Hoxhaj takon Grubin: Të mobilizohet diapora shqiptare për regjistrimin në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët të jenë faktor në Ballkan si gjermanët në Evropë

156

Prishtinë, 18 mars 2021 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur në takim zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, njëherësh ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi.

Pas takimit, Hoxhaj në një konferencë për media ka treguar se me Grubin kanë diskutuar për dy çështje të rëndësishme jetike për rajonin, për shqiptarët dhe për Kosovën, që janë procesi i regjistrimit civil të popullsisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe organizimin e një mbledhjeje të përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, gjë që e kanë diskutuar me Grubin në kohën kur Hoxhaj ka qenë ministër i punëve të jashtme.

Hoxhaj ka bërë thirrje që e gjithë diaspora shqiptare nga Ballkani ta mbështesë procesin e regjistrimit civil në Maqedoninë e Veriut.

“Ky nuk është një proces teknik, është një proces shumë i rëndësishëm politik që ka të bëjë me të ardhmen e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, prandaj në emër të PDK-së dua t’i ftoj të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që marrin pjesë në mënyrë aktive në regjistrimin civil që të shihen se sa shqiptarë jetojnë gjatë vendit që të tregojmë se ne jemi në Ballkan sikurse është faktori gjerman në Evropë.”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka ftuar qeverinë e ardhshme që të iniciojë mbajtjen e mbledhjes midis dy qeverive meqë kjo do të kishte ndikim të madh në bashkëpunimin politik, në fushën e sigurisë, atë të mbrojtjes dhe në atë të zhvillimit ekonomik.

“Mbi të gjitha ky takim do të kishte ndikim edhe sa i takon bashkëpunimit ndërnjerëzor dhe ndërvëllazëror në mes Prishtinës, Shkupit dhe Tetovës.”, ka theksuar ai.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi duke se thënë se Enver Hoxhaj është mik shumë i madh i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut e ka ftuar që t’i dalë në ndihmë në procesin e regjistrimit civil, ashtu siç i kanë bashkërenditur aktivitetet në diasporë në të kaluarën.

“Bashkë i kemi prirë shumë procesve në të kaluarën dhe bashkë do të vazhdojmë t’i prijmë në të mirën e dy vendeve tona edhe në të ardhmen.”, ka thënë ai.

Sipas Grubit, rritja e numrave të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut është jetike për të ardhmen e tyre.

“Janë mbi 15 marrëveshje bilaterale që po presim nënshkrimin. Mezi po presimin formimin e institucioneve në Kosovë për të zbatuar marrëveshjet, duke filluar edhe me largimin e kufirit në mes nesh në Bllacë, Bellanicë.”, ka theksuar Grubi.