Nga fshati i thelle i Elbasanit në qiejt e Dubait, njihuni me piloten shqiptare që bëri ëndrrën realitet

396

Nga ZHAKLIN LEKATARI

Në një vend të vogël si Shqipëria ,habitesh kur dëgjon për vajza dhe gra të cilat korrin suksese në fusha të cilat janë ende të paeksploruara në vendin tonë, siç mund të jetë ajo e aviacionit. Prandaj përtej habisë, është e pamundur të mos ndihesh krenar dhe shpresëplotë për horizonte të reja zhvillimi dhe emancipimi që në fund të ditës janë shembuj konkret, si historia që do ju tregojmë sot.

Ajo quhet Xhesina Xhesi dhe është nga një fshat i vogël i rrethit të Elbasanit, fëmijë i një familjeje emigrantësh në Greqi, vend ku dhe ka kaluar fëmijërinë e saj. Si ishte rruga që përshkoi Xhesi, nga fshati në Elbasan e deri në pilote në Dubai, mund të kuptoni duke lexuar intervistën e saj.

Living: Xhesi më trego pak më shumë për backgroundin tënd ?

Në moshën 14 vjeçare, jemi kthyer nga Greqia në Shqipëri ku dhe kam vazhduar kolegjin greko-shqiptar “Arseiko e Tiranës”. Më pas kam ndjekur studimet e larta pranë Fakultetit Ekonomik të Tiranës për degën Financë. Pas përfundimit të studimeve Bachelor kam nisur kërkimet për punë dhe pasi jam vënë në kontakt me një zyrë punësimi kam arritur të fitoj një punë në Dubai.

Si fillim kam punuar pranë një kompanie telekomunikacioni që quhet Etisalat, në fushën e marrëdhënieve me klientin dhe shitjeve. Gjatë kohës së punës, shumë kolegë më kanë shtyrë që të aplikoja në kompani të ndryshme ajrore si stjuardesë. Pas shumë aplikimeve dhe intervistave, kam arritur të filloj punë në një kompani ajrore në Dubai e cila quhet Flydubai.

Tashmë jam pjesë e aviacionit prej tre vitesh, por që në ditën e parë të trajnimit si stjuardesë e ndieva që dua të jem pjesë e aviacionit përherë. Ndoshta ka ndikuar fakti që kam qenë e rrethuar me njerëz të apasionuar pas avionëve dhe fluturimeve apo ndoshta ngaqë kam kaluar shumë kohë në aeroporte dhe avionë që vendosa të marr hapin e rradhës për t’u bërë pilote.

Jam shumë e vetëdijshme që jam me fat që ndodhem në një ambjent të tillë, e rrethuar nga njerëz më shumë vite eksperiencë në këtë fushë, që mund të ndajnë historinë e tyre me mua, duke me këshilluar dhe udhëzuar në këtë udhëtim. Në fluturimin tim të parë si stjuardesë kam qëndruar te kabina e pilotit, gjatë ngritjes dhe uljes së avionit dhe e kam parë për herë të parë nga afër se çfarë konkretisht bën një pilot e se si fluturon një avion.

Ka qenë një udhëtim gjatë natës dhe më kujtohet se sa e magjepsur jam ndierë me imazhin e një avioni të kontrolluar nga një person i vetëm në një qiell të hapur e plot yje. Pikërisht në atë moment i thashë vetes: “ Sa bukur do ishte sikur të ishe ti ajo që piloton këtë avion.

Pse jo ? Bëhu pilote, bëhu. “ Që nga ajo dita, gjëja e vetme që mendoja ishtë dëshira e atij momenti për t’u bërë pilote. Kështu kam nisur kërkimet për trajnimet e nevojshme, kohëzgjatjen, kostot, vendet e mundshme ku mund të studioja etj. Para një viti kjo dëshirë u kthyer në realitet gjatë fluturimit tim të parë në trajnim.

