“Parajsa” e alpeve shqiptare

281

Lumi i Shalës në liqenin e Komanit është kthyer vitet e fundit në një nga vendet më tërheqëse lumore të Alpeve Shqiptare si për turistët vendas edhe për ata të huaj.

I cilësuar nga mediet e huaja si një “parajsë e vogël”, lumi ai është padyshim destinacioni më i preferuar sidomos nga të rinjtë.

Natyra e paeksploruar, lumi i kaltër dhe mundësitë e shumta të aventurave bëjnë që ky vend që prej muajit qershor të ketë një numër të lartë vizitorësh vendas, sepse të huajt për shkak të COVID-19 ende nuk janë të shumtë në numër.

Lugina e Shalës, një zonë e virgjër lumore, e cila vetëm së fundmi është futur në guidat e agjencive turistike po tërheq një vëmendje të jashtëzakonshme, për shkak të natyrës së paprekur dhe mundësive të shumta që ofron.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura, Shkodër, Agim Dardha tha për ATSH-në se “çdo fundjavë turistë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë vizitojnë këtë bukuri natyrore, ndërsa turistët e huaj janë ende të pakët në numër. Çdo fundjavë që prej daljes nga izolimi lumi i Shalës është vizituar nga mbi 1 mijë turistë”.

Sipas tij, turistët mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës.

“Është padyshim destinacioni më i preferuar vitet e fundit, kjo për shkak të bukurisë mahnitëse që natyra i ka falur kësaj zone”, – shprehet Dardha.

Për të shkuar tek Lumi i Shalës më parë duhet të kalosh tek liqeni i Komanit dhe padyshim duhet që kjo “rrugë” të bëhet me varkë.

Në afërsisht 1 orë e 20 minuta udhëtim turistët shikojnë maje të larta malesh të mbuluara me bimësi, ndërsa në male ka disa shtëpi, ku ende banon dikush. Në ato male ndodhen edhe “Blinat e Toplanës” Monument Natyre, kategori e III-të sipas IUCN, ku ndodhen forma shkëmbinjsh edhe ndonjë shpellë.

Gjatë rrugëtimit të bien në sy edhe dy kryqe të vendosur, gjë që lidhet me besimin që ka patur kjo zonë, gjë që e ruan edhe në këto kohë.

Lumi i Shalës vetëm emrin ka të tillë, sepse në këtë pikë, Lumi i Shalës kalon në Njësinë Administrative Shosh. Para se të bëhej kaq i njohur banorët e zonës e njohin me emrin “Guri i Lekës” që lidhet me historinë e Lekë Dukagjinit, simbol i krahinës së Dukagjinit. Ajo që e bën sa të veçantë e të veçuar është fakti se në zonë nuk ka linjë telefonike e as linjë të energjisë elektrik. Kjo bën që turistët të shijojnë në maksimum natyrën e bukur dhe ujin Kristal, ndërsa fiksojnë në telefonat e tyre ose aparatet fotografikë momentet më të bukura dhe peizazhet fantastike.

Në ujin kristal të pastër e me një jeshile të smeraldtë, mund të bëni plazh vetëm nëse i rezistoni temperaturave të ulëta.

Lumi i Shalë duhet të jetë listën e destinacioneve turistike që çdokush dëshiron të eksplorojë këtë verë edhe në kuadër të nismës “Pusho shqip”, e cila do të kërkojë të rikthejë ndjesinë e gjithsecilit për të njohur më shumë Shqipërinë.

Mund edhe te ndiqni: