E desha me shpirt, por më kishte fshehur diçka… HISTORI e dh imbshme dashurie

223

Atëhere isha një djalë i ri që sapo kisha mbaruar ushtrinë dhe nuk gaboj nëse ju them se isha edhe shumë i pashëm, i gjatë, me flokë të zeza dhe sy të zinj. Atëhere punoja në teatrin e qytetit ku jetoja. Një ditë prej ditëve të tjera, kur mbaroi shfaqja (mbaj mend se ishte vepra e Shekspirit “Romeo dhe Zhuljeta”) më kujtohet si sot ajo skenë; një vajzë e re duartrokiste me shumë forcë dhe njëkohësisht, vinte dorën te goja e thërriste mes turmës: “Braaavo!”.

Nuk është se i kushtova rëndësi sepse ajo vinte gjithmonë kur ne kishim shfaqje, por një ditë, kur unë isha duke dalë nga skena, ajo m’u drejtua me një tufë me lule, duke më thënë:

– Urime për shfaqjen dhe gëzuar ditëlindjen!

Unë u befasova nga e gjithë kjo dhe e pyeta: – Ku e di ti ditëlindjen time?

për çudinë time, ajo m’u përgjigj: – Hajde ulemi diku e ta tregoj.

Ajo quhej Ermira, shkurt, Era dhe ishte vajza më çapkëne që kisha takuar ndonjëherë. Përveçse e tillë, ajo ishte edhe shumë simpatike dhe plot jetë, nga ato vajza që të japin kurajo dhe të bëjnë shumë optimist për jetën. Filluam të dilnim më shpesh bashkë dhe ajo, pa iu dridhur qerpiku fare, një ditë më tha se më donte dhe se do të bënte të pamundurën që unë të bëhesha i saji, qoftë edhe për pak momente.

E si mund t’i rezistoje çiltërsisë dhe syve të bukur që ajo kish? Ne filluam të takoheshim në një vend që në qytetin e tonë e quanin vendin ku fshiheshin çiftet e dashuruara. Ishte një pyll i vogël me pisha.

Ai vend u kthye në oazin e dashurisë sonë, aty shkëmbyem puthjen e parë, aty ajo më lexoi poezinë e parë që kishte thurur për mua, që më pas u pasua nga të tjera poezi, aty ishte vendi ku ne iu dhamë njëri-tjetrit pa asnjë lloj premtimi për të ardhmen, pa asnjë lloj kushti. Era kishte filluar të më pëlqente gjithnjë e më

shumë, ja, për këto gjëra, që ndryshe nga vajzat e tjera, ajo dashuronte pa kushte. Mbas gati tre muajsh që ishim bashkë, e pashë Erën një ditë të shëtiste me një djalë në krah. Kur u takuam, e pyeta se kush ishte dhe më tha:

– Është njëri që më do dhe ka kohë që nuk më ndahet.

– Vërtet? – i thashë. – Epo, ndaje mendjen, o mua, o me atë!

Duke qeshur më tha se as më kishte premtuar e as më kishte kërkuar asgjë. Po më ikte mendja nga qetësia e saj, e kapa përkrahu dhe fillova ta puthja me gjithë fuqinë time. Më kishin mbërthyer dy ndjenja të fuqishme; dashuria dhe urrejtja. Mbas asaj mbrëmjeje, nuk e takova më Erën, as ajo nuk kishte tentuar të më kërkonte.

Më vonë unë u detyrova të largohesha nga qyteti, pasi më kishin caktuar në estradën e një qyteti tjetër. Rrugët e atij qyteti më dukeshin të boshatisura pa Erën, nuk e kuptoja as vetë se si ajo bëri aq vend në zemrën time. Shumë herë kisha tentuar të lidhesha me dikë tjetër, por te çdo femër më dukej sikur shikoja fytyrën e saj engjëllore.

I bëja shumë pyetje vetes: “Si ka mundësi që ajo nuk flet më me mua? Vërtet të jetë lidhur kaq shpejt me dikë tjetër?”. Vërtet ne nuk i kishim premtuar asgjë njëri-tjetrit, por besoj se kishim filluar të duheshim shumë… Këtë e kuptoja nga puthjet e saj plot zjarr, nga përqafimet, nga

mënyra se si ajo më jepej në atë folenë tonë që nuk e dinte askush.

Një ditë, në fundjavë, i telefonova dhe më doli e ëma, që më tha se ajo nuk ndodhej në shtëpi. Ky fakt më acaroi dhe sikur ma shtoi më shumë dëshirën për të parë se ku ishte dhe çfarë bënte ajo. Nuk munda dot më, kishim vetëm një pushim dyditor dhe unë doja të dija ku dhe si mund ta takoja. Ditën e parë prita gjithë mbasditen në lulishten ku takoheshim gjithmonë, më pas i dërgova lajm me një shoqe se doja ta takoja patjetër pasi kisha diçka shumë të rëndësishme për t’i thënë.

