Partia Demokratike ka reaguar pasi ish-kryeministri Sali Berisha ka mohuar të ketë komanduar protestuesit për të sulmuar selinë e PD më 8 janar.
Në një konferencë për mediat pasi doli nga Prokuroria e Tiranës ku dha dëshminë, Berisha tha se momentin ku shihet që udhëheq me dorë, u ka kërkuar mbështetësve që ishin në rrugë të futeshin në oborrin e PD-së, por jo të sulmonin. Selia blu thotë se Berisha gënjen, pasi sipas saj e gjithë bota ka parë dhunën e urdhëruar prej tij në godinën e PD.
“Mashtruesi kronik, sërish sot u mundua të gënjejë shqiptarët për atë që e gjithë bota e pa, dhunen e planifikuar dhe urdhëruar nga Sali Berisha. Por nuk është diçka e re, pasi që prej 9 shtatorit Sali Berisha veç ka gënjyer e mashtruar për hallin e tij të madh, për dosjen e tij “non grata”. Mashtrimet dhe gënjeshtrat e Berishës morën fund ditën në të cilën ai dështoi të merrte me vete në fatin e tij të zi Partinë Demokratike”, thuhet në deklaratën e PD.
Ka zgjatur 2 orë e 40 minuta marrja në pyetje e Berishës në Prokurorinë e Tiranës. Në një prononcim për mediat ai tregoi se çfarë ka deklaruar para prokurorëve. Berisha tha se është thirrur aty me urdhër të Kryeministrit Edi Ramam ndërsa e konsideroi 8 Janarin si aktin më të paimagjinueshëm dhe momentin më kriminal në historinë e 30 viteve. Ai akuzoi se armët nga selia i ka nxjerrë Basha me mjetin e tij, ndërsa shtoi se ka dëshmi flagrante të pranisë së njerëzve të armatosur në seli.