Lajm i madh! Merr fund pritja me Kontrollin Teknik të automjeteve, procesin e merr shteti, ja si do bëhet kolaudimi

258

31 dhjetori do të jetë fundi i makthit për shoferët në vend dhe dita e skadimit të kontratës të një prej koncesioneve më të debatuara në Shqipëri, atë të shërbimit monopol të kolaudimit të automjeteve, i konsideruar si korruptiv institucionet audituese. Kështu, kompanisë private SGS Automotive Albania, që ofron këtë shërbim prej 10 vitesh i mbaron kontrata me shtetin shqiptar në fund këtij viti, datë pas të cilës hapet rruga për liberalizimin e këtij shërbimi, ashtu siç edhe ka premtuar qeveria. Gjatë këtyre viteve shumë pakënaqësi dhe një lum ankesash janë hedhur në drejtim të kompanisë SGS, madje edhe vetë qeveria aktuale e quan të gabuar vendosjen e këtij koncesionari në këtë shërbim nga qeveria e asaj kohe.

Prandaj disa herë me radhë në këto vitet e fundit ka pasur shumë përpjekje për heqjen e kompetencave SGS dhe liberalizmin e tregut. Ndërsa tani u vendos largimi përgjithmonë i kësaj kompanie dhe marrjen në dorë nga qeveria e shërbimit për kolaudimin e makinave. Lajmin e bëri të ditur vetë kryeministri Edi Rama, i cili e quajti vendosjen e koncesionit për këtë shërbim një veprim absurd. Sipas tij, tani që kontrolli teknik i automjeteve do t’i kalojë si përgjegjësi shtetit, drejtuesit e mjeteve do të jenë më të qetë sepse nuk do të presin më në radhë dhe do ketë shumë lehtësi në proces.

“Mirëmëngjesi me një lajm të mirë! Me përfundimin në dhjetor të koncesionit absurd të kontrollit teknik të mjeteve rrugore (kolaudimi), ky shërbim sikundër e kemi premtuar do t’i kthehet shtetit dhe do të kryhet nga DPSHTRR dhe nga janari 2021 do të ketë këto risi që do të lehtësojnë drejtuesit e 630 mijë automjeteve”, u shpreh ai. Sigurisht që pritej ky skadim i kontratës së SGS për shkak se edhe institucionet rregulluese dhe monitoruese në vend kanë evidentuar shpesh shkelje ligji dhe korrupsion të lartë nga kjo kompani. Konkretisht në vitin 2018, Autoriteti i Konkurrencës, gjobiti me 51 milionë lekë kompaninë koncensionare të kolaudimit të makinave, ndërsa rekomandoi liberalizimin e këtij shërbimi. “Liberalizimin e tregut në drejtim të ofrimit të këtij shërbimi, duke përfshirë edhe ofrimin e shërbimit të servisit, sikurse e ofron pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Europian. Rishikimin e manualit teknik dhe sidomos të afatit të testimit të mjeteve për t’u pajisur me certifikatën e kontrollit teknik”, thuhet në raport.

Ja rregullat e reja

Ndërkohë kryeministri Edi Rama tregoi më tej se me ikjen e SGS do të ndryshojnë dhe rregullat e kolaudimit. Sipas tij nga 1 janari 2021 makinat e reja nuk do të kalojnë në proces kontrolli teknik deri në 3 vjet. Ndërsa mjetet e tjetra nuk do të kolaudohen më çdo vit, por njëherë në 2 vjet. Sa u përket mjeteve të transportit të mallrave, autoshkollave dhe atyre për udhëtim, Rama tha se, tani e tutje do të kontrollohen teknikisht njëherë në vit dhe jo 2 herë siç procedohej më parë. “Mjetet e reja (0 km) 3 vitet e para nuk do kalojnë në Kolaudim. Mjetet e përdorura, nga 1 herë në vit do ta kryejnë kolaudimin 1 herë në 2 vjet. Mjetet taksi, autoshkolla dhe mjetet e transportit të mallrave dhe udhëtarëve nga çdo 6 muaj do ta kryejnë kolaudimin vetëm 1 herë në vit”, theksoi ai. Më tej ai foli edhe për çështjen e tarifave sa i përket këtij shërbimi.

Rama sqaroi për të gjithë drejtuesit e automjeteve se, tarifat aktuale nuk do të rriten, megjithëse afati i vlefshmërisë se koalidimit zgjatet për çdo kategori. Sipas tij, më në fund radha famëkeqe e stresit dhe humbjes së kohës “tek Kolaudimi” do marrë fund. Ndër të tjera ai siguroi se në vitin që vjen, referuar këtyre ndryshimeve, cilësia e shërbimit do të rritet, përafrimi me Direktivat e BE në fuqi do të përshpejtohet, modernizimi e informatizimi i këtij shërbimi do të jetë prioritet, sikundër është bërë në punën e deritanishme të DPSHTR.