Biblioteka publike “Dritëro Agolli” vlerësohet si një ndër më të mirat në Shqipëri.

143

Intervistë me drejtuesen e bibliotekës publike “Dritëro Agolli” në Fier znj. Klodjana Gjata.

Tashmë biblioteka publike “Dritëro Agolli” cilësohet si një ndër më të mirat në Shqipëri. Ky cilësim ka ardhur sërish përmes vlerësimit nga Ministria e Kulturës Elva Margariti gjatë vizitës së saj në kuadër të tetorit të librit.
Për t’u njohur me punën dhe veprimtarinë e kësaj biblioteke për portalin tonë “Portali Shqiptar” po zhvillojmë një bisedë me znj. Klodjana Gjata, drejtuese e këtij institucioni.

Si e pritët sërish këtë vlerësim për bibliotekën që ju drejtoni nga ana e Ministres së Kulturës Elva Margariti?

Duke ju falënderuar për intervistën ju them se ky vlerësim jo i pari, vjen për punën e saj me librin dhe lexuesin, për kushtet modern dhe përkushtimin e stafit të këtij institucioni për bibliotekën publike “Dritëro Agolli”. Ne si institucion morën garancinë nga Ministria Margariti se edhe në të ardhmen do të kemi mbështetje të këtij institucioni për të përmbushur synimet e punës sonë.
E shoqëruar dhe nga drejtues të Bibliotekës Kombëtare znj. Margariti dha një kontribut në pasurimin e bibliotekës së Fierit, duke dhuruar 140 tituj librash, që i përkasin autorëve të mëdhenj klasikë botërorë.

Një vlerë të veçantë mori dhurata nga Biblioteka Kombëtare me emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe të Rilindjes dhe të para Luftës II Botërore.

Çfarë synoni të arrini përmes punës suaj me librin dhe lexuesit?

Qëllimi ynë parësor është të sigurojmë burime dhe shërbime për të plotësuar nevojat e individëve dhe grupeve për edukim, informacion dhe zhvillim personal, përfshirë dhe çlodhjen dhe argëtimin.

Biblioteka Publike Fier është biblioteka kryesore e Bashkisë Fier, e cila u shërben banorëve të komunitetit të saj.

Ne u shërbejmë banorëve të qytetit të Fierit dhe zonave të Njësive Administrative të përfshira në territoret e reja të Bashkisë Fier, me një popullsi prej rreth 300 mijë banorësh.

Çfarë shërbimesh ofroni si institucion i librit në qytetin e Fierit?

Prej vitesh biblioteka e Fierit nuk është thjesht dhe vetëm një institucion në të cilin jepen dhe kthehen libra sipas dëshirës së lexuesit.
Tashmë ne përmes përkushtimit tonë ofrojmë shërbime referuese dhe informuese për komunitetin, programojmë veprimtari dhe organizojmë aktivitete të ndryshme për ngulitjen e vlerave me te mira njerëzore, morale e letraro-artistike
Në bibliotekën tonë funksionojnë disa sektorë si: sektori i librit shqip, sektori i librit për fëmijë, sektori i librit ne gjuhe të huaja, sektori i periodikut dhe ai i libri antikuar.

Cila është jeta e një biblioteke nëpër ditë, muaj e një vit kalendarik?

Gjatë një viti në Bibliotekën tonë zhvillohen mesatarisht mbi 90 takime letraro-artistike me një numër prej me shume se 5 mije pjesëmarrësish në to.
Është punuar në drejtim të rritjes së cilësisë së aktiviteteve dhe performancës së tyre, për t’i afruar kryesisht fëmijët dhe të rinjtë me librin dhe leximin.
Arena e takimeve tona është shtrirë jo vetëm brenda mureve të Bibliotekës, por dhe në mjedise jashtë saj.

Sot synohet një dalje nga aktivitete kombëtare për të pasur një lidhje dhe çelje të hapësirave të bashkëpunimit me homologët europianë dhe më gjerë. Si keni ecur në këtë drejtim?

Është mëse e drejtë dhe me krenari themi se në punën tonë përkrah librit kemi pasur si prioritet integrimin me biblioteka jashtë Shqipërisë dhe kemi arritur te bëhemi pjesëmarrëse në “Unionin e Parë të Bibliotekave mes Vendeve të Evropës Qendrore Lindore dhe Kinës”-CEEC- mbajtur në Hangzhou të Kinës në tetor 2018, si dhe Unionin e Dytë në vitin 2021 në Maqedoni. Puna jonë është vlerësuar nga Ministria e Kulturës si një nga bibliotekat më të mira në rang kombëtar për vitin 2017 duke na dhuruar një fond libror prej rreth 70 titujsh ; cilësuar si “Institucioni më i mirë i vitit 2017” nga Fondacioni “Harpa” Fier, Bibliotekë pjesëmarrëse në Festivalin VII Poetik “Boras 2018″ organizuar nga Shoqata “Migjeni“ në Suedi.
Një nga institucionet më të rëndësishme kulturore të qytetin tonë, pjesë e pandarë e revistës periodike kulturore “Fieri”.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me lexuesit në drejtim të politikave që ndjek biblioteka?

E pohova edhe me sipër që kjo godinë është një strehë dijesh dhe lexuesi ka një vend të merituar në këtë institucion. Ne kërkojmë mendimet e tyre edhe në drejtim të titujve të librave. Pra, merret mendimin i tyre për përzgjedhjen e titujve që bëhen blerje në bibliotekë duke respektuar kështu kërkesat e tyre, të cilat janë vetë ata që i propozojnë pranë pikës së shërbimit.

A keni ndonjë statistikë se çfarë pëlqen kryesisht lexuesi juaj?

Në bazë dhe të statistikave të përpiluara nga stafi I bibliotekës ata pëlqejnë libra psikologjik dhe motivues, romanet dhe titujt e rinj, si dhe fjalorë e metoda gjuhësh.

Cilat janë moshat që e frekuentojnë më së shumti mjedisin tuaj?

Krahasuar me vitet e mëparshme vërejmë me kënaqësi që është rritur interesi i lexuesve të bibliotekës sonë. Lexuesit janë nga të gjitha grupmoshat, duke filluar që nga mosha parashkollore. Fëmijët përbëjnë mbi 30% të lexuesve të cilët parapëlqejnë enciklopedi dhe libra kuriozitetesh, si dhe titujt e rinj në romane. Po ashtu të rinjtë zënë gjithashtu një vend të rëndësishëm, duke qenë rreth 40% e numrit të lexuesve të rinj shkollash dhe studentë.

Çfarë do të synoni në vitin e ardhshëm në punën dhe veprimtarinë e bibliotekës “Dritëro Agolli” ?

Jetësim në nivele sa më të larta të punës sonë me librin dhe lexuesin e të gjitha grup moshave. Këtë institucion do ta vlerësojmë si një botë më vete atë të librit, atë të edukimit dhe dijes. Kjo qendër do të ndikojë në formimin intelektual të brezit të ri që duhet të jenë të aftë për të qenë kurdoherë krah zhvillimeve të vendit tonë.

Dhe nuk dua të lë pa përmendur dhe vlerësuar faktin që kjo bibliotekë është edhe shtëpia ku krijuesit fierakë kanë dhënë një pasuri të madhe të krijimtarisë së tyre në fusha të ndryshe.
Pa frikë mund të themi që Fieri është i dashuruar me artin, kulturën, letërsinë dhe pasione të shumta dhe i tillë do të mbetet.

Ju faleminderit për bashkëbisedimin dhe suksese në të ardhmen./Nga Pal Qarraj Portalishqiptar.com