NË KUJTIM TË DOM ZEF OROSHIT VEPRIMTARIT MË TË SHQUAR SHQIPTARO – AMERIKAN

214
Në pamundësi për të qënë i pranishëm sa herë ndërmerren organizime e manifestime sensibilizuese për të mbajtur të gjallë unitetin vllaznor të kthyer në një obligim patriotik nga komuniteti shqiptar në Amerikë, kam detyrimin moral të punoj në distancë, pasi puna në vëndet kapitaliste është e programuar me orare dhe rregulla që nuk të favorizojnë për të tilla raste, sidomos këtu në New York, ku ftesat që marr nga organizatorët janë më të shumta. I tillë ishte rasti i përkujtimores së Dom Zef Oroshit mirditorit të shquar i cili për gjatë gjithë jetës së tij dha një kontribut të jashtëzakonshëm patriotik. I krahasuar me një “flakadan të ndezun” me atdhetari, Dom Zef Oroshi ndriçoi mëndjet dhe zemrat e shqiptarëve kudo në botë, të cilin edhe pse kam patur fatin ta njoh personalisht nuk arrita të jemë pjesë e kësaj përkujtimoreje.
Takimi me Dom Zefin ishte krejt i rastësishëm por që holli farën e mendimit tek unë.
Të punosh për Atdhe nuk mjafton veç dashnia më pati thanë Dom Zefi gjatë asaj bisede të përzemërt me të.
Puna me pënë, humanizmi dhe mendimi i mirë janë po aq të çmuara sa dhe të mbrojturit me armë me kenë nevoja, ndaj vazhdo pa nda me shkrua e me botua se fjala e shkrume vlen sa një thesar me arë për Kombin dhe nipat e tu neser. Kjo bisedë më ka obliguar të shkruaj vazhdimisht, përfshi këtu edhe për të Madhin Dom Zef Oroshi emri i të cilit sot e gjejmë të gdhëndur me gërma të arta në altarin e flamurit shqiptar.  Dom Zef Oroshi është vlersuar nga qarqet akademike e patriotike si “Njeriu i Ndritur” që gjithë jeten tij e vuri nē shërbim të kombit pasi edhe sot, 33 vite pas vdekjes vepra e tij mbetet një pishtar vlerash nga e cila marrim shembull e frymëzohemi të gjithë. Krenaria e të qënit i denjtë për çështje që peshojnë në të mirë të kombit ka qënë jo thjeshtë një ambicje personale e tij por një ideal i shenjtë sa vetë besimi për të cilin ishte betuar para Zotit, altarit dhe etërve të kishës. Kontributi i lartë i Dom Zef Oroshi, për çështjen kombëtare mori vëmëndjen e gjithë asaj elite intelektualësh me të cilët pati
kontakte të afërta pune të cilët vinin nga Shqipëria, nga Kosova, Maqedonia, nga Evropa, Australia apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumë prej tyre emigrant të ikur gjatë rregjimit të egër komunist. Këto kontakte dhe lidhje të afërta pune bënë që Dom Zef Oroshi, shumë shpejt të kthehet në një nga personalitet më të shquara të diasporës shqiptare në Europë e ShBA nëpërmjet të cilit u ngriten edhe mekanizma të veçanta pune ndërlidhëse që merreshin me nevojat e posaçme të çështjes Kombëtare – Shqiptare në Amerikë e më gjërë. Kontributi i tij për çështjen shqiptare nuk mund t’i shpëtonte as vëmëndjes së autoriteteve amerikane të asaj kohe nga e cila gjeti mbështetje të vazhdueshme aq sa ti hapen të gjitha dyert e institucioneve shtetërore. Frytet e punës dhe madhënjeve të mira u vlersuan edhe nga Presidenti Amerikan, ROLAND REAGAN i cili e nderoi Dom ZEF OROSHIN, me çmimin më të lart të  shtetit amerikan: “Medaljen e Lirisë”, duke e pritur disa herë zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë.

