Pas HIV, Ebola, Covid-19, mjekët përgatiten për ‘Sëmundjen X’

264

Duke shfaqur simptoma të hershme të etheve hemorragjike, pacientja ulet e qetë në shtratin e saj, në dhomën e spitalit në Ingende, një qytet i largët në Republikën Demokratike të Kongos (DRC).

Ata janë duke pritur për rezultatet e një testi për Ebola.Pacientja mund të komunikojë me të afërmit e saj vetëm përmes një dritare plastike.

Identiteti i saj është sekret, për ta mbrojtur atë nga vendasit e frikësuar nga infeksioni me Ebola.

Fëmijët e saj gjithashtu janë testuar, por, tani për tani, nuk tregojnë asnjë simptomë.

Ekziston një vaksinë dhe një trajtim për Ebola, të cilat kanë ulur shkallën me të cilën ajo vret.

Por në fund, pyetja e të gjithëve është: Po sikur kjo grua të mos ketë Ebola?

Po nëse, në vend të kësaj, ajo është pacientja zero e “Sëmundjes X”, infeksioni i parë i njohur, i një patogjeni të ri, që mund të fshijë botën aq shpejt sa Covid-19, por me shkallën e fatalitetit nga 50% deri 90%?

“Sëmundja X” është hipotetike tani për tani, një shpërthim që shkencëtarët dhe ekspertët e shëndetit publik kanë frikë se mund të çojë në sëmundje serioze në të gjithë botën nëse ndodhë, sipas OBSH.

“X” qëndron për të papritur.

Kjo nuk është një trillim shkencor, por është një frikë shkencore, e bazuar në fakte shkencore.

Njerëzimi përballet me një numër të panjohur të viruseve të reja dhe potencialisht fatale që dalin nga pyjet tropikale të Afrikës, sipas profesorit Jean-Jacques Muyembe Tamfum, i cili ndihmoi në zbulimin e virusit Ebola në 1976 dhe që prej asaj kohe ka qenë në vijën e parë të kërkimit të patogjenëve të rinj.

“Tani jemi në një botë ku patogjenë të rinj do të dalin,” tha ai për CNN. “Dhe kjo është ajo që përbën një kërcënim për njerëzimin.”

Si një studiues i ri, Muyembe mori mostrat e para të gjakut nga viktimat e një sëmundjeje misterioze që shkaktoi hemorragji dhe vrau rreth 88% të pacientëve dhe 80% të stafit të cilët ishin duke punuar në Spitalin e Misionit Yambuku, kur sëmundja u zbulua për herë të parë.

Provëzat e gjakut u dërguan në Belgjikë dhe SHBA, ku shkencëtarët gjetën një virus në formë krimbi.

Ata e quajtën atë “Ebola”, si lumi i cili ndodhej afër vendit të shpërthimit, që atëherë njihej si Zaire.

Identifikimi i Ebola u mbështet në një zinxhir studimesh, që lidhte pjesët më të largëta të pyjeve të Afrikës me laboratorët e teknologjisë së lartë në Perëndim.

Në Ingende, frika nga takimi me një virus të ri, vdekjeprurës, mbetet shumë reale edhe pas rikuperimit të pacientit duke shfaqur simptoma që dukeshin si Ebola.

Mostrat e saj u testuan në vend dhe u dërguan në Institutin Kombëtar të Kongos për Kërkime Biomjekësore (INRB) në Kinshasa.

Të gjithë pacientët u kthyen negativ, ndërkohë sëmundja që i preku mbetet një mister.

Duke folur ekskluzivisht për CNN në kryeqytetin e DRC, Kinshasa, Muyembe paralajmëroi për shumë sëmundje zoonotike që do të vijnë, ato që kalojnë nga kafshët tek njerëzit.

Ethet e verdha, format e ndryshme të gripit, tërbimit, brucelozës, janë ndër ato sëmundje që kalojnë nga kafshët tek njerëzit, shpesh përmes një vektori siç është një brejtës ose një insekt.

Ata kanë shkaktuar epidemi dhe pandemi më parë.

HIV doli nga një lloj shimpanzeje dhe shndërrohej në një murtajë moderne në të gjithë botën.

SARS, MERS dhe virusi Covid-19 i njohur si SARS-CoV-2 janë të gjithë koronavirusë që iu hodhën njerëzve nga “rezervuarët” e panjohur në mbretërinë e kafshëve.

Covid-19 mendohet se ka origjinën në Kinë, ndoshta në lakuriqët e natës.

A mendon Muyembe se pandemitë e ardhshme mund të jenë më të këqija se Covid-19, më apokaliptike? “Po, po, kështu mendoj “, tha ai.

Që nga infeksioni i parë ‘ethet e verdha’, që kaloi nga kafsha te njeriu, i cili u identifikua në 1901, shkencëtarët kanë gjetur të paktën 200 viruse të tjera që dihet se shkaktojnë sëmundje tek njerëzit.

Sipas hulumtimit nga Mark Woolhouse, profesor i epidemiologjisë së sëmundjeve infektive në Universitetin e Edinburgut, specie të reja të viruseve po zbulohen me një shpejtësi prej tre deri në katër të tilla në vit.

Shumica e tyre e kanë origjinën nga kafshët.

Ekspertët thonë se rritja e numrit të viruseve është kryesisht rezultat i shkatërrimit ekologjik dhe tregtisë së kafshëve të egra.

Ndërsa habitatet e tyre natyrore zhduken, kafshët si minjtë, lakuriqët e natës dhe insektet mbijetojnë atje ku kafshët më të mëdha zhduken.

Ata janë në gjendje të jetojnë së bashku me qeniet njerëzore dhe shpesh dyshohet se janë vektorët që mund të sjellin sëmundje të reja tek njerëzit./ CNN/