Banda e shqiptarëve bën kërdinë në banesat e italianëve, marrin florinj, veshje dhe këpucë firmato

72

Një 33-vjeçar shqiptar i cilësuar si kreu i një bande të përbërë nga shqiptarë të tjerë është arrestuar nga policia italiane. Mediat bëjnë me dije se grupi i tij ka kryer një sërë vjedhjesh në Toskana, kryesisht në Firence, Piza dhe Pistoia.

Shqiptari është lënë në burg pa afat nga gjykata italiane. Ndërkohë një shqiptar 39-vjeçar me banim në Prato është denoncuar për fshehjen e sendeve të vjedhura ndërkohë që anëtarët e tjerë janë vënë nën hetim.

Grupi i tyre dyshohet se kishte në shënjestër disa shtëpi të mbyllura, disa prej të cilave banoheshin nga të moshuar. Ata hapnin një “dritare” pranë dorezës së derës dhe hynin në shtëpi përmes saj.

Ata merrnin kryesisht para dhe bizhuteri në çanta dhe sirtarë. Banda u pikas pasi përdornin një makinë Audi Q5 që ishte vjedhur në korrik në një familje gjermane e cila ndodhej me pushime në një rezidencë në provincën e Sienës. Hetuesit kishin ndjekur lëvizjet e saj duke studiuar hapat e grupit kriminal.

Në vetëm një muaj ata rezultojnë të kenë kryer të paktën 11 vjedhje. Policia tashmë po heton në lidhje me makina që përdorin anëtarët e tjerë të bandës. Në momentin e kontrollit në sediljen e Audi Q5 u gjetën disa bizhuteri floriri të cilat ishin vjedhur në banesat e italianëve, një sasi e madhe veshjesh, këpucë të markave të shtrenjta. Vlera totale e tyre kap shifrën e 150 mijë eurove./Dritare.net