Me të drejtë Frano Shkreli pati thënë për Dom Zefin: “i

frymëzuar nga mësuesit e tij, Fishta e Mjeda Dom Zefi është kthyer në vijuesin e denjë të traditave të mira Kombëtare, të gërshetuara me kulturën e shëndoshë perëndimore-amerikane”.
Po kaq i lartë ka qënë edhe humanizmi i Dom  Zef Oroshit i cili asokohe ecte në gjurmët e Nënë Terezes, të cilën të cilën pati ftuar dhe pritur në një takim me komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju-Jork diku në vitet e 70-dhjeta, disa vite para se Nënë Terezës ti jepej çmimi Nobel për paqen dhe të bëhej e njohur në gjithë botën. (Sipas arkivave vizita e parë e regjistruar e Nënë Terezës në kishën shqiptare në New York është në vitin 1972). Aq e madhe ishte influenca e Dom Zef Oroshit sa ta ftojë Nënë Terezen në mënyrë zyrtare në komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju-Jork ku për nder të saj organizoi edhe një meshë madhështore në të cilën morën pjesë mijëra shqiptarë nga të gjithë anët e Amerikës dhe Kanadasë!Ky veprim prej atdhetari të flaktë nga Dom Zef Oroshi ishte dhe mbeti si një akt patriotik, sepse atë ditë shqiptarët, patën rastin, nderin dhe kënaqësinë e veçantë të njihen për së afërmi me Nënë Terezën. Sa herë bie në kujtesë kjo meshë thuhet se ka mbetur si një ndër kujtimet më të shkëlqyera për të gjithë shqiptaro – amerikanët falë asaj jehone të madhe që gëzonte kjo nënë shtat vogël por me zemër të madhe prej shqiptareje nga e cila krenoheshin të gjithë për humanizmin e pashoq dhe fuqinë e besimit të saj në fe. Veç Nënë Terezës Dom Zef Oroshi me misionin e devocionit si përfaqsues i Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë e njëkohsisht si themeluesi i kishës së parë katolike shqiptare në SHBA (New York) udhëtoi deri në Romë i ftuar në një takim zyrtar nga Papati në Vatikan. Në takimin që pati me Papa Palin e VI Dom Zef Oroshi i dhuroi Papës edhe Ungjillin në gjuhën shqipe, të përkthyer nga vetë Dom Zefi.
Po kush ishte Dom Zef Oroshi?
Dom Zef Oroshi i pagëzuar me emrin Zef Çoku, lindi me 23 nëntor 1912 në një familje fisnike në Orosh të Mirditës fare pranë Derës së Gjomarkajve ku ruheshin me fanatizëm zakonet dhe traditat e lashta të mirditorëve. Mësimet e para i mori në vendlindje, në shkollën shqipe të hapur aso kohe nga Abati i Mirditës. Në vitin 1927 Dom Zefi vazhdoi studimet në Seminarin e njohur të Jezuitëve në Shkodër. Nën kujdesin e veçantë të mësuesit të tij udhëheqës Dom Ndre Mjedja. I etur për fe dhe dije të thella bashkëkohore, si dhe kulturë të pasur Perëndimore, në vitin 1936 Dom Zefi filloi studimet e larta të teologjisë dhe filozofisë në Romë të Italisë, ku njeri nga mësuesit e tij, të atëhershë ishte At’Gjergj Fishta të cilin e adhuronte pa masë pasi kishte deshmuar botërisht origjinën e tij nga Mirdita duke thënë se: “Trojet e të parve në Mirditë,,as si kam shit’-as Falë” dëshmi të cilën Dom Zef Oroshi e ka botuar në “Shejzat” e Ernest Koliqit.
Ndërkohë pushtimi i Shqipërisë nga Italia Fashiste me 7 prill 1939
e veshi Dom Zefin me një mdhef të madh aq sa të lubonte në Romë kunder ketij pushtimi, duke mbajtur me vete flamurin nacional të Gjergj Kastriotit për të treguar se Italia po pushtonte vendin e Gjergj Kastriotit i cili mbrojti kufijtë e Italisë, që turqit mos të zbarkonin nga Shqipria! Megjithatë Ai vijon studimet e larta të filozofisë e të teologjisë pranë Universitetit Papnor ‘Urbaniana’ të “Propaganda Fides” ku arriti të zotëronte disa gjuhë të huaja, si: latinishten, italishten, greqishten e vjetër dhe të re, gjermanisht dhe anglishten me shkrim e gojë.
