AP: Dhjetëra të mitur të ndaluar në protestë, dhunë dhe presion në komisariate

146

Avokati i Popullit ka inspektuar komisariatet e Policisë në vend me qëllim për të zbuluar nëse Policia po I respektonte të drejtat e të ndaluarve prej saj gjatë protestave që po zhvillohen në të gjtihë vendin kundër vrasjes nga Policia të 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Nën vëmendjen e Avokatit të Popullit kanë qënë në veçanti të miturit nën 18 vjeç, pasi ata përbëjnë një numër të konsiderueshëm ndër të shoqëruarit nga efektivët.

L
AP ka konstatuar se numri i të shoqëruarve ka qenë i lartë: 124 persona, nga të cilët 57 të mitur.

Të miturit janë lënë të lirë pas verifikimit të tyre dhe në momentin e inspektimit janë gjendur vetëm 2 të mitur të arrestuar, njëri 16 vjeç dhe tjetri 17 vjeç.

Ky është një numër disa herë më i lartë se kapacitetet e shoqërimit dhe ndalimit në drejtoritë vendore dhe komisariatet e kryeqytetit, të cilat kanë mundësi akomodimi vetëm për 33 të shoqëruar dhe rreth 25 të arrestuar. Këto janë kapacitetet në gjendje normale, pa marrë në konsideratë masat shtesë të distancimit për shkak të emergjencës shëndetësore.

Nga të ndaluarit, pati vetëm një numër të kufizuar pretendimesh për veprime të dhunshme nga ana e punonjësve të Policisë por nuk pati ankesa formale të paraqitura për të mundësuar më tej hetimin e institucionit tonë.

AP tha se janë shoqëruar edhe disa të mitur nën moshën 14 vjeç dhe se procedurat e shoqërimit për ta kanë paraqitur disa probleme për të cilat do të kryhet një hetim i thelluar.

Në Komisariatin nr.3, ishin shoqëruar 13 të mitur të cilët ishin lënë më pas të lirë, pas kryerjes së procedurave.

Në Komisariatin nr.1 situata paraqitej më komplekse për shkak të numrit masiv të të shoqëruarve që ishin sjellë këtu.

Në këtë Komisariat ishin shoqëruar fillimisht rreth 50 persona, nga të cilët 25 të mitur, këta të fundit, pa raport shërbimi. Të miturve u ishin marrë gjeneralitetet dhe ishte komunikuar me prindërit.

Gjatë momentit të inspektimit në dhomat e shoqërimit dhe ndalimit në Komisariatin nr.1 ishin 16 persona, nga 6 persona që ishte kapaciteti.

Në Komisariatin e Policisë Nr.2, janë shoqëruar 38 persona, 10 prej të cilëve nën moshën 18 vjeç.

Në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në datën 10.12.2020, janë shoqëruar 17 veta, 9 prej të cilëve nën moshën 18 vjeç. Këta të fundit janë lënë të lirë një orë pas shoqërimit.

Të gjithë të arrestuarit u intervistuan për veprimet e kryera në protestë. Disa prej tyre pretenduan se kanë marrë pjesë në protestë, por nuk kanë kryer veprime të dhunshme.

Disa të tjerë pretenduan se kanë qenë kalimtarë të rastit dhe nuk kanë marrë pjesë në protestë.

Dy të miturit, të pyetur nëse kanë qenë të pranishëm avokati apo psikologu gjatë marrjes në pyetje, u përgjigjen se janë pyetur vetëm nga punonjësi i Policisë i cili i ka bërë presion të pranonte se kishin kryer veprime të dhunshme.

Ata pretenduan se avokati ka ardhur në një moment të dytë dhe ka firmosur dokumentat që mbanin me vete (procesverbal të arrestimit, procesverbal të kontrollit personal dhe letrën e të drejtave të të miturit nën hetim).