Nëse në vitin 1914 emigrimi evropian arriti piken më të lartë në historinë e Argjentinës, llogaritet se 1,760.000 persona kanë hyrë brenda kufijve të shtetit në periudhën 1091-1910 (Devoto, Fernando J, Historia de la inmigración en la Argentina, Bs. As, Sudamericana, 2003, f. 162), nuk duket e vështirë të pranojmë se shqiptarët pak kanë ndikuar në atë shifër, pasi ishin në numër më të vogël në mesin e “kombësive të tjera” sipas regjistrimit të tretë kombëtar të atij viti. Italianët, për ndryshim nga fqinjët e tyre më të afërt mesdhetar, vendoseshin në anë të kundërta, që me kalimin e kohës përbënin numrin më të madh të të arriturve në shtet. Që të kemi një ide më të qartë, llogaritet se 4,200.00 emigrantë evropianë kanë hyrë në Argjentinë në mes të viteve 1881 – 1914. Nga ta, rreth 2,000.000 ishin italianë, 1,400.000 spanjollë, 170,000 francezë dhe 160.00 rusë (Devoto, Fernando J, “La inmigración” en Nueva Historia de la Nación Argentina, Bs. As, Academia Nacional de la Historia-Ed. Planeta, 2000, T IV, p. 89.); dhe kjo natyrisht duke mos llogaritur një numër të madh prej tyre që u kthyen në vendlindje. Në një mënyrë ose tjetrën numrat pa dyshim janë të diskutueshëm.
Megjithatë, nëse shikohet me kujdes, mund të tregohet një histori tjetër. Për shembull, nuk është krejt e saktë nëse i referohemi vetëm një brezi të “emigracionit italian në Argjentinë”, sepse kur filloi ky proces, as Italia dhe as Argjentina nuk ekzistonin si shtete; e para e konsoliduar si e tillë në vitin 1870 pas marrjes se Romës, ndërsa e dyta dhjetë vjet më vonë, kur autoritetet kombëtare morën kontrollin e kryeqytetit Buenos Aires. Ndërkaq, njerëzit e zakonshëm që nuk mund të merrnin shtetësinë – komb inekzistentë ose prezentë vetëm në mendjet e disa politikanëve dhe intelektualëve iluministë, dhe të cilët identifikoheshin me mënyrën e tyre të jetesës, gjuhën, kulturën, vendlindjen, si dhe rajonet që ndanin me fqinjët, ku dominonin vlerat me të cilat i udhëhiqnin veprimet e tyre përgjatë gjithë jetës. Dhe kështu logjikisht vazhdon formimi i shteteve kombëtare, ku askush nuk ndryshon automatikisht brenda një dite dhe në asnjë çast nuk e harrojnë besimin në të cilin janë formësuar ata dhe brezat para tyre, nga një ndryshim i thjeshtë politik të cilin as nuk e njihnin. Për më tepër, këtë “ndryshim” të identiteteve ata e mendojmë si një proces të pushtimit gradual, avancim i një identiteti të ri por me rrugë të ndryshme, duke qenë edukimi dhe sistemi arsimor njëra ndër mënyrat e preferuara të këtij konvertimi, por jo edhe e vetmja. Madje, “gjenovezët” që erdhën këtu në mes të viteve 1850 – 1860, por edhe më herët, të cilët nganjëherë njiheshin edhe si “italian”, nuk vendoseshin në tërë Argjentinën, por së pari në Buenos Aires, Uruguai, Paraguai, si dhe në krahinat bregdetare të lumenjve dhe përroskave të “Río de la Plata”, ku kontrollonin trafikun detar përgjatë viteve. Domethënë, ata nuk shkuan në ndonjë qytet të caktuar, por në një rajon i cili kalonte kufijtë kombëtar, ku zhvillohej një veprimtari të cilën ata përgjatë gjithë traditës së tyre lundruese e ushtruan me leverdi.