Me 23 mars 1940 Dom Zef Oroshi shugurohet si meshtar dhe kthehet në Shqipëri, ku emërohet të shërbejë si sekretar i Abatit të Mirditës me Mons. Frano Gjinit , po kështu shërbente si meshtar në bashkësinë Kishtare në Ungrej. Ardhja në pushtet e Enver Hoxhes nuk mund ti linte dorë të lirë as këtij meshtari zemër luan të etur “Për fe e Atdhe”.
Në vitin 1951, ndërsa po kremtonte Meshën Shenjte në Kishën e Ungrejt të Lezhës do të ndodhte edhe përplasja e parë. Njerëzit famëkeq të regjimit komunist me Toger Babën në krye, hyjnë në Kishë për të arrestuar Dom Zefin por me ndihmën e besimtarëve të kësaj famullie arriti të dalë nga dera e pasme e Kishës për tu arratisur në mal.
Arrati që zgjati tetë muaj përgjatë gjithë atij dimri të egër që ishin të zakonshëm aso kohe.Pak kohë para se të vendoste largohej përfundimisht, në një fshehtësi të plotë në pyllin e Molungut në fashatin Berzane duke rrezikuar kështu edhe jetën Dom Zef Oroshi kremtoi Meshën e Mundimeve të Jezu Krishtit, të Dielën e Larit, dhe njëkohsisht “meshën e dritës”, për 14 luftëtarët e lirisë të vrarë nga regjimi, me zë cilin kishin vendosur të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut kundër vendosjes së regjimit komunist e ateist në Shqipëri. Frika e madhe për të mos fajsuar besimtarët dhe të afërmit për bashkëpuntor, i rrezikuar me jetë dhe i kërkuar kudo nga forcat e sigurimit komunist detyrohet të thyej kufinjt e Shqipërisë e të arratiset
jasht Atdheut. Natën e fundit përpara se të largohet “Meshtari Guximtar” pagëzoi me dorën e tij edhe të porsalindurin e fundit në Atdheun e tij të ndaluar përgjithmonë nga regjimi komunist për pjesën e mbetur të jetës së tij tokësore. Pasi detyrohet të largohet nga vendlindja me shumë vështirsi ndjek rrugën nga Mirdita për në Mitrovicën e Kosovës, duke u plagosur trup e në gushë gjatë perplasjeve me forcat e regjimit.
Menjëherë sapo kalon në Jugosllavi, Dom Zef Oroshi regjistrohet si arratisur dhe kërkon strehim politik. Gjatë qëndrimit të tij në Jugosllavi Dom Zefi regjistrohet dhe vazhdon studimet në Beograd nga nëpërmjet kishës më pas kalon në Itali ku mbaroi doktoratën në teologji e histori, duke studiuar nga afër veprimtarinë e Kishave katolike në Irlande gjatë shekullit 12-të. Gjatë qëndrimit të tij në Romë ku ushtron edhe detyrën e meshtarit Dom Zef Oroshi punoi edhe në zyrat e emigracionin ku ndihmoi shumë shqiptar që largoheshin nga vendlindja për të shpëtuar nga persekutimi i regjimit komunist. Falë njohjeve të shumta Dom Zefi dha një ndihmë të pa shlyer për këta emigranta shqiptar në këto kohë të vështira ku shumë prej tyre u pajisen me dokumente dhe leje qëndrimi për ato shtete ku dëshironin të shkonin, sipas rregulloreve e ligjeve të kohës, në Shtetet demokratike evropjane.
