E tradhtova burrin tim të sëmurë me ka ncer

208

Te nderuar redaksi dhe të nderuar lexues të gazetës! Dua t’ju them që në fillim që të mos më paragjykoni për historinë që po më torturon prej tre vitesh e gjysmë. Njeriu ndonjëherë ndodhet në situata ku nuk gjen mundësi zgjedhjeje, por vetëm zgjidhje, pra, zgjedh të keqen më të vogël.

Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë. Në familjen time ishim shumë fëmijë, katër djem dhe pesë vajza, por kemi qenë fëmijë të lumtur. Nuk jemi rritur me gjithë të mirat, por jemi rritur mes një dashurie e hareje pa fund.

Kur isha adoleshente dhe doja të blija ndonjë gjë, mendoja në nerva e sipër se prindërit e mi kanë ditur vetëm të bëjnë fëmijë dhe jo të plotësojnë ndonjë kërkesë apo kusht për mirërritjen e këtyre engjëjve që sillnin në jetë. Ne, mes njëri-tjetrit, kishim nga një vit e gjysëm diferencë dhe dukeshim pothuajse njësoj.

Jemi rritur me rrobat e njëri-tjetrit, pa i parë fare a ishin rroba djemsh apo vajzash. Kemi patur fat që shkollën jo vetëm e kishim afër, por edhe e kishim qejf. Gjashtë nga ne mbaruam universitet e tre të tjerët morën zanate.

Ne u rritëm shpejt dhe filluam të martoheshim një e nga një. Prindërit e mi shumë shpejt u bënë gjyshër dhe mendoj se janë prindërit më të lumtur.

Unë vazhdova shkollën për mësuese e ciklit të ulët dhe sapo e mbarova, fillova punë në shkollën pranë shtëpisë sime. Në universitet kam qenë e etur për dije, kisha pasion të veçantë letërsinë dhe mendoj se kam qenë studentja e vetme që i mbaroja romanet sado voluminozë të ishin, brenda dy apo tre ditësh.

Duke qenë se pasioni im ishin librat, në shkollë nuk arrita të dashurohesha me asnjë djalë përveçse me personazhet e librave. Motrat dhe vëllezërit më ngacmonin gjithmonë kur kthehesha nga shkolla, por unë vazhdoja në terezinë time.

Mbarova shkollën dhe falë miqësive që kishte vëllai im i madh, edhe emërimin e mora në shkollën ku isha ulur për herë të parë në bangat e shkollës. Kolegët më mirëpritën dhe më ndihmuan shumë sepse nuk kisha përvojë. E mora me qejf punën me fëmijët dhe me të vërtetë që edhe ata ma shpërblyen.

Hargalisjet e tyre më kujtonin harenë në shtëpinë time kur kam qenë fëmijë. Shkolla ku punoja, duke qenë se ishte shkollë e madhe, kishte edhe staf të shumtë. Kishte mësues gra e burra dhe ishin edhe tre djem beqarë, të tre shumë simpatikë.

Ata ishin profesori i fizkulturës, profesori i matematikës dhe nëndrejtori. Duke qenë e re dhe natyrë që vetëm kisha lexuar e jo shijuar jetën si moshataret e mia, isha shumë e ndrojtur.

Koleget e mia që kishin klasa të fillores filluan avash- avash të më ngacmonin.

– Zgjidhe njërin, – më thoshin e megjithëse e dija që ishte e gjitha në kuadër të shakasë, skuqesha e tëra.

Pas dy vitesh punë, ishte profesori i matematikës që më zgjodhi mua. Në festën që u organizua nga shkolla në fund të vitit kërceva me pothuajse të gjithë, por i vetmi që ma shtrëngoi dorën e më buzëqeshi më shumë ishte R. Kur vallëzuam bashkë, ai më pëshpëriti në vesh:

– E kam ëndërruar prej dy vitesh të të kem në krahët e mi e të të rrotulloj sipas dëshirës sime, yll i vogël, – e ndërkohë më rrotulloi. Më shtrëngoi aq fort gjatë kohës që më rrotullonte, sa i ndjeja rrahjet e zemrës së tij. Sigurisht që më rrënqethi ajo që më tha e shtrëngimi i duarve të tij.

Pas festës ai filloi të më fliste më shumë e të më rrinte më afër. Filluam të pinim kafet bashkë dhe pas dy muajsh “pranova” të bëhesha e dashura e tij. Ishim çift i bukur, gazmor dhe e kam shijuar atë kohë maksimalisht. Pas gjashtë muajsh me R. vendosëm të fejoheshim dhe prindërit e mi e miratuan menjëherë.

