Akademia Shqiptaro-Amerikane e shkencave dhe arteve e New York-ut në Shba memorandum istitucioneve të Kosovës

208

AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E NJU-JORKUT NË SHBA

KËRKON NGA :

Presidenti i Republikës së Kosovës,

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës,

QË TË MARRIN PËR SHQYRTIM DHE MIRATIM këtë M E M O R A N D U M Me anë të cilit Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve e Nju-Jurokut në Amerikë, me vetëdije dhe me arsye të plotë (historike, politike e kombëtare) KËRKON nga institucionet e sipërtheksuara që në kuadrin e autorizimeve dhe të kompetencave ligjore dhe kushtetuese shtetërore si përfaqësues legjitimë dhe legalë të përfaqësimit dhe të mbrojtjes së interesave vitale të KOMBIT dhe të ATDHEUT, ta MARRIN NË SHQYRTIM këtë MEMORANDUM tonin, që ka të bëjë me NDRYSHIMIN e sintagmës emërtuese nga “REPUBLIKA E KOSOVËS” në “REPUBLIKA E DARDANISË”. Jemi të bindur se ky ndryshim i toponimit “Kosovë” me origjinë sllave në toponimin burimor iliro-shqiptar “Dardania”, do t’i ketë efektet e tij pozitive edhe në sfondin e historisë kombëtare shqiptare, edhe të asaj ndërkombëtare botërore. Nevojitet të jemi në paqe me vetëdijen dhe me racionalen njerëzore dhe kombëtare, deri kur, do t’i përdorim emërtimet sllave si “pronë vetjake”, si “idenitet historik “, si “identitet kombëtar”, si “ identitet atdhetar” dhe, si “identitet territorial e shtetëror” shqiptar , që kanë pasur dhe që, edhe sot (XXI) kanë për qëllim të fundmë tjetërsimin dhe gllabërimin e territoreve shqiptare dhe të ndryshimit të strukturës demografike të tyre. Në këtë vështrim, lind pyetja e pashmangshme , kush është ai politikan-sundimtar shqiptar, cila është ajo politikë dhe, cila është ajo shkencë, kush e ka atë të “drejtë” dhe atë “autorizim” ligjor dhe shkencor, që fëmijët dhe brezat tanë t’i helmojnë me shekuj, duke i ushqyer, duke i edukuar dhe, duke i arsimuar mbrapsht e gabimisht me historinë mitomane, falsifikatore, toksikologjike kolonialiste dhe hegjemoniste sllave, që edhe përmes ngulitjes së toponimeve sllavo-bizantime mëton të “dëshmojë” të drejtën historike të lashtësisë shekullore të tyre mbi tokat autoktone iliriko-shqiptare në Gadishullin Ilirik. Si elita politike, ashtu edhe ajo shkencore shqiptare, duhet të mbajë parasysh faktin se, ngulitja e toponimeve sllave në tokat indigjene iliro-shqiptare nuk është bërë nga kolonët sllavë, por nga vetë shtetet sllave (me projekte dhe me investime “nacionale” afatgjata) në mënyrë të organizuar dhe të institucionalizuar sipas “ recetës” së politikës simfoniko-kakofonike të shtetit dhe të Kishës Ortodokse Serbe, duke paguar shuma të mëdha parash, si dhe duke angazhuar priftërinj, politikanë dhe shkencëtarë të tyre, siç ishin ndër ta, edhe Jovan Cvijiq dhe Radoje Domanoviq, të cilët me muaj e me vite patën shkelur çdo pëllëmbë të territoreve autoktone iliro-shqiptare, duke “mbjellur” toponime sllave, të cilat, fatkeqësisht, edhe sot në fillim të dekadës së tretë të shekullit XXI, figurojnë si “dëshmi” e lashtësisë së sllavëve të dyndur në tokat iliro-shqiptare. Pikërisht, mbi këtë falsitet historik, Beogradi zyrtar (shteti, kisha, akademia) po kërkojnë nga BE-ja, nga Amerika, nga OKB-ja, nga Kina dhe nga Rusia, që Kosovën t’ia rikthejnë Serbisë, se gjoja kjo na qenka “djepi” , “koka” dhe “zemra” e Serbisë!?

