Ambasadori i Republikës së Çekisë në Tiranë, z. Karel Urban, zhvilloi një vizitë në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës.

285

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, Drejtues i Parë Edmond Sulaj, priti në takim ambasadorin Urban, i cili shoqërohej nga Oficeri i Kontaktit të Policisë së Çekisë, z. Adriatik Shtino.

Drejtori i DVP Kukës, në fjalën e tij përshëndetëse, u shpreh:

“Jam i nderuar t’ju mirëpres dhe t’ju uroj mirëseardhjen sot, në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës. Shpreh konsideratën time më të lartë për vizitën tuaj falënderuese, në kuadër të operacionit policor që u finalizua me sukses të plotë, për ardhjen në ndihmë dhe shpëtimin e 3 turistëve çekë që mbetën të bllokuar në Valbonë.

Vizita juaj sot, këtu, na motivon për të vazhduar më tej dhe më intensivisht punën tonë në shërbim të çdo qytetari që ndodhet në Republikën e Shqipërisë, për vizita turistike, eksploruese, pushime etj.

Ndër të tjera, Drejtori i DVP Kukës i bëri një përshkrim të problematikave që hasen gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit, për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së logjistikës.

Gjej rastin të falënderoj të gjithë kolegët e angazhuar në ekipet e shpëtimit, si dhe shërbimet mbështetëse, për angazhimin e tyre profesional dhe human në lokalizimin dhe shpëtimin e turistëve”.

Në përfundim, Drejtor Sulaj shprehu gatishmërinë dhe bashkëpunimin tonë për çdo aspekt të detyrave tona funksionale, me interes të përbashkët për qytetarët e të dy vendeve.

Ambasadori i Republikës së Çekisë, gjatë fjalës së tij u shpreh:

“Jam i lumtur që po ju takoj personalisht dhe t’ju falënderoj shumë për atë që bëtë, në mbrojtjen e turistëve çekë. Falënderoj në veçanti punonjësit e Policisë që u angazhuan në operacionin e kërkim-shpëtimit të turistëve çekë. E kuptojmë rrezikshmërinë e operacionit. Ju siguroj se nëpërmjet faqeve tona zyrtare, do të sensiblizojmë shtetasit tanë që të bëjnë kujdes gjatë eksplorimeve, me qëllim që të mos t’ju vështirësojmë punë juve. E vlerësoj si mjaft të shkëlqyer bashkëpunimin policor ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj çeke, si dhe ju siguroj që ambasada çeke në Shqipëri do t’ju mbështesë që ky bashkëpunim të forcohet akoma më shumë, në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Në përfundim të takimit, u zhvillua një vizitë në Muzen e Policisë Kukës.