A ju bën më të zgjuar përdorimi i dorës jo-dominante?

142

Në shumë blogje këshillohet të stërvisni dorën tuaj jo-dominante, për të “stimuluar funksionet njohëse dhe krijuese të trurit” dhe shumë faqe interneti për Alzheimer thonë se larja me dorën tjetër përmirëson “aftësinë e trurit”.

Mesazhi joshës është i thjeshtë: Praktikoni duke përdorur dorën tuaj jo-dominante për të krijuar lidhje më të forta me hemisferat e trurit, duke u bërë një person më i zgjuar, më i aftë. Megjithatë, ndonëse mund të duket si një propozim i arsyeshëm, studiuesit thonë se nuk funksionon.

“Nuk është një ide e keqe, që aftësi të caktuara, të jenë të mira në secilën anë”, thotë Michael Corballis, një profesor i psikologjisë në Universitetin e Auckland. “Por a ju bën kjo më të zgjuar? Dyshoj për këtë.”

Dhe në fakt, dyshimet janë me vend. Një eksperiment i vitit 2016 sfidoi pjesëmarrësit që shkruajnë me dorën e djathtë, të vizatonin forma me dorën tjetër për 20 minuta çdo ditë, për 10 ditë. Studiuesit vunë re se skicat filluan të përmirësoheshin me kalimin e kohës, por vetëm kaq. Nuk u vë re asnjë lloj “përmirësimi” në tru apo diçka të ngjashme.

Mosbalancimi i trurit është një tipar, jo një defekt

Për më tepër, ideja se një dorë është “e dobët”, apo me të meta, është tërësisht e gabuar sepse të dyja duart kanë forcën e tyre. Ndërsa dora juaj dominuese shkëlqen në lëvizjet precize, dora juaj jo-dominante ka një qëndrueshmëri më të mirë. Kjo është arsyeja pse dikush mban një pako të madhe me dorën e majtë, teksa hap një derë me të djathtën.

“Të paturit kontroll tek të dyja duart mund t’ju bëjë një pianist të suksesshëm apo një lojtar legjendar tenisi, por nuk mendoj se këto lloj ndryshimesh lidhen me të qenit më të zgjuar në të ardhmen”, shprehet Benjamin Philip, një neuroshkencëtar i cili punoi në studimin e bërë.