S’ka ndodhur kurrë në botë, por Basha premton rritje ekonomike 30% në vit

199

Nuk ka bërë kurrë vaki në historinë e njerëzimit! Por, do të ndodhë gjatë mandatit të Partisë Demokratike.Premtimi më qesharak i programit të PD është dyfishimi, brenda mandatit i të ardhurave për frymë.

Le t’i analizojmë me shifra.Aktualisht, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë është 15.3 miliardë Dollarë, i cili korrespondon me një të ardhur vjetore për frymë prej 5.300 dollarësh në vit.Dyfishimi do të thotë që në vitin 2025, Shqipëria të ketë një PBB prej 30.6 miliardë Dollarësh dhe të ardhura për frymë prej 10.600 dollarësh. Që të kalosh në harkun e katër viteve nga 15 në 30, Shqipëria duhet të rritet me 4 miliardë dollarë në vit. Një rritje që korrespondon me 25-30% rritje të GDP reale në vit.

Një rritje ekonomike prej 30%, jo vetëm që nuk është dëgjuar kurrë në historinë e njerëzimit, por është jashtë çfarë do lloj logjike matematikore (kjo e fundit nuk është problem për Bashën).Kina, që ka një rritje spektakolare prej 30 vitesh, është bërë superfuqia e dytë më e madhe në botë duke mbajtur për shumë vite një rritje ekonomike mesatare prej 6-7%.

Pa dyshim, për një ekonomi të madhe është më e vështirë të rritesh se një e vogël. Në 2019-n, për të përjashtuar vitin 2020 për hir të argumentit, rekordi i rritjes ekonomike ishte në Sudanin e Jugut (një ekonomi 30 herë më e vogël se shqiptarja per capita), me 11.3%, ndjekur nga Ruanda 10.1% dhe Libia me 9%. Thjesht, 30% nuk ka ndodhur dhe nuk mundet të ndodhë kurrë. Një rritje e tillë, i ngjason vetëm firmave piramidale të vitit 1997. Fundin e dimë të gjithë si shkoi.

Marre nga Lexo.al