Verën e parë që u fejuam shkuam me pushime bashkë dhe ma merr mendja që do më kishte zili çdo grua nëse do të gjeja fjalët që t’i përshkruaja ato ditë të arta. R. ishte burri ideal, “princi i kaltër” që mund të ëndërrojë çdo grua.

– Mirëmëngjes pulëbardha ime, – më thoshte ndërkohë që më guduliste e puthte mëngjeseve. – Do dalim në plazh? Megjithëse bëhem xheloz që edhe dielli të përkëdhël e ngroh si unë, – thoshte e qeshte. Ata dhëmbët e tij të bardhë dilnin nga goja e tij e bukur dhe kur mendoja që më puthnin dhe i puthja, rrënqethesha e tëra.

Pas një viti fejese, ne u martuam. Morëm me qira një shtëpi pranë shkollës dhe jeta jonë si çift filloi. E doja jashtë mase R. jo vetëm sepse sillej shumë mirë për mua, por me të vërtetë ishte djalë i bukur.

– Po unë tani dua të kem edhe një beb të vockël që herë të qajë e herë të qeshë në krahët tanë shpirt, – më tha burri. – Me të vërtetë mendoj se ne duhet të kemi fëmijë. Jo se ne jemi keq me njëri–tjetrin, por shtëpia ka nevojë për pak zhurmë.

Dëshirën tonë Zoti e realizoi menjëherë. Pas tetë muajsh martese unë mbeta shtatzënë. R. më përkëdhelte barkun e më puthte si në mëngjes, edhe në darkë. Nuk harroi asnjë ditë të vetme gjatë gjithë shtatzanisë. Linda një vajzë katër kile, bardhoshe dhe sytë ngjyrë gri.

– Ngjyrën e syve e ka marrë nga komshiu, – thoshte e qeshte R. kur vinin të afërmit tanë për urim. Vajza u rrit dhe u bë si i ati në miniaturë. Kur vajza u bë pesë vjeçe, ne vendosëm të bënim një festë për ditëlindjen e vajzës. Diku në mes të festës i thashë në vesh:

– Kam një surprizë për ty, i dashuri im. – Më pa gjithë ankth duke menduar se çfarë mund të kisha planifikuar për festën. – Jo, jo surprizë për ty, – i thashë.

– Çfarë? – më tha ndërkohë që më shtrëngoi krahun që t’ia thosha në moment.

– Do të bëhesh baba prapë, uroj të jetë djalë këtë herë, – i thashë dhe e putha në faqe.

Ai menjëherë mori një pirun dhe u ra dy gotave që kishte aty afër duke kërkuar pak qetësi. U tremba sepse nuk desha ta bëj akaq të madhe, por tashmë ishte shumë vonë.

– Prindër, motra e vëllezër të mitë dhe të A., dua t’ju jap një lajm shumë të bukur për familjen time që së pari dua ta ndaj me ju. Me shpresën te Zoti që çdo gjë do të ecë mirë, ne do gëzohemi me fëmijën e dytë dhe që ishalla do t’i ngjajë mamit, se kjo e para mori nga unë… – tha.

Ndërkohë që më puthi e përqafi fort dhe të gjithë qeshën, ai mori vajzën në krahë e kërcente me ne të dyja.

Shtatzania e dytë shkoi mirë dhe linda djalë që fatmirësisht i ngjau të atit. Kur bëmë drekën e djalit të gjithë po i thonin se “kërkesa” e tij e dytë që fëmija t’i ngjante mamasë nuk i qe plotësuar.

– Atëherë duhet të bëj fëmijët e tretë dhe t’i jap urdhër t’i ngjajë mamasë, – tha R. dhe si gjithmonë e ndezi atmosferën. Edhe djali po rritej mrekullisht dhe ishte fëmijë i mbarë. Vazhduam të shijonim lumturinë tonë edhe disa vite, ndërsa R. filloi të dobësohej.

Në fillim menduam se e kishte ngaqë po mundohej të mbante dietë për shkak të peshës që kishte arritur. Por, nga dobësimi i menjëhershëm, ai filloi të kishte edhe ankesa të ndryshme.

– Duhet të vizitohem, por përtoj të sillem spitaleve, – thoshte ndërkohë që ankohej se i dhimbte vazhdimisht stomaku. Shkoi disa herë të mjekët e lagjes derisa pas dy muajsh analizash idiote që i jepnin të bënin, ata vendosën t’i thoshin që të shkonte në spitalin “Nënë Tereza”.

Edhe atje u desh një muaj shumë i gjatë e i lodhshëm për R. që të gjenim një mik e të diagnostikohej tamam. Por nëse deri në atë kohë ankoheshim se nuk e gjenin se çfarë kishte, atë ditë prilli mallkova veten dhe mjekun që na e tha aq të prerë:

– Kancer i shkallës së dytë në stomak, jeni me shumë vonesë zotëri, – dhe shikimi i tij i ftohtë na ngriu të dyve burrë e grua.

