Historia e panjohur e Sherif Merdanit/ “Kur dola nga burgu ku vuajta 16 vjet, u përballa me atë që kishte urdhëruar arrestimin tim dhe…”

321

Dashnor Kaloçi dhe Artjan Tepelena, kengëtari i njohur, dhe ish-i burgosuri politik, Sherif Merdani, ka treguar për më shumë se 90 minuta, të gjithë historinë e panjohur të jetës së tij, që nga origjina e familjes nga babai dhe nëna, e deri kur u lirua nga burgjet politike të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku vuajti plot 16 vite, pa bërë asnjë faj dhe për të vetmin shkak, që ishte origjina e familjes, si tregtarë të pasur nga qyteti i Korçës.

I ftuar në emisionin ‘Memorie’ në TV Scan të dy gazetarëve të njohur, Merdani tregoi se pasionin për muzikën, në një farë mënyre e kishte të trashëguar edhe nga gjyshi i tij nga nëna, Hysni Hoxha, nga qyteti i Shkodrës, autor teksti dhe muzike i një prej këngëve hite më të dashura të atij qyteti, “Kur më del në derë…”, i cili ka qenë shumë i njohur për këngët e tij dhe brezi i shkodranëve mbi 50 vjeç, e kujtojnë shumë mirë, si në dasmat e gëzimet familjare, ashtu dhe skenat e atij qyteti.

Përvec gjyshit nga nëna, Hysni Hoxha, të cilin Merdani tha që e kishte rritur në fëmijrinë e tij, ai u shpreh se një lidhje tjetër me muzikën dhe këngën, ishte dhe familja e tij qytetare korçare, pasi gjyshi i tij nga babai, tregtar i pasur, që në vitet te Monarkisë së Zogut, kishte sjellë nga Franca, mbi 300 pllaka gramafoni me këngë të muzikës së lehtë dhe klasike, si dhe me arie nga kryeveprat e muzikës operistike botërore, me të cilat ai tha se ishte rritur. Edhe pse me biografi të keqe, si rezultat i një zbutje të luftës së klasave në fillimin e viteve ’60-të, Merdani tha se ai kishte mundur të regjistrohej dhe të mbaronte me rezultate të larta Shkollën e Mesme Pedagogjike, pas së cilës u emërua mësues në fshatin e thellë Backë të rrethit të Skraparit, ku shërbeu për tre vjet me rradhë, së bashku me shokun e tij, Hektor Bregasi, me origjinë nga Pogradeci.

Edhe pse në atë fshat ata të dy i trajtuan shumë mirë, Merdani tregoi se ai e braktisi punën e mesuesit dhe iku në këmbë në shtëpinë e tij në qytetin e Korçës, për të mos u kthyer më aty! Edhe pse aty ndihej mirë, pasi gjatë atyre tre viteve ai mësoi dhe perfeksionoi shumë mirë instrumentin e fizarmonikës, shkak për largimin e tij, u bë një ngjarje, ku në prani të tij dhe të Hektor Bregasit, nje Zhgabë (siç e quanin skraparllinjtë shpendin grabtiqar, Shqiponjën) u ul në oborrin e banesës së tyre dhe pasi u nxorri sytë dy pëllumbave që i mbante dhe i rriste Hektori, i rrëmbyen ata duke i ngritur lart në fluturim nën sqepin e tyre.

“Ja kështu, do të na shqyejnë dhe ne të dy….”, kujtonte Merdani, t’i kishte thënë shokut të tij, Hektorit, duke profetizuar me një parandjenjë të çuditëshme, fatin e tyre në vitet që do pasonin…?! Pasi ai do të arrestohej dhe do vunate 16 vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, kurse Hektori do të pëfundonte në internim së bashku me familjen e tij deri në vitin 1990-të, në një fshat të Lushnjes.

Merdani kujtoj më pas fillimin e viteve ’60-të, kur ai filloi të njihej si kengëtar edhe falë ndihmës që i kishte dhënë ish-miku i tij, kompozitori dhe instrumentisti i famshëm, Agim Krajka, i cili kur shkonte në Korçë me Estradën e Ushtarit, e aktivizonte atë, duke e ftuar të këndonte në shfaqjet që jepte në atë qytet.

