikës live në Tiranë./anabel