Babai i Klodian Rashës: Unë i shërbej veç familjes sime e jo politikës, por të mos inskenojnë me protesta sikur ishte vajza ime. Mos na rëndoni më tepër

316

Marshimi i protestuesve mbrëmjen e sotme u mbyll në shtëpinë e të ndjerit, Klodian Rasha. Babai i 25-vjeçarit që u vra nga policia, Qazim Rasha u shpreh se ajo që i ndodhi atij, uron që të mos i ndodhë askujt. “Unë i shërbej vetëm familjes sime jo politikës, sot varrosa djalin, fajtori të shkojë te vendi që meriton. Mos i raftë askujt, nuk ia dëshiroj askujt” tha ai.

Por a ka pasur kontakte nga familja e efektivit, që i vrau djalin? “As nuk e di, as nuk e njoh, nuk kam asnjë lloj haberi, shteti e di vetë. Drejtësia e di punën e vet. Mos më lodhni më tepër. Më besoni si prind, ai që është babë e di”. Po ashtu, ai tha se nuk ka pasur asnjë lloj kontakti as nga shteti.Një mesazh ai e kishte edhe për vajzën që pretendoise ishte motra e Klodianit. “Më ka dalë një Bora Rasha, kur vajza ime është me të zeza. Këto inskenimet, mos më rendoni më tepër, kam peshën e barrës”. Prononcimi i plotë i babait të Klodian Rashës për mediat

Kërkojmë drejtësi. Atë që është për cdo njeri, qytetar, shqiptar, të ri, të moshuar, kërkoj që secili të gëzojë të drejtën dhe të gjejë atë shpresën te shteti, te ligji, te rregulli, te ajo që është e mira për të gjithë, që ti shërbejë, qoftë fëmijës, të rriturit, të moshuarit, që të kemi shpresë, të kemi të ardhme, që rinia të shkëlqejë, të eci përpara, të gëzojë një ditë të re.

Mendoj se vendi është ky, duhet ta ndërtojmë, ngremë, ta rrisim, ta mbështesim të gjithë. Si puna e djalit tim jeni edhe ju të të gjithë, të gjithë mendoni si puna ime, kush është prind e di peshën pak më mirë. Nuk më vjen mirë me dhënë intervista, nuk i shërbej asnjë lloj politike, por familjes sime, ke familja jam i detyruar me i thënë këto për hir të fëmijës që varrosa sot.

Shteti të bëjë punën e vet, të japë drejtësi, fajtori të shkojë në vendin që meriton dhe ne të kemi një fije shpresë dhe mbështetje, dhe të mendojmë se kemi një të ardhme në vend dhe të rrisim fëmijët pa ndrojtje, apo frikë, që të mos ketë frikë të dalë te rruga dhe të kthehet dhe të vijë në këtë gjendje që erdhi i imi. Kjo mos i raftë askujt, nuk ia dëshiroj askujt, ishalla Shqipëria, dita që vjen dot ë bëhet më mirë.

Keni pasur kontakt me autoritetet policore apo shtetërore?

Asnjë kontakt nuk kam pasur, cfarë më kanë thënë të tjerët, unë jam marrë me varrimin, nuk jam marrë me versionet. Por një përgënjështrim me këtë më rëndon dyfish, më ka dalë një Bora Rasha, kur goca ime është me të zezë, quhet Marjeta dhe jo Bora. Një Bora, duke menduar unë jam motra e Klodianit. Këto prapaskenat dhe inskenimet, mos më rëndoni më tepër, se kam peshën e barrës, nuk ka nevojë për të më rënduar më tepër.

Familja e autorit ka kontaktuar, ka kërkuar falje?

As nuk e di, as nuk e njoh, nuk kam asnjë lloj haberi. Ai e di vetë, shteti e di vetë, drejtësia të bëjë punën e vet. Mos më lodhni më tepër, se nuk mundem me u dhënë asnjë lloj përgjigje, më besoni si prind, si familjar, ai që është babë e di, edhe ju do të bëheni nesër, mos i ndodhtë askujt.