Po kështu, Merdani kujtoi me nostalgji edhe këngëtaren e famëshme Vaçe Zela, e cila e ndihmoi për t’u afirmuar si këngëtar i ri në mesin e viteve ’60-të, kur ai ishte në Tiranë dhe ndiqte studimet e larta në Universitetin e Shtetëror, dega Histori-Gjeografi, ku u diplomua me rezultate të larta. Por ajo që ndikoi më shumë në afirmimin e tij si këngëtar dhe që e lejoi të vazhdonte rrugën e këngës, do të ishte Nefo Myftiu, (bashkëshortja e Manysh Myftiut, anëtarit të Byrosë Politike të PPSH-së), ish-drejtoresha e Radio Tiranës, për të cilën Sherifi u shpreh se i detyrohej shumë dhe i ishte mirënjohës për tërë jetën. Kjo gjë, sepse kur shkoi Sherifi për ta takuar, pasi e kishin pezulluar që të këndonte më nëpër festivale, (si rezultat i një letre që dikush kishte në instancat e larta të Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku tregonte biografinë “sterrë” të familjes Merdani), Nefo Myftiu, i tha djaloshit të ri Merdani: “Shko vazhdo punën, e këndo si gjithmonë, se sa të jem unë këtu, ty s’të ndalon dot askush”.

Në vijim të rrëfimit të tij perballe dy gazetarëvë të emisionit Memorie, Merdani tregoi se, para se të vinte Festivali i 11 i Kengës në Radio-Televizion, (që ishte dhe tema kryesore e emisionit), ai kishte deputuar me sukses në katër festivale para tij, duke qenë pjesmarrës që në Festivalin e 8-të të Këngës dhe kishte marrë vazhdimisht çmime, të cilat do të kulminin me vëndin e parë në Festivalin e 10-të të Këngës në Radio-Televizion, me këngën “Duart e nënës”. Më pas ai u ndal gjatë në historinë e Festivalin e 11-të, për të cilin tha se ishte një event i rrallë dhe me një nivel të tillë artistik, saqë pa e tepruar aspak, nuk i linte gjë mangut as Festivalit të Sanrremos në Itali, që atë vit u organizua jo në sallën ku bëhej vazhdimisht, por për arsye financiare, u mbajt në nje kazino.

Më pas, duke sjellë dëshmi të ndryshme nga ish-bashkëvuajtës të tij në burgun e Burrelit, Spaçit, Qafe-Barit etj., si Spartak Ngjela, Fatos Lubonja, Vladimir Balluku, apo ish-funksionarë të lartë të asaj kohe që vuanin dënimin në ato kampe e burgje, Merdani tha se shumica e tyre, ishin të mendimit dhe dilnin në konkluzionin se: Festivali i 11-të i këngës në Radio-Televizion dhe atmosfera disi liberale në Art Kulturë dhe gjithë jetën e vëndit në fundin e viteve ’60-të dhe fillimin e viteve ’70-të, në një farë mënyre ishte dhe një “grackë” e atij regjimi dictatorial, për të testuar e parë situatën dhe për të goditur siç goditi më pas në nëyrën më diabolike shumë këngëtarë, kompozitorë, artistë, poetë etj., kryesisht pjesmarrës të Festivalit të 11-të.

Lidhur me arsyet e goditjes së Festivalit të 11-të, Merdani tregoi se sipas disa dëshmive të ish-bashkëvujatëseve të tij në kampe dhe burgje, pjese e familjeve të nomenklaturës së lartë në ish-‘Bllok’-un e udhëheqjes, Enveri u nxit dhe morri shkak nga e bija e tij, Pranvera, e cila i tha: “Babi, festivali nuk kishte asnjë këngë për ty dhe as për Partinë…”! Sipas tyre, po gjatë asaj bisede, Enveri kishte thënë, se: “Më shumë po del në telvizor, ky biri i Merdanëve, tregtarëve të pasur të Korçës, se sa unë…”! Më pas Merdani tregoi se si rrodhi jeta e tij ne qytetin e Librazhdit, ku ai ishte me punë, ku edhe pse bëri një punë kolosale, duke ngritur grupet artistike amatore të Shtëpisë së Kulturës në atë qytet të vogël, duke gjallëruar jetën artistike me shfaqje e koncerte, ku falë tij, i vinin emra të njohur artistësh nga Tirana, Pogradeci etj., si Vaçe Zela, Guljem Radoja, etj.

Gjë e cila beri që, Sekretari i Parë i atij rrethi në atë kohë, Hekuran Isai, t’i premtonte, se do ta lejonte të shkonte me transferim me punë në Tiranë. Kjo gjë ndodhi, kur vetë e madhja Vaçe Zela, shkoi vetë në Librazhd në zyrën e Isait, duke i thënë se: “Sherif Merdani ishte një artist me vlera kombëtare dhe i duhej Tiranës”. Pas kësaj, Hekuran Isai, dikur nje artist amator që kishte kënduar edhe vetë me aktivitetet e klasës punëtore të Cërrikut, i premtoi se do ta lejonte Sherifin të shkonte në Tiranë, pasi sipas tij, nga Tirana atë çdo ditë e pyesin vetëm për realizimin e planit në minieren e Hekur-Nikelit dhe transferimin e Merdanit në kryeqytet.