Përballemi kështu me një ndryshim të perspektivës. Shpërnguljet mund të studiohen në nivel kombëtar, por gjithashtu më gjerësisht dhe në intensitet më të madh në nivel rajonal dhe lokal, për të ofruar shpjegime më të besueshme dhe të më të përafërta nga pikëpamja e emigrantëve (Dalla Corte, Gabriela y Fernández, Sandra, Lugares para la historia: espacio, historia regional e historia local en los estudios contemporáneos, Rosario, UNR, 2001.), sepse kjo që u ndodhi gjenovezëve nuk u ndodhi vetëm atyre, mirëpo shembulli i tyre mund të shihet në mijëra herë, siç ndodhi me rastin e baskëve të cilët krijuan identitetin e tyre mbi kufijtë e Spanjës dhe Francës, që kishte pak rëndësi për ta, dhe u angazhuan në vendpunishtet që i pozicionuan ata si tregtarë të mëdhenj, njëjtë sikurse fermerët, pronarët e tokave apo mjeshtërit e thjeshtë. Fakti që baskët dhe gjenovezët në mes tjerëve mund ti gjenim të shpërndarë në të gjithë tregun e punës, ata përqendroheshin në disa profesione shumë të veçanta që flet shumë për ta, dhe është tregues i proceseve tjera për të cilat do të flasim më vonë. Për momentin na mjafton të themi që është e padrejtë t’i referohemi shumë një gjenerate të “emigracionit evropian në Argjentinë”, sepse emigrantet nuk u shpërndanë përgjatë gjithë vijës bregdetare të shtetit, por mbi të gjitha ata u përqendruan në qytetin dhe krahinat e Buenos Aires, në fushat e pasura të krahinave fqinje si: Santa Fe, Entre Ríos, Córdoba o La Pampa, në tokat e pabanueshme të Patagonias, si dhe ne rajonet agro-industriale të sheqerit “Tucumán” dhe verës “Mendoza”. Por shkalla e prezencës së tyre ishte shumë inferiore në krahinat në brendinë e thellë, kështu që nëse në vitin 1914 emigrantët përbënin një të tretën e popullsisë së fshatrave dhe qyteteve të Buenos Aires, pak mbi nivelin kombëtar, dhe ishin gjysma e popullsisë mashkullore të kryeqytetit të Republikës së Argjentinës, megjithatë shumë pak mund të gjinden në rajonet veriore Katamarka dhe Salta, të prekura nga gjurmët e civilizimeve indigjene/vendase dhe nga pushtimi dhe dominimi i kolonive spanjolle.
Duke marrë parasysh numrin e madh dhe problemet që dalin nga statistikat e hyrje-daljeve të emigrantëve dhe të regjistrimit kombëtar, analiza mikro-hapësinore mund të zhvillonte format e artikulimit shoqëror që e ngarkojnë edhe më shumë peizazhin heterogjen në përgjithësi shumë kulturor të Argjentinës të para Luftës së Parë Botërore. Një shembull që meriton vëmendjen tonë në këtë artikull. Para disa vitesh, ishim duke studiuar përbërjen rajonale të emigracionit italian të drejtuar në Luján, që gjendej shtatëdhjetë kilometra në perëndim të qytetit dhe portit të Buenos Airesit. Shumë shpejtë, informatat e zbërthyera nga librat e gjendjes civile (lindjeve, martesave dhe vdekjeve) të regjistrit civil (Registro Civil de las Personas de Luján. Libros de actas de matrimonios. Libros de nacimientos y. Libros de defunciones (1889-1930). (Regjistri civil i banoreve të Luján. Certifikata e martesës, certifikata e lindjes, certifikatat e vdekjes (1889-1930), që përmbajnë të dhënat jetike të qyteteve dhe fshatrave të origjinës së emigrantëve italianë që jetojnë këtu, filluan të qarkullojnë zërat për fshehjen e shifrave në nivel shtetëror. Për italianët që vinin në Luján nuk mund të thuhej me vendosmëri që vinin nga e gjithë Italia. 