Nga Shpendi Gashi/Kjo nuk është Shqipëria që duam!

402

Pasdite! Rrugët bosh! Qyteti bosh! Zbraztësinë e kobshme e prishte vetëm lëvizja ime që po nxitoja të largohesha nga qyteti si dhe ndonjë tip që sorrollatej me makinë e bënte xhiro me itenerar të njëjtë. 7 herë a më shumë më kaloi afër. Dukej sikur po më ruante se ç’lëvizje do bëja. Veprime të mirëkuptueshme në çdo qytet që nuk është Tirana. I mirëkuptueshëm gjithashtu edhe xhirimi i gomave, e gdhendur në urban kulturën fierake që prej legjendave të muzikës 2die4. Përpos çdo parashikimi në brendësinë time po ndjehesha në mos i lumtur, i rëndësishëm s’do mend që po. Unë po i hapja punë. Po i hapja një vend pune një qytetari të qytetit tim të lindjes. Po bëja, së paku më mirë se regjimi i këtyre viteve për të. Biles kur e mendoj thellë, po zëvendësohej monotonia e përgjithshme me një monotoni tjetër, ndoshta me një formë tjetër papunësie. Formë e tipit më mirë se të rrish kot, lëviz kot. Vazhdova rrugën duke e lënë të qetë ‘’kolegun’’ të vazhdonte punën dhe me kufjet në vesh, që i përdorja më shumë si ruajtëse nga i ftohti i lagësht e karakteristik sesa për të shijuar muzikën, vështroja dhe shijoja çdo gjë që më kapte shikimi.

Kisha shumë mall! Asnjë qytet nuk do më japë kurrë kaq emocion sa ky. Këtu përmblidhen gjithë të qeshurat, momentet më të çiltra, shoqëritë më të pastra, ato dashuritë boheme ku zemra rrihte fort dhe arsyeja përhumbte ashtu sikur të mos ekzistonte fare. Mall për ato vite kur halli më i madh ishte mbledhja me prindër. Mall për ato vite kur shkëmbeja njerëz të njohur, qoftë edhe të panjohur. Ndjeja mall për çdo pllakë të shkelur, që për besë janë shumë. Ato ishin venitur në rrugët e harresës, bashkë me to edhe imazhi i qytetit tim. Teksa ecja ngadalë shihja lokale bosh. Vetëm stafin mund të gjeje tek disa, e tek disa të tjerë tek tuk ndonjë tavolinë maksimumi dy tavolina. Disa kishin falimentuar, disa thjesht ekzistonin. Shumëçka kish ndryshuar që prej ikjes sime, por arredimi i brendshëm i tyre jo. Kish ngelur i njëjtë. Kjo konsistencë më zgjonte nostalgjinë, njëkohësisht më idhnonte sepse ishte ogur i zi për biznesin. Një biznes që nuk rinovohet tregon që kërkesën e ka të ulët deri në inekzistente. Me pak fjalë po shkohej dita ditës kah dekadencës dhe falimentit me hapa të ngadaltë mbase, por të sigurtë. Panorama e trishtë në përshkimin e pjesës së mbetur së rrugës sime ishte pak a shumë e pritshme dhe vazhdim i asaj çka më ish bërë evidente deri më tash. Kalova pranë një grupi ‘’naçush’’ që pinin birra dhe po diskutonin me zë të lartë aty buzë rruge. Në mos gabofsha dikutohej për një femër. Dikush po përpiqej t’i tregonte dikujt sesi është të jesh një mashkull alfa, mesa duket! Disa metra më tutje, mbështetur kokën tek njëra dorë teksa me dorën tjetër shtypte dëshpërimisht butonin SPIN evidentova një ‘’punëtor’’ tjetër. Bixhozi ‘’i ndaluar’’ vite më parë nga regjimi dukej se e kish vënë për poshtë. Perëndia e Kumarit nuk gjendej në anën e tij sot! Nesër ditë e re, mbase edhe kismet i ri! Me ç’po shihja në mungesë të punëve reale dhe dobiprurëse, kishte ndodhur një zëvendësim i natyrshëm me ‘’punë’’ të tjera si: pirja e alkoolit, bërja e thashethemeve dhe luajtja e kumarit. Karikuar mirë me material të bollshëm marrë nga baza e piramidës së regjimit, rruga, tek cepi i një pallati në lagjen ‘’Liri’’ ndjeva aromë hashashi. Ishin dy “naçu” që po e fiknin një cigare bar.
I vështirë realiteti për t’u përballuar ç’është e vërteta, duheshin pak ngjyra në këtë qytet. Mesa duket ngjyrat e fasadave të lyera nga RENASCIMENTO, nuk mjaftojnë për t’i dhënë dritë e ngjyrime këtij qyteti të shkretuar. Fasada të tilla në shijet e mia personale përpos se janë të pështira, vrasin edhe identitetin e qyteteve duke i bërë të ngjashëm me njëri-tjetrin. Klonime të shëmtuara të njëri tjetrit. Se ç’ka ca shije të çuditshme Fuhrer-i ynë. Edhe hashashi i mbjellë në gjithë Shqipërinë, nuk i jep ngjyrime më shumë se tre orë, kësaj ‘’kufome’’ të mbetur prej Fierit të dikurshëm. Mungesa e arsimimit, punësimit, politikave lehtësuese fiskale dhe rinisë ja kanë pamundësuar vitalitetin Fierit! Ngjyrat e vërteta të qytetit si dhe sfidat e së ardhmes janë ripopullimi me qytetarë dhe të rinj dhe atribuimi i rëndësisë që i takon si qyteti i dytë në rang kombëtar pas Tiranës dhe si kryeqendra e Jugut! Me gjithë dashurinë që kam për çdo qytet të Shqipërisë pa dallim, as nuk dua të mendoj se si mund të jetë situata në Burrel, Bulqizë, Rubik, Tepelenë, Memaliaj apo Delvinë, kur qyteti i dytë është në këtë gjendje. E dhimbshme ishte situata edhe tek stacioni i transportit ndërqytetas. Shoferët që vetëm ankoheshin e moment pas momenti grindeshin për të vetmin apo ata dy klientë gjithë e gjithë të marrë nga njëri apo tjetri me marifet. ‘’Po më merr bukën e kalamajve’’ ishte fjalia e përdorur më së shumti. Të jesh në të gdhirë të vitit 2021, shtet port i Europës e të diskutohet buka e gojës tregon së paku se ndryshimi nuk është më alternativë, por DETYRË. Jemi pjesë e një regjimi totalitar de facto.