Dhe, kështu bëmë! Ajo erdhi në takim ashtu siç bënte edhe herët e tjera, por me një ndryshim… Nuk ishte më Era që kisha njohur para disa muajsh. Më dukej sikur ajo kishte ndryshuar gjithçka, edhe në paraqitje dukej sikur ishte zvogëluar dhe sikur kishte hyrë në ujë, edhe sytë e saj kishin formuar rrathë të zinj, aq sa nuk kuptohej ngjyra e tyre. Iu afrova për ta përqafuar, por ajo më ndaloi, duke më thënë:

– Mos m’u afro. Erdha vetëm për të të thënë se nuk dua të të takoj më; jam fejuar me dikë tjetër.

Sa nuk më ra qielli në kokë… – Çfarë po më thua moj?! Po unë, çfarë isha për ty?

Mbaj mend se i kam thënë fjalët më fyese që mund t’i thuhen një femre dhe u largova shumë i mërzitur, për të mos e parë më kurrë.

E vendosa që atë femër do ta hiqja nga mendja dhe nga zemra ime. Mbas dy javësh ajo më dërgoi një letër ku më thoshte se kishte shumë nevojë të bisedonte me mua. As që mora mundimin t’i ktheja përgjigje. Mbas dhjetë ditësh më erdhi një telegram nga shoqja e saj e ngushtë, e cila më thoshte se Era nuk jetonte më!

Kur nuk më iku mendja atë ditë, nuk ka për të më ikur më. Mendova se ajo i kishte bërë ndonjë gjë vetes për fajin tim, e gjithë rruga më shkoi duke qarë dhe duke më vrarë ndërgjegjja; nëse ajo do të kishte vdekur për fajin tim, nuk e doja më jetën time. Në familje nuk mund të shkoja, por në varrim i shkova me një tufë shumë të madhe lulesh. Diku në një cep pashë Mirën, shoqen e saj të ngushtë dhe iu afrova. Lotët nuk më linin të flisja, por ajo më tha:

– Nuk është ajo që po mendon ti… – dhe ma bëri me shenjë se do të më tregonte më vonë.

M’u duk sikur kjo fjalë e saj m’i hoqi dhimbjet me dorë. Pasi ikën të gjithë, unë i vendosa i fundit lulet dhe aty më priti edhe Mira. Me lot në sy iu luta të më tregonte pse ndodhi kjo tragjedi. Ajo më tha:

– Nuk është për fajin tënd, madje ti ishe një “viktimë” e Erës. Ajo të zgjodhi ty për të shijuar atë kohë që i kishte mbetur. Ishte me tumor dhe doktori i kishte dhënë shumë pak kohë për të jetuar. Edhe kaq sa jetoi, ajo mundi ta bënte falë dashurisë tënde…

Nga e gjithë ajo bisedë kuptova se pse Era asnjëherë nuk vendoste kushte në dashurinë tonë. Ajo ishte e çliruar nga çdo kompleks dhe shijonte të tashmen, pa menduar pasojat për të ardhmen. Për shumë kohë, Era ndenji në mendjen dhe zemrën time, derisa unë u fejova dhe u martova, por edhe pse e vdekur, ajo vazhdoi të m’i turbullonte ndjenjat.

Kur bashkëshortja ime mbeti shtatzënë, ishte në muajin e fundit dhe ndodhej në spital e shoqëruar nga nëna ime, ndërsa unë isha në shërbim në punë, për një moment në karrigen e zyrës ku punoja, më zuri gjumi dhe në ëndërr për të parën herë m’u shfaq Era, ashtu, e qeshur, duke më thënë: “Erdha unë”… Pa mbaruar ëndrra, ra telefoni i zyrës. Ishte nëna ime që më tha se Leta, gruaja ime, kishte lindur vajzë. Një ndjenjë e fuqishme më mbërtheu, nuk arrija të bëja dot lidhjen e ëndrrës me realitetin.

Kur erdhi momenti për t’i vënë emrin vajzës unë hodha idenë që nëna, Leta dhe unë të sugjeronim nga një emër, ta shkruanim në letër dhe nëna ime do tërhiqte njërën nga letrat, që do të tregonte se ç’emër do t’i vinim vajzës. Unë kisha vënë emrin e Erës. Edhe mund ta regjistroja vajzën me emrin e saj, por nuk doja, doja ta provoja në këtë mënyrë.

Nëse Zoti e kishte vendosur se duhet t’i thërrisnim vajzës me këtë emër, atëhere le të bëhej kështu. Në çastin kur nëna tërhoqi letrën, unë ia rrëmbeva nga dora dhe lexova emrin “ERA”.

– Ta gëzojë emrin! – thashë dhe u tregova letrën.

Mbas shumë vitesh, këtë histori ia kam treguar edhe bashkëshortes, por edhe vajzës. Asnjëra prej tyre nuk e besonte, por ja që ndodhkan edhe gjëra të tilla në jetën e njeriut. Mbas asaj dite, Era nuk m’u shfaq më në ëndrra, ndërsa sot, Era, vajza ime, është bërë një juriste shumë e zonja dhe punon në Francë…