Syri i keq? Historia që vazhdon dhe besohet edhe në ditët e sotme

236

Syri i keq, është vështrimi njerëzor, që besohet se i shkakton dëm dikujt apo diçkaje. Dëmi i mbinatyrshëm mund të vijë në formën e një fatkeqësie të vogël, një sëmundjeje më serioze, lëndimit, madje edhe vdekjes.

Folkloristi Alan Dandes shkruan në librin e tij “Syri i Keq: Historia e rasteve më domethënëse”, se “fati, shëndeti i mirë apo pamja e bukur e viktimës, provokojnë një sulm nga dikush nëpërmjet Syrit të Keq…”. “Simptomat e sëmundjes së shkaktuar nga Syri i Keq përfshijnë humbjen e oreksit, zverdhjen e tepruar të lëkurës, lemzën, të vjellat dhe temperaturën e lartë. Nëse objekti i sulmuar është një lopë, qumështi i saj mund të shterrë; nëse është një bimë apo pemë frutore, ajo  mund të thahet papritmas”- shton ai.

Sipas Armando Favacas, thuhet se Syri i Keq shkakton gjithashtu një sërë sëmundjesh të tjera përfshirë pagjumësinë, lodhjen, depresionin dhe diarrenë. Në shumë vende, këto simptoma  konsiderohen si një çështje magjike dhe mjekësore, dhe arsyeja se përse një person i caktuar preket nga një sëmundjeje, mund t’i atribuohet një mallkimi  të rastësishëm apo ekspozimit ndaj një virusi.

Madje sipas studiuesit Robert Elsi, mallkimi mund të prekë objekte dhe ndërtesa. Syri i Keq mbi një automjet, mund ta prishë këtë të fundit në një mënyrë të pariparueshme, ndërsa një shtëpi e mallkuar në të njëjtën formë, mund të nisë të ketë shumë shpejt probleme me çatinë që pikon kur bie shi, apo një infektim nga insektet.

Gati çdo gjë që shkon keq, mund të shpjegohet me fuqinë e Syrit të Keq. Ky fenomen është i mirënjohur gjatë gjithë historisë. Ai përmendet në tekstet e lashta greke dhe romake, si dhe në shumë vepra të famshme letrare, duke përfshirë Biblën (si Proverbat 23:6: “Mos ha bukën e atij që ka Syrin e Keq, dhe mos dëshiro as ushqimet e tij të shijshme”).

Ai vërehet edhe në Kur’an, por edhe në dramat e Shekspirit. Edhe pse besimi tek Syri i Keq është i përhapur, ai nuk është universal. Një studim ndërkulturor i vitit 1976 nga folkloristi Xhon Roberts, zbuloi se vetëm 36 përqind e kulturave besonin në konceptin e Syrit të Keq.

Syri i Keq është në thelb një lloj specifik i mallkimit nëpërmjet magjisë, dhe i ka rrënjët tek bestytnitë. Marrim shembullin e një njeriu fatkeq, me probleme të vazhdueshme shëndetësore, që ka pësuar një aksident të rëndë, apo është prekur nga një sëmundje infektive.

Përpara se shkenca të shpjegonte modelet e motit dhe teorinë e mikrobeve, çdo ngjarje e keqe për të cilën nuk kishte një shkak të dukshëm, shpjegohej me një mallkim.

Mallkimet, duke përfshirë edhe Syrin e Keq, janë një përgjigje ndaj pyetjes shumë të vjetër, se pse njerëzve të mirë u ndodhin gjëra të këqija. Thuhet se sytë kanë fuqi të veçanta; pasi ato janë “porta e shpirtit” të një njeriu. Lëvizja e shpeshtë e syve, besohet se i tradhton gënjeshtarët./jetoilumtur.al