Por sipas dëshimve të Merdanit, ajo gjë fatëkeqësisht nuk u realizua, pasi pak ditë më pas, Hekuran Isai u transferua me të njëjten detyrë në rrethin e Dibrës, e në vëndin e tij, erdhi Marko Xega nga Korça, i cili e njihte fisin e Merdanëve dhe vetë Sherifin, me “dhëmbë e dhëmballë”. Ai, jo vetëm që nuk e zbatoi porosinë e paraardhësit të tij, Isait, por urdhëroi arrestimin e Merdanit, për “agjitacion e propagandë”. Pas kësaj, drejtuesi emisionit, Kaloçi, nxorri një dokument arkivor (që ja dhuroi Merdanit para kamerave), ku ndodhej një raport-informacion i ish-sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Librazhdit, Marko Xega, i cili me datën 22 qershor të vitit 1973, njoftonte Komitetin Qëndror të PPSH-së, mbi goditjet dhe arrestimet e grupeve armiqesore në atë rreth, ku midis të tjerash, shkruhej:

“…Në Byronë Politike ka grindje dhe nuk ka unitet. Kështu ka kundërshtuar Fadil Paçrami, pra ka debate, grindje, përçarje. Fadil Paçrami e Todi Lubonja kanë qenë njerëz me pozita, por u shkarkuan se ishin bërë të pakënaqur dhe nuk e duan këtë parti, ashtu siç nuk e do dhe populli. Masa e marrë për ta nuk është e drejtë se ata janë koka të mëdha, se vendi ynë duhet të eci me kohën dhe vendet e tjera të Europës dhe nuk duhet të rrinë mbrapa dhe masat që janë marrë dhe po merr Partia, janë shumë të rrepta dhe këto janë kufizime lirie që i bëhet popullit.

Punojmë gjithë ditën, por nuk marrim gjë dhe tani jemi bërë si bagëtitë, porse kjo nuk do të zgjasë shumë etj. Revolucioni Kultural në Kinë ka qenë një blof, se Kina e ndryshoi qëndrimin e saj. Ajo u lidh me Amerikën. Mao Ce Duni nuk ekziston dhe vendin e tij e luan një aktor. Shtetet e tjera janë shumë të forta, kanë armatime që nuk i kemi etj. Ka pasur edhe raste që kanë thënë se: na u qelb vetja duke dalë në skenë me këtë muzikë dhe tani ndihet vetëm daullja, etj. Këto janë shprehur nga Sherif Merdani, i cili për krimet kundër shtetit në formën e agjitacionit e propagandës ditët e fundit është arrestuar”.

Pas kësaj, Merdani falenderoi gazetarin Kaloçi për gjetjen dhe publikimin e atij dokumenti arkivor me mjaft vlera, jo vetëm për të si person, por edhe si një dëshmi autentike, e cila tregon se si dënoheshin artistët shqiptarë në atë kohë. Në fund të emisionit, pasi falenderoi dy drejtuesit e atij formati televiziv për punën e tyre dhe temën që ata kishin përzgjedhur në atë emision, ku si asnjëherë tjetër më parë nuk i ishte dhënë aq hapësirë televizive historisë së Festivalit të 11 të Këngës në Radio-Televizion, (gjatë emisionit u dhanë edhe kater intervista nga ish-pjesmarrës të atij festivali, si: Maestro Zhani Ciko, kompozitori dhe instrumentisti i njohur, Osman Mula, kompozitori i njohur Enver Shengjergji dhe këngëtari po ashtu i njohur, Bashkim Alibali), Merdani tregoi se si ishte përballur në vitin 1991 me Marko Xegën, (ish-sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë së Librazhdit), njeriun që kishte firmosur arrestimin e tij, që do ta mbante atë 16 vjet pas hekurave të burgjeve, duke dhënë me detaje bisedën me atë ish-funksionarë të lartë partiak, që vdiq pak ditë pas atij takimi me një nga viktimat e tij…!

Emisioni në fjalë Memorie, ku është i ftuar ish-këngëtari i njohur i Festivalit të 11-të, Sherif Merdani, trasmetohet sot në Tv Scan në ora 20 e 30 dhe ritrasmetohet neser, të dielën dt. 10 janar, në ora 17 pasdite dhe 21 në darkë.