Dimër ne pranverë! Sinoptikanët tregojnë se çfarë na pret në fundjavë

176

Në pamjet kryesore shihet cikloni i fuqishëm mesdhetar që tani po largohet gradualisht në drejtim të Turqisë dhe pastaj në Azi. Ishte ky ciklon që na solli edhe njëherë dimirn duke mos lejuar që të na ikë sikur dimri i vitit të kaluar me shumë pak reshje bore gjatë gjithë stinës.

Cikloni i pasur me shumë lagështi i ndihmuar nga Anticikloni i fuqishëm në Atlantik afër Britanisë së Madhe tërhoqi masën e ftohtë polare ajrore dhe rrjedhimisht ende kemi reshje të dendura bore. Me largimin e ciklonit vendin e tij po e zë anticikloni i fuqishëm nga Britania, por korridori i ajrit të ftohtë nga veriu është ende i hapur dhe vazhdon të depërtojë me fronte të reja të ftohta ajrore gjatë javës.

Këto fronte nuk do të sjellin reshje gjithëpërfshirëse, por herë pas here priten reshje dëbore gjatë ditës së martë dhe po ashtu edhe të mërkurën do të kemi frontin më të ri të ftohtë ajror me reshje lokale bore shkurtimisht të dendura në disa rajone. Nuk do të mungojnë edhe erërat e ftohta dhe herë pas here të fuqishme nga veriu.

Nga e enjtja dominim anticiklonik, por mbetet shumë ftohtë dhe me mundësi për acar të fortë në mëngjes.

Nga e premta përmirësim gradual i motit dhe ngritje graduale e temperaturave ditore, por mëngjesi ende pritet të jetë me acar në viset tona kontinentale.