15% ishin nga qytetet e vogla si “Piamontesa Mongiardino” në veri të gadishullit, 16% (Cipolletta, Elisabet, Silvestrín, Ana María y Marquiegui, Dedier Norberto;, “Inmigración italiana a Luján (1880-1914)” en Cuadernos de Historia Regional, vol V, nº 14, año 1989, f. 3-23.) nga krahina kalabreze “Cosenza” në jug. Pjesa dërrmuese e emigrantëve vinin nga një numër i vogël fshatrash të afërta me njëra tjetrën, të viseve malore të vendosura në mes të Apenineve dhe Detit Jon. Emrat e tyre: San Demetrio Corone, Santa Sofía d´Epiro, Vaccarizzo Albanese, San Cosmo Albanese, Macchia Albanese, ishin tregues të diçkaje që dukej e fshehur dhe që na tregonte gjurmët e një realiteti shumë më përfshirës që ishte në pritje të zbulohej (Ginzburg, Carlo, “Huellas. Raíces de un paradigma de inferencias indiciales”, recientemente reeditado en Tentativas,. Rosario, Prohistoria, 2004.). Shumë shpejt gjërat filluan të qartësohen. Në fakt bëhej fjalë për emigrantët që nuk mund të quheshin në të vërtetë italianë dhe as kalabrezë, por që ishin shqiptarë, më saktësisht arbëreshë të lindur në disa pjesë të vogla të Italisë. Pasardhës të drejtpërdrejtë të migrimeve të mëdha që nga shekulli XV ose dhe më herët, që kishin lejuar transferimin e pjesëve të tëra të Shqipërisë nën sundimin turk, edhe pse në parim kjo është një pike që duhet të përqendrohet sidomos në zonën e Kavajës e në të njëjtën mase edhe në Shkodër e Tropojë, të cilët gjetën strehim aty, dhe qe nga atëherë banimet e tyre te reja. Disa, emigrantë politik pjesëmarrës të krahut të pavarur të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, më shumë emigrantë socio-ekonomik, të prekur nga pasojat e tmerrshme të luftës (Rotelli, Claudio (a cura di), Gli albanesi in Calabria. Secoli XV-XVIII, Cosenza, Edizioni Orizzonti Meridionali, 1990).
Për kuriozitet, deti të cilin duhej ta kalonin për të arritur në vendbanimet e tyre të reja, në vend se ti largonte ata, i afronte edhe më shumë me rrënjët e tyre. Kështu, të përfshira të gjitha fshatrat në një zonë me rreze të gjerë prej dhjetë kilometrash, e cila mund të ecej në këmbë brenda një dite, duke e ndërtuar atë që sociologët dhe antropologët e përshkruajnë si zonën e parë të kontaktit ndërpersonal, ku të gjithë anëtarët shoqërohen çdo ditë dhe jetojnë në kontakt të përhershëm, duke u njohur si pjesë e një identiteti të njëjtë, të një zone që italianët e quajnë “paese” (vend) me “p” të vogël për dallim nga “P” e madhe të “Paese” të shteteve kombëtare ku dominojnë banorët “paesanos”, e një kulture të përbashkët (Morel, Alain, “L’espace social d’un village picard” en Etudes rurales, 45, nº 73, 1972, f. 62-80.). Një tipar i theksuar në kohën kur komunikimi ishte i vështirë dhe realizohej në këmbë ose gomar, për shkak të terrenit malor me zonat qe i rrethonte fshatrat që shërbenin si vendqëndrim, me tendencë izolimi duke i ndarë nga pjesa e tjetër e Kalabrisë, që në të njëjtën kohë konfirmon mbështetjen e tyre për vlerat dhe kulturën e tyre të Gadishullit Ballkanik. Pra, nuk është e vështirë të nuhasim origjinën e zakonshme sociale të banorëve të fshatit arbëresh te Cosenza, që la një gjurmë të fortë në transferimin e personave dhe në të njëjtën kohë paralelisht transferimin e mënyrës së jetesës, zakoneve dhe gjuhës së tyre. Për këtë arsye, arbëreshët zakonisht nuk flisnin italisht në mes vete por e bënin në një variant të gjuhësh shqipe të njohur si arbëreshe, një emër që u bë i njohur dhe me të cilin u identifikua i gjithë komuniteti arbëresh. Natyrisht, nuk ishte vetëm gjuha elementi i vetëm që dallonte popullin me origjinë nga Shqipëria. Edhe feja luante një rol të rëndësishëm duke konsideruar banorët si pjesë e besimit katolik por me rite greko-bizantine. Duke ruajtur në të njëjtin nivel elementet tipike të veshmbathjes, mënyrën e të ushqyerit si dhe patriotizmin që kanë edhe sot, me figurë qendrore Skënderbeun.
