Basha: Ka shpresë, 2021 viti i ndryshimit, një Shqipëri më e dhembshur dhe më e fortë

103

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka dërguar një mesazh shqiptarëve në ndërrimin e viteve. Po lëmë pas një vit të vështirë, pandemia na gjeti të gjunjëzuar, shkruan Basha në mesazhin e tij.

“Ka shpresë, 2021 viti i ndryshimit, një Shqipëri më e dhembshur dhe më e fortë”, vijon mesazhi i kreut të PD

MESAZHI I KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA DREJTUAR SHQIPTARËVE

Të dashur bashkëqytetarë!

Viti që po lëmë pas ishte një vit i vështirë për gjithë botën, po akoma më i vështirë për Shqipërinë.

Kriza e pandemisë e pllakosi vendin tonë, në një kohë kur ekonomia ishte tashmë e gjunjëzuar dhe sistemin tonë shëndetësor e gjeti në pikë të hallit, si pasojë e mungesës së mbështetjes.

Shumë prej nesh humbën më të dashurit, familjarë dhe miq të çmuar prej koronavirusit, duke lënë pas një boshllëk të pazëvëndësueshëm. Ne i kujtojmë me dhimbje secilin prej tyre. Po ashtu përcjell ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e tyre.

Teksa i them këto fjalë, ka shumë familje që janë prekur rëndë nga pandemia, spitalet tona janë të mbingarkuara, punonjësit tanë shëndetësor janë duke punuar me mish e me shpirt për të shpëtuar jetë edhe pse në kushte shumë të vështira.

Mirënjohja jonë nga thellësia e zemrës shkon sot tek mjekët dhe personelin shendetësor, që po sakrifikon me vetëmohim për të shpëtuar jetë, duke sakrifikuar gjithçka, shpesh edhe vetë jetët e tyre.

Teksa po hyjmë në Vitin e Ri, mbushini zemra tuaja me shpresë dhe besim. Largojeni për disa çaste trishtimin e këtij viti që lamë pas dhe mendoni se ditë më të mira na presin, se një e ardhme më e ndritur është përpara nesh.

Kemi kaluar një vit të vështirë, por gjithsesi ka shpresë. Shpresë dhe besim për një të ardhme më të mirë, të cilën e kemi vetë në dorë.

Ka shpresë për një Shqipëri tjetër. Për një qeverisje ndryshe që kujdeset për qytetarët e punon për ju.

Për një qeveri që garanton uljen e kostos së jetës dhe mundëson hapjen e vendeve të reja të punës për çdo qytetar.

Ka shpresë për ndryshim dhe gjithçka varet prej nesh për ta bërë atë shpresë realitet.

Unë jam plot besim që ndryshimi është i mundur dhe nuk do të ngelet vetëm shpresë.

Ky besim më shtohet kur shoh vendin tonë të bukur, me pasuri e potencial zhvillimi si rrallëkund tjetër në botë. Shoh shqiptarët që nuk dorëzohen kurrë.

Shoh nënat që punojnë ditë e natë dhe që kujdesen për të rritur brezat e ardhshëm.

Shoh të rinj të talentuar, plot me energji e ide të freskëta, që përpiqen t’ia dalin mbanë me çdo kusht.

Një mesazh të veçantë dua t’ju percjell në këtë fundvit të rinjve dhe të rejave që nga dëshpërimi i pamundësisë presin shansin e parë per t’u larguar. Mos e humbisni kurrë shpresën! Mos u dorëzoni! Asnjëherë mos hiqni dorë nga qëllimet, nga ëndrrat tuaja, sepse një ditë dhe kjo ditë nuk do të jetë e largët, do të gjeni rrugën e suksesit.

Ju shoh dhe jam i sigurt që së bashku do ta bëjmë vitin që vjen, një vit më të mirë për ju dhe për familjet tuaja.

Një vit më të shëndetshëm!

Një vit më të suksesshëm!

Do ta kthejmë 2021-in në vitin në të cilin Shqipëria do të jetë e fortë dhe e mbushur me dhembshuri e kujdes për njëri-tjetrin, dhe ku gjithkush të jetë pjesë e ndryshimit që po vjen.

Gëzuar Vitin e Ri të gjithëve! Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!