Për të ndërprerë këto kërkesa të politikës kolonialiste , militariste dhe hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës, së pari, nevojitet që Presidenti, Kryeministri dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të marrin në konsideratë këtë MEMORANDUM për ndryshimin e emrit “Kosova” në emrin “Dardania”.

Kjo është e domosdoshme të bëhet nga Prishtina zyrtare, ndryshe Beogradi dhe sllavët e tjerë ballkanikë në vijimësi, do t’i kërkojnë territoret e Shqipërisë Etnike, duke u thirrur në të drejtën historike të toponimeve sllave, të cilat në sy të Evropës dhe të botës, po i përdorin si argumentet më të fuqishme për të justifikuar kolonializmin gjenocidal ndaj kombit shqiptar dhe Shqipërisë Etnike (1878-2021). A R S Y E T I M

Tributë ardhacake, kudo që dynden, kanë si qëllim pushtimin e trojeve ku ngulen, grabitjen e pronave të banorëve rrënjës dhe shpërnguljen e tyre. Prandaj edhe ardhacakët sllavë të njëjtat synime i patën vënë vetes kur pushtuan tokat e Ilirisë. Me kalimin e shekujve, duke u bërë pronarë në trojet ilire, ata i shtuan orekset e veta dhe hartuan strategjinë afatgjatë për zhdukjen tërësore të popullsisë iliroshqiptare nëpërmjet vrasjeve, dëbimit të dhunshëm, shpërnguljeve dhe asimilimit tërësor. Një nga mënyrat e sllavizimit të plotë të trojeve tona ishte edhe mbivendosja e emërvendeve (toponimeve) sllave në vend të toponimeve të lashta iliroshqiptare.

Shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare, habiten se si është e mundur që as figurave të shquara të shkencës sonë gjuhësore, as Akademisë së Shkencave në Tiranë dhe në Prishtinë, nuk u patën ngjallur kurrë shqetësime “pushtimet” e toponimeve të lashta iliroshqiptare prej toponimeve të ardhacakëve sllavë. Kjo është fatkeqësi e rëndë për etninë shqiptare, që e ka burimin te mefshtësia e politikës mbarëshqiptare, te moskokëçarja absolute e shkencës sonë gjuhësore dhe e akademive të shkencave, të cilat ndodhen para një fakti të kryer dhe nuk u bën fare përshtypje kur në hartë lexojnë toponime të tilla të pastra sllave, si Çorrovodë, Kamenicë, Konispol, Novosellë, Suharekë, Velipojë e të tjera e të tjera, deri në pafundësi, dhe që, paradoksalisht, vazdojnë t’u “zënë frymën” toponimeve të lashta ilire. Por toponimi sllav që të revolton shumë e shumë më tepër, është toponimi Kosovë, të cilin pushtuesit sllavë e mbivendosën në vend të toponimit të lashtë ilir – Dardani.

Mendojmë se pas shpalljes së pavarësisë, njëri nga vendimet më të rëndësishme që duhej të kishte marrë Kuvendi, duhej të kishte qenë vendimi për rikthimin e emërtimit të lashtë Dardani, që do të shërbejë edhe si një shuplakë e fuqishme kundër shovinizmit serbosllav, i cili, sipas kushtetutës së vet, trojet e lashta dardane vazhdon t’i konsiderojë si pjesë të territorit të Serbisë, me emërtimin

Kosovo.

Prandaj, Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve e Nju-Jorkut në SHBA KËRKON QË :

Presidenti i Kosovës, Glauk Knjufca (U.D.),

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca,

TË APROVOJNË KËTË MEMORANDUM për ndryshimin e toponimit sllav “Kosova” në toponimin iliro-shqiptar “DARDANIA” , në mënyrë që fëmija dhe rinia jonë ta dinë se kush jemi, nga vijmë dhe, cila është zanafilla jonë e lashtë historike dhe etnike si komb, si territor dhe si atdhe.

AKADEMIA SHQIPTARO-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E NJU-JORUKUT NË SHBA,

Presidenti,

Akademik Prof.Dr.Skënder Kodra

Nju-Jork, më 27 mars 2021