Gjatë një konference të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, presidenti i saj M. Crawford na tregoi se nëse doni ta shihni sesi do jetë vendi pas 10 vitesh atëherë të shihet rinia e sotme. Sipas këtyre llogarive dhe me këtë tendencë largimesh, i bie të mos ekzistojë më Shqipëria? Po përjetojmë mbase eksodin më të frikshëm dhe më të dëmshëm të historisë sonë moderne. Nëse në fillim të viteve ’90 ishte një largim më së shumti nga izolimi shumë vjeçar diktatorial, ku njerëzit thjesht donin të largoheshin pas një kalbëzimi 45 vjeçar. Largoheshin me idenë për t’u kthyer një ditë. Shqiptari ikën jashtë atdheut me lehtësi, jo se ai emigron, por ai shkon të kërkojë fatin gjetiu dhe është mbase ky eksod që pengon vendlindjen e tij që të kultivohet më mirë. Është gabim të mendosh se shqiptari kërkon jashtë një punë ku ai mund të përballojë shumë mundime. Sot po ndodh një fenomen më i frikshëm akoma. Gjaku i ri po ikën. Truri i së sotmes dhe së ardhmes po ikën. Shpirti dhe motorri i shoqërisë sonë po ikën. Po ikën për të mos u kthyer më. Jo thjesht për të shpëtuar nga persekutimet, por vrapon kah mundësive të larmishme që të ofron Europa dhe bota. Tanimë bota është lehtësisht e aksesueshme. Syri është i hapur. Shqiptari po përçudnon sistemin e tanishëm, ku krimineli dhe pasunari i pameritë vlejnë më shumë se ai që është intelektual. Ku policia nuk është në mbrojtje dhe shërbim të punëdhënësit të saj real, qytetarit të Republikës së Shqipërisë, por të eprorit politik. Ku shërbimi i picave është më i shpejtë se ambulanca. Po përçudnon faktin se tokat bujqësore dhe bujqësia nuk subvencionohen, ato të cilat subvencionohen janë parcelat e mbjella me hashash. Biles këtyre të fundit u dërgohet edhe mbrojtje nga ata që paguhen me taksat tona, policët. Po përçudnon ‘’gjenocidin’’ që po i bëhet KUSHTETUTËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË. Po përçudnon mungesën e funksionimit real dhe të barabartë të ligjit dhe sistemit gjyqësor. Po përçudnon rikthimin në neo-diktaturë. Po i thotë JO vjedhjes masive nga llozha anti-shqiptare që fatkeqësisht dhe me makinacione nga më të ndryshmet gjendet në krye të Shqipërisë.

E vetmja mënyrë për ta kundërshtuar realisht këtë kupolë është grupimi i të gjithë qytetarëve qofshin të majtë, të djathtë, të qëndrës apo zonë gri dhe ti thuhet JO, qeverisjes së KAZANIT dhe KUSISË. Nuk flas si opozitar edhe pse eventualisht do jem në opozitë të çdo regjimi që e dërgon Shqipërinë prapa në kohë dhe zhvillim. Flas si patriot. Flas si një djalë që e dua qytetin tim, vendin tim. Flas si një prind i së nesërmes që dua t’i garantoj fëmijës tim një vend ku të kultivojë e t’i bëjë realitet ëndrrat e veta. Do vazhdoj të flas e të mendoj për aq kohë sa nuk do e nxjerrin të jashtëligjshme. Siç deklaronte Winston Churchill për luftën kundër Gjermanisë: ‘’ – Do isha aq pro gjerman sa ç’jam pro francez, nëse konditat historike do ishin të ndryshme nga tani.’’ KJO ABSOLUTISHT NUK ËSHTË SHQIPËRIA QË DUAM!!!