Të themi, jemi dëshmitarë të një konglomerati social, njësia e të cilit nuk i referohet vetëm origjinës, por ajo është krijuar në përditshmëri nga banorët e fshatit edhe më shumë. Aktiviteti kryesor në të cilën mbështeteshin banorët e asaj zone ishte bujqësia, një pjesë e prodhimeve ndonjëherë destinoheshin edhe për treg. Këtu dominonte kultivimi i perimeve dhe bishtajoreve për konsum vetjak, që kombinohej me prodhimin më të specializuar të grurit, dhe frutave si: fiq, dardhë, rrush si dhe ullinj. Paralelisht me mbledhjen e gështenjave dhe kultivimin e dhive, derrave, deleve dhe lopëve, ata mbanin edhe gomar për transport si dhe shpezë për jetesën e tyre. Për kohët e vështira grumbulloheshin rezerva dhe ajo qe tepronte shërbente si ushqimin për kafshët. Të gjitha këto aktivitete bëheshin për të plotësuar dhe përmirësuar prodhimin përgjatë gjithë kalendarit bujqësor. Gjithashtu, falë zhvillimit fondamental të sistemit te shkëmbimit dhe ndërveprimit shoqëror që bashkonte të gjitha fshatrat dhe në këtë mënyrë që të bëhej një zonë me ndikim, pothuajse të pavarur. Prandaj në kohën kur fuqia punëtore kërkohej më shumë, të afërmit e një fermeri shkonin për të punuar në tokën e tij, duke llogaritur se do të merrnin të njëjtën ndihmë kur t’iu duhet atyre. Të njëjtat praktika zbatoheshin edhe në punët e tjera sikurse ndërtimi i shtëpive dhe punë tjera. Këto dhënie arrinin kulmin në festat e përbashkëta pas korrjeve, ku edhe më tej forcoheshin marrëdhëniet e tyre shoqërore.
Madje, duke marrë parasysh dobësitë e sistemit, ata bashkëpunuan pikërisht për këtë fund. Sepse, pavarësisht të gjitha përpjekjeve, toka jo-pjellore, ndonjëherë e fituar nga shpyllëzimet, dhe tej-shfrytëzimi i tepërt, përcaktuan nevojën për këmbimin dhe shitjen e mallrave, në kërkim të asaj që nuk kanë mundur apo nuk kanë arritur ta prodhojnë vet. Për këtë shkonin në tregjet e brendshme dhe të jashtme, sikurse rasti i Acri, një fshat kalabrez krejtësisht i dalluar për nga kultura që shtrihej në një distancë të shkurtër përtej malit, apo të Bisignano, selia e ipeshkvit ku grumbullonte famullitarët e tij. Por më interesante është mënyra se si këto marrëveshje individuale apo të zakonshme realizoheshin në kuadër të panaireve dhe që kontribuonin në rritjen e kontakteve shoqërore. Sepse panairet ishin më tepër se sa një vend për blerjen, shitjen apo këmbimin ë produkteve. Ishin pika takimi apo shkëmbim shoqëror ku merrte pjesë e gjithë familja, ku zakonisht qarkullonin informatat, mbaheshin vallet dhe festimet, si dhe forcoheshin zakonet e vjetra ose ndërtoheshin miqësi të reja të cilat në të ardhmen përqendroheshin në fejesa apo martesa. Ishin raste të veçanta, njëjtë sikurse festat fetare, ku çdo fshat në mënyrë të pavarur kishte kishën e vet, shenjtërorin (priftin) e vet që ndërmjetësonte në mes të Zotit dhe besimtarëve kur ishte dita e Shën Dimitrit apo Shën Mitrit (spanj: San Demetrio), Shën Atanasit (spanj: San Atanasio), e Shën Sofisë (spanj: Santa Sofía), Shën Gjergjit (Spanj: San Gorgio) dhe Shën Marisë. Monitori