– Si ka mundësi, nuk mund të bëhet asgjë? Kam dëgjuar që bëhet operacion dhe hiqet ajo pjesë e stomakut që është e dëmtuar. Ai është shumë i ri dhe mund ta përballojë, – po përpiqesha të thoja diçka për të vërtetuar që ai nuk kishte të drejtë.

më kapi për krahu dhe më tërhoqi pranë vetes jo vetëm për të më ngushëlluar mua, por edhe për t’u mbajtur për vete. Edhe njëzet minuta pas asaj që kishte thënë mjeku, asnjëri nga ne nuk po e perceptonte dot lajmin e hidhur që kishim marrë.

– Po çfarë rekomandoni ju si mjek për gjendjen në të cilën jam? – pyeti R. më në fund si për t’iu bindur fatit të keq.

– Së pari mendoj se duhet të bëheni operacion dhe të shpresojmë që pas pastrimit që do të të bëjmë, sëmundja të mos përparojë. Pas operacionit duhet të bësh rreth dy vite kimioterapi, por nuk mund të them se sa efikase do të jetë.

Kjo është e vetmja rrugë dhe është mënyra më e mirë që të vuash sa më pak nëse gjërat nuk ecin mirë, – tha doktori këtë radhë më njerëzor.

U kthyem në shtëpi sikur të na kishin këputur kokën. Nuk qava vetëm në momentin që ushqeva fëmijët. Të nesërmen shkuam sërish në spital për të vendosur datën e operacionit dhe për të pyetur një infermiere, kushërirën e largët të burrit tim se sa do të na duhej t’i jepnim mjekut.

Pasi vendosëm datën e operacionit me mjekun, u kthyem në shtëpi të vrarë totalisht. Herë më dukej sikur koha po ecte më shpejt se më përpara e herë më dukej sikur kishte ndaluar që unë të vuaja sa më shumë. Operacioni sipas mjekut shkoi mirë. Burri ndenji dy javë e gjysëm në spital dhe pothuajse gjithë kursimet tona shkuan për atë operacion.

– Kimiot, nëse keni mundësi, blijini jashtë Shqipërisë se janë më të mira, – tha doktori. – Po ju jap një recetë që ta vulosni në Ministrinë e Shëndetësisë dhe nëse i merrni ilaçet jashtë, do të vini që t’i bëjmë këtu në QSUT.

Duke ditur që jashtë Shqipërisë do të ishin më shtrenjtë, ne pyetëm në farmacitë e Tiranës se mos kishte atë lloj. Në njërën nga farmacitë ku shkova të pyesja, një burrë që m’u paraqit si pronari më tha që nuk kishte, por mund të m’i sillte.

Më tha çmimin se sa do të shkonin dhe ndërkohë që më zgjati letrën me çmimin të shkruar në euro dhe në lekë, më kapi gishtin. Shikimi i tij ishte shumë i qartë.

– Shpresoj që burri të të bëhet më mirë, por më shumë shpresoj që të vish një ditë tek unë, – më tha, ndërsa unë dola gjitha nerva nga krupa që ndjeva në atë moment. Në çfarë halli isha unë e çfarë donte ai! Nejse, e harrova shumë shpejt sepse kisha gjëra shumë më të rëndësishme për të menduar.

Kështu, i thamë kushëririt të parë të burrit tim, i cili na i solli dy kimiot e para dhe tha:

– Më vjen keq që po të bëj dhuratë një ilaç, por këto dy të parat s’do t’i paguash ti. Kur të të sjell të tjerat do të jem i detyruar të t’i marr paratë se me të vërtetë që nuk ia dal dot dhe unë me tre fëmijë atje.

– Faleminderit që m’i solle se ke bërë rrugë e shpenzime edhe që erdhe deri këtu për t’i sjellë, – i tha burri, – po më vjen keq të të gjobis kështu.

– Shpresoj të të japin efektin e duhur kusho dhe shiko e bëhu mirë. Gruaja ka nevojë për burrë e fëmijët kanë nevojë për baba. Mbaje parasysh këtë e do ta shohësh që do të bëhesh më mirë, – tha ai, ndërsa e përqafoi burrin tim.

Ndërkohë që im shoq ishte sëmurë, drejtori i shkollës dhe gjithë stafi na ndihmuan sa mundën jo vetëm me punë, por edhe na mbështetën moralisht sa s’gjej fjalë t’i falënderoj. Blemë edhe katër kimio të tjera dhe kur kontrollova sasinë e parave në bankë e pashë që nuk kisha më asnjë shpresë për të paguar edhe tre të tjerat për të cilat kishim porositur kushëririn e burrit.