Largimi i tij nga Italia drejt SHBA -së në vitin 1962 ishte një sfidë më vete pasi integrimi nuk ishte dhe aq i lehtë, sidomos për ambicjet e tij si një atdhetar ku jetën e vet e kishte vënë në shërbim të kombit. Pa humbur kohë Dom Zef Oroshi nisi punën për afrimin dhe bashkimin e komunitetit shqiptar në SHBA e posaçërisht në New York, duke krijuar së pari Lidhjen Katolike Shqiptare në Amerikë. Pas shtatë vitesh pune të pandalshme arriti që Natën e Shenjtë të Krishtlindjes së vitit 1969 me kremtimin e Meshës së Shenjtë të përuronte Kishën e parë katolike shqiptare në Amerikë, të njohur botërisht si “Kisha e Zonjës së Shkodrës” në New York. Me këtë akt duhet të besojmë vërtetë se Dom Zef Oroshi luftoi shumë për mbrojtjen dhe organizimin e
bashkësisë shqiptare të diasporës, pa dallim e pa përjashtim. Dom Zef Oroshi me besimin e pa lëkundur “për fe e atdhe” ka patur marrëdhënie vëllazërore edhe me Kishën ortodokse shqiptare të themeluar nga peshkopi shqiptar Fan Noli si dhe me bashkësinë islame shqiptare të diasporës amerikane dhe me të gjithë ata që vepronin për të mirën e kombit shqiptar e për Atdhe. Kjo ka ba që shumë autor pa dallim feje e krahine të shkruajn për Dom Zef Oroshin, jetëshkrime dhe libram monografik të cilët e ngrejnë  shumë lart figurën e Tij.
Veç këtyre Dom Zef Oroshi ishte pjesë e Këshillit Drejtues të Organizatës Panshqiptare “VATRA” të Amerikës. Ai shkruante dhe botonte shkrime në shtypin shqiptar të diasporës në të cilat mbronte dhe kultivonte vlerat shqiptare, në demokracinë më të madhe të botës, në shoqërinë e lirë siç ishte e është ajo amerikane. Në fushën atdhetare e kulturore dom Zef Oroshi bashkëpunoi shumë me shkrimtarin prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, At’ Danjel Gjeçaj, At Zef Valentinin, Dom Prek Ndrevashën e shumë personalitete tjera. Për më tepër mbi figurën e madhe të prelatit shqiptar Prof. Karl Gurakuqi në revistën e mirënjohur “Shejzat” (le pleiadi) Xi, 1967, 1 4, f.31 vlerëson: DOM ZEF OROSHI: Nji arkitekt e sculptor shqiptar i Rilindjes në Dalmaci ” Andrea di Nicolo Alessi da Durazzo”. (Shejzat, Vjeti II i botimit (1958), faqe 34,39). Në nënshkrimet e tij shohim shpesh se Dom Zefi përdor referenca nga artikujt shkencorë sidomos në revistat “Shejzat”, gazetën “Dielli”, duke përdorur madje edhe pseudonimet Theologu, Zodiaku etj.
Më 15-mars të vitit 1989 Dom Zef Oroshi ndërroi jetë në spitalin Albert Einstein të New York – ut duke marrë me vete gjithë brengat e tij për atdheun dhe krenarinë e të qënit shqiptar, e lënë pas një kontribut që mban emrin e pavdekshëm të Dom Zef Oroshi. Të nesërmen, një ditë pas vdekjes dhe pikërisht me 16 mars 1989 gazeta “The Nju York Times” botoi një shkrim të detajuar për vdekjen e këtij meshtari shqiptar, duke vënë në dukje veprimtarinë e tij fetare dhe kombëtare si nënshtetas me virtyte larta sociale për shtetin dhe popullin shqiptar dhe atë Amerikan. Që prej asaj kohe komuniteti shqiptar në ShBA e veçanërisht, ai i përkatësisë fetare katolike, e përkujtojë gjithnjë me nderim këtë meshtar, dijetar e atdhetar shqiptar, që tërë jetën e tij e jetoi duke punuar e vepruar për të mirën e çështjes së Atdheut.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
Gusht 2022
Nga Gjon Frani Ivezaj.!!