Living: Si ishte kalimi nga puna e parë në Dubai mes klientëve, në një kabinë pilotimi e vetme ?

Puna ime e parë në fushën e telekomunikacionit ka qenë një eksperiencë e bukur dhe shumë e vlefshme. Dubai është një nga ato qytete mbresëlënëse të botës që ka një diversitet të madh nacionalitetesh dhe kulturash.

Duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me këtë shumëllojshmëri njerëzish, puna më ka ndihmuar shumë që të përmirësoj aftësitë e mia komunikuese dhe ndërpersonale, cilësi të cilat kanë qëne të domosdoshme për të nisur punën timë të ardhshme si stjuardesë. Mund të them me plot bindje që Dubai është një nga ato vende që të ofron mundësi të shumta për karrierën dhe formimin në përgjithësi, mjafton të jesh i zellshëm që të ecësh përpara dhe të zhvillohesh.

Normalisht që të gjitha këto proçese kanë vështirësitë e veta, por siç thuhet shpesh “ E vështirë nuk do të thotë e pamundur”. Mbaj mend që përpara se të filloja punën si stjuardesë kam realizuar më shumë se 20 intervista të ndryshme dhe sa herë që nuk më kanë pranuar mërzitesha, por kurrë nuk e humba shpresën dhe nuk u dorëzova. Dështimi i vërtetë është dorëzimi dhe mospasja e guximit të kërkosh atë që të bën të lumtur.

Një ditë e vetme, ku një zë i hollë nga ana tjetër e telefonit të thotë: “ Urime je pranuar për postin e stjuardesës” të ndryshon jetën 180 gradë. Në çdo fluturim që bëj, sa herë që ndodhem në kabinën e pilotit, i them vetes së jam shumë pranë realizimit të kësaj ëndrre për të qenë unë ajo që piloton atë avion, do të vijë dita që ajo kabinë do të jetë zyra ime e ardhshme. Kështu që veç me dëshirë dhe guxim nisa studimet në Dubai, për të qenë pilote. Gjashtë muaj pas trajnimit kam arritur të marr liçencën time të parë, që quhet PPL- Private Pilot Licence, e cla më lejon të fluturoj me avionë të vegjël me një motorr.

Living: Është e vështirë të jesh pilote ?

Mendoj se të jesh pilote është një nga profesionet më të bukura dhe të veçanta që ekziston. Të ndash një pjesë të madhe të jetës midis tokës dhe qiellit, të gjendesh në ajër midis reve, të shohësh botën nga lart, të vizitosh vende të ndryshme, të takosh njerëz të kulturave dhe ideologjive nga më të larmishmet, janë veç disa nga bukuritë që të ofron ky profesion.

Normalisht që si gjithçka tjetër, të jesh pilot apo të bëhesh pilot ka vështirësitë e veta. Mendoj që për të gjithë studentët pilot, vështirësia më e madhe qëndron te kostot e larta që kërkon ky trajnim. Ato ndryshojnë në varësi të vendit ku bëhet trajnimi dhe licencave që zgjedh për të bërë. Për të dhënë një vlerë si pikë referimi minimumi që duhet të shpenzosh për t’u bërë pilot i pajisur me licencën komerciale, e cila të jep mundësi për të aplikuar nëpër kompani të ndryshme ajrore, është rreth 50 mijë euro.

Përsa i përket pjesës praktike të fluturimeve, besoj se herët a vonë, sado e vështirë të jetë për t’u mësuar një proçedurë apo një manovër, me punë dhe përpjekje arrihet gjithçka. Në rastin tim për shkak të faktit që jam në marrëdhënie punë gjatë kohës që bëj trajnimin më është dashur të zgjedh opsionin modular, diçka e ngjashme me termin part-time. Në përgjithësi të gjitha shkollat do të ofrojnë mundësinë të realizosh çdo kurs në mënyrën full-time apo part-time.

Living: sa kohë duhet që të bëhesh pilote ?