Nuk kisha kujt t’i kërkoja borxh sepse e dija që as njerëzit e mi e as të R.-së nuk ishin të kamur. Veç dhimbjes që e shihja burrin të më tretej çdo ditë para syve, fëmijëve që e kuptonin që diçka nuk shkonte, tani më doli para edhe problemi i parave. Zgjidhja e vetme ishte miqësia me pronarin e farmacisë ku kisha pyetur në fillim.

U përpëlita mes dhimbjes për humbjen e burrit, dhimbja se nuk kisha më para që ta ndihmoja me shpresën se do bëhej më mirë ose të paktën do ia lehtësoja dhimbjen, turpit që më duhej të bëja dhe epitetit që do më vihej nëse do ta bëja atë hap.

Kështu, pesë ditë para se të vinin ilaçet e burrit nga Italia, shkova te farmacia. E gjeta aty zotërinë që, sapo më pa, qeshi si me triumf. E kuptoi nga pamja ime që isha dorëzuar.

– Po zonjë, mund të të ndihmoj, – më tha me një mirësjellje të shtirur.

– Erdha të të ftoj për kafe, – i thashë dhe u përpoqa të ndaloja dridhjen e duarve.

– Lina, do dal për kafe me një shoqe shkolle, – i tha ndihmëses së tij. – Do vonohem pak dhe nëse ka ndonjë problem, flasim në telefon, – e ndërkohë dolëm të dy nga farmacia.

– Atëherë, ku do ta pimë kafenë? – më tha ndërsa më shihte me ata sytë si gjarpër.

– Nuk kam ndonjë të preferuar, – i thashë dhe u përpoqa të mos qaja.

– Të pëlqen kafja turke? – tha dhe priu rrugën për nga e majta. E ndoqa nga pas dhe sapo doli në cep të pallatit, u kthye e më tha:

– Nuk kam njeri në këtë shtëpi, e kam vetëm për qejfin tim, – tha dhe eci para.

E ndoqa me këmbët që më dridheshin dhe në ashensor po më priste me atë buzëqeshjen e tij të pështirë. Shtëpia e tij ishte e këndshme, e vogël dhe e mobiluar thjesht. Më drejtoi menjëherë nga dhoma e gjumit dhe ndjeva duart e tij në trup. Pa më pyetur për emrin as për asgjë, m’u sul. Nuk kisha asnjë mundësi kundërshtimi. Kisha shkuar vetë dhe me atë qëllim.

– Atëherë, para se të fillojmë dhe mbarojmë, – tha ai, – të pëlqen të bëjmë seks bashkë?

– Jo, më shumë më duhen kimiot e burrit sesa seksi për momentin, – i thashë. Shtangu njëherë dhe për dy apo tre minuta po më shikonte si i çmeritur. Mendova se e humba shancin për ilaçet e burrit, por në fakt ndodhi e kundërta.

– Prandaj më pëlqen kaq shumë ti. Di si ta bësh për vete një burrë, më saktë, di ta çmendësh. Dhe në fakt kam kaq kohë që pres të vish. Të jesh e sigurt që do të sillem mirë me ty sepse me të vërtetë ti më pëlqen dhe ilaçet e burrit do të t’i sjell, – tha dhe iu kthye përkëdheljeve.

Kisha muaj pa bërë dashuri dhe thellë-thellë e kuptova që kisha patur nevojë, por me burrin të sëmurë në atë gjendje as që më kishte shkuar ndërmend.

Pasi bëmë dashuri ai tha: – Atëherë, kur duhet të t’i sjell ilaçet?

– Në fakt, ilaçet i kam porositur dhe më vijnë pas pesë ditësh, por unë nuk kam para t’i paguaj, – i thashë dhe dëshira e vetme që kisha në atë moment ishte që të pësoja ndonjë infarkt.

– Do të t’i jap mbasdite aq sa të duhen, por ti duhet të më premtosh që lidhja jonë do të zgjasë ca kohë, domethënë, edhe pas vdekjes së burrit tënd. Unë jam i martuar, por nuk më pëlqen shumë gruaja ime. Ti je e vetmja femër që më çmend, – dhe më puthi me një forcë të jashtëzakonshme.

Mbasdite erdhi aty ku e kishim lënë dhe më solli paratë… Lidhja ime vazhdon edhe sot e kësaj dite që burri im ka tre vjet që ka ndërruar jetë. E fillova këtë lidhje për ilaçet e burrit e tashmë kam mbetur e lidhur sepse kam filluar ta dua këtë burrë…