Praktikisht një student si unë që zgjedh ketë mënyrë, duhet të mësojë i vetëm pjesën teorike dhe të bëj gjithashtu përgatitjet për provimet përkatëse të secilës liçencë në mënyrë individuale, që sipas mendimit tim kërkon më shumë punë e sakrificë. Të studiosh në këtë lloj mënyre do të thotë se do të duhet më shumë kohë për të përfunduar trajnimin pasi orari për fluturimet është më fleksibël.

Pasi kam përfunduar liçencën e parë me rreth 50 orë fluturimi në total, kam vazhduar trajnimin tim në Greqi. Për dy muaj të tjerë kam realizuar edhe mbi 50 orë të tjera fluturimi duke shkuar në total prej 105 orësh deri tani. Për momentin kam nisur studimet për liçencën komerciale dhe tani po zhvilloj pjesën teorike të saj e cila përfshin 14 lëndë dhe dëtyrimisht 14 provime përkatëse. Pas përfundimit të pjesës teorike do të filloj me fluturimet përkatëse që përfshijnë ndër të tjera dhe fluturimet me avionë me më shumë së një motorr.

Në përfundim të trajnimit do të kem grumbulluar rreth 200-250 orë fluturim në total. Për mendimin tim pjesa më e vështirë për një pilot është momenti pasi ke përfunduar trajnimin pasi që të aplikosh në shumicën e kompanive ajrore do të duhet të kesh grumbulluar të paktën 1500 orë fluturimi. Shpresoj që pasi të kem përfunduar licencën komerciale të nis karrierën time si pilote nëpër botë.

Living: Si ndihesh në pilotim, e mban mend fluturimin tënd të parë ?

Fluturimi im i parë ka qenë në janar të vitit të kaluar. Ka qenë një ditë shumë emocionuese që kam pritur gjatë. Dita më e veçantë mbetet sigurisht dita që kam bërë fluturimin tim të parë e vetme. Ajo ndjesia që je e vetme në ajër duke pilotuar avionin pa ndihmën e askujt është adrenalinë më vete.

Më kujtohet që kur kam ulur avionin për herë të parë kam qenë shumë e lumtur për mundësinë që të përjetoja një emocion të tillë. Të pilotosh një avion e të gjendesh në ajër, të shohësh botën nga lart e kupton se sa të vegjël jemi si njerëz në këtë jetë. Sa herë që avioni ngrihet nga toka e ndiej vete time të lirë sikur jam unë, ajo që ka krahë.

Living: Cilat kanë qenë momentet më të vëshira, teoria apo praktika ?

Gjatë kohës që mora licencën time të parë, pjesa praktike më është dukur më e vështirë, sidomos ulja e avionit për të cilën kam bërë dhe orë shtesë. Një pjesë tjetër e vështirë e fluturimit është e panjohura, e kam fjalën për rastet emergjente gjatë të cilave pilotët duhet të jenë shumë të perfeksionuar për të ia dalë në situata të tilla.

Kur fluturon për herë të parë në qytete dhe aeroporte të ndryshme, duke parë që është mjedis i panjohur kërkon një planifikim edhe më të mirë të procedurave të ndryshme për të bërë një ulje sa më perfekte në pistë.

Living: Sa lloje të ndryshme avionësh ke mësuar apo ke pilotaur apo do mësosh të pilotosh ?

Me licencën që kam për momentin mund të pilotoj avionë me një motor dhe në kushte të mira moti. Gjatë fluturimeve që kam bërë, kam pasur mundësinë të pilotoj katër lloje avionësh, Cessna 172, Piper 28 A, RV, Maule, të gjithë janë avionë më një motorr por me specifikta e veta. Në të ardhme do të kisha dëshirë të bëj një trajnim për të pilotuar hydroplane.

Living: Nëse do të jepnin mundësinë të filloje jetën nga e para përsëri këtë do zgjidhje ?

Nëse do të më jepej një mundësi e dytë do të kisha nisur të fluturoja shumë më herët. Nuk e shoh veten në një fushë tjetër përvec aviacionit. Gjatë fluturimeve që kam bërë, kam takuar njerëz nga e gjithë bota dhe të moshave të ndryshme që kanë një pasion të përbashkët: fluturimin.

Veçanërisht nuk mund të harroj historinë e një burri, diku të të 60tat, i cili çdo të dielë, udhëtonte katër orë me makinë, vetëm për të shkuar në një aeroport të vogël, ku kishte parkuar avionin e tij përsonal për të bërë një orë fluturim, për të qenë më i gjallë në qiell, vetëm për atë orë.

Më pas ai do të përshkonte përsëri katër orë udhëtimi me makinë për t’u kthyer në shtëpi. Sa herë mbyll sytë dhe mundohem ta përfytyroj veten pas disa vitesh, shoh përherë të njëjtën pamje: unë, një avion në qiell të hapur, gati për eksplorim.

Living: Ke ndonjë këshilla për rininë që të ndjek ?

Mesazhi im për rininë shqiptarë është që të kërkojnë atë që i bën të lumtur. Kur e ke një dëshirë dhe një vizion për veten, mënyrat do të gjinden sado e pamundur dhe e paarritshme mund të duket në fillim. Nga eksperienca ime, mund të them që emocioni që kam marrë kur kam shijuar rezultat e punës time ka qenë i papërshkrueshëm.

E them këtë duke marrë parasysh se sa paragjykuese është shoqëria ku jetojmë ndaj vajzave dhe grave dhe aftësive të tyre. Aftësia për të qenë i arrirë profesionalisht, për të zhvilluar ide apo projekte, për të ndjekur ëndrrat dhe dëshira, nuk ka asnjë lidhje me gjininë të cilës i përket.

Mos lejoni askënd të paragjykojë aftësitë, dëshirat dhe ëndrrat tuaja. Njerëzit që ju duan, janë njerëzit që ju mbështesin në çdo hap. Në qoftëse mund të mendosh dhe ta përfytyrosh, atëherë mund ta bësh.

Living: Si munden vajzat dhe gratë të jenë më prezentë në këtë industri burrash ?

Është e vertët që kjo lloj industrie është përfaqësuar kryesisht nga gjinia mashkullore. Përqindja e gjinisë femërore në këtë profesion është vetëm 7% e në gjithë tregun ndërkombëtar.

Jam e bindur se kjo shifër e vogël, fatkeqësisht ka ardhur si pasojë e kufizimeve që i janë paraqitur gjinisë femërore në lidhje me shkollimin dhe punësimin. Gjatë këtyre viteve që jam bërë pjesë e aviacionit kam takuar vajza dhe gra të kombësive të ndryshme që janë të zonja dhe shumë të përgatitura në detyrat e tyre.

Shumë nga studentet pilote që ka takuar vitet e fundit kanë qenë vajza. Jam shumë optimiste dhe mendoj që në vitet në vazhdim kjo shifër do të rritet dhe unë do të mund ta ndaj pasionin tim me vajza të tjera në botë.

A ke ëndërr që të pilotosh një avion të caktuar ?

Ëndrra ime është që të pilotoj sa më shumë avionë të llojeve të ndryshme. Me siguri një ndër synimet kryesore është që të fluturoj për aviacionin civil nëpër kompani të ndryshme ajrore që të këm mundësi të pilotoj avionë të tipir Airbus dhe Boeing, veçanërisht Boeing 747 ose siç njihet ndryshe, “Mbretëresha e Qiejve”.

Vizioni më i largët për të ardhmen mbetet hapja e një shkolle pilotimi në Shqipëri në mënyrë që rinia shqiptare të ketë mundësi të njihet me këtë profesion të bukur dhe të veçantë. Ndiej si detyrë personale që këtë mundësi që unë e kam marrë jashtë Shqipërisë, ta pasoj të